Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Homazh për Luftën e Vlorës

Ibrahim Vasjari: Përcjellje ëndrrash - Albspirit

Homazh për Epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës, marrë nga libri i Ibrahim Vasjarit “Mozaik nate”

Mehmet Selimit

– 1 –
Shorti të ra:
Hiqe, Mehmet, ti vallen!
Ultimatumin tund e këngën nis!
Mblodhe në grykë zëra të lashtë malesh
Mblodhe në sy lotët e Shqipërisë.

… Edhe ia nise.
Hej Mehmet, Mehmet!
E bardhë vallja, o trimi këmbëlehtë!

– 2 –
Të rrallë yjet.
Agu erëqumësht.
Shtëpi e stane malesh ende flenë.
Diku një foshnje belbëzon përgjumësh.
Këlthet një buf, kuis diku një qen.

Te pragu: nëna,
Ngrirë në të mugët.
Nusja nxiton të lidhë në një mandile
Të gjitha tok: Ultimatumin, bukën,
E, fshehur thellë, një ah!-je nusërie.

Hej, Mehmet, Mehmet!
E bardhë rruga, o trimi këmbëlehtë!
Ç’të mbetën peng dy pika lot të nënës
Dhe brengë e nuses …eh, ç’të mbeti peng!

– 3 –
Përreth ia nisën fyej e kaçile.
Trik – trake djepesh, ninulla, dyjare
Stanet përpiqnin tej këmborë e zile
Të mos gaboje ritmin ti në valle.

Më shpejt, Mehmet, më shpejt!…

Udha përvidhet rrëzë pyllit,
Muzgu varet përgjakur mbi det.

– 4 –
Me ty, drejt Vlorës ecnin retë, lumi.
Gjithçka … po kjo s’të shkonte hiç ndërmend:
Me Gjeneralin dhe Ultimatumin
U lidhe fort dhe mbete në legjendë…

… Mbete, Mehmet! Së largu të djeg malli.
Çobanët netve të shohin shpesh.
Veshur me mjegull e dëborë malesh
Ultimatumin tund në dorë e buzëqesh…

Sado Koshena

Sado Koshena me halle
E fute Vdekjen në valle.
E more Vdekjen për dore,
Të kërcejë si nuse Vlore.

Pastaj thirre: “Hajde, nëna!
Të këndojmë, se na dhëmb zemra
Hajde, nëna, ligjëroni!
Tirrni këngë e valle shtroni!”

Vdekjen ta bëjmë si ne
Se e njohim dhe na njeh.
Dhe e veshe siç e deshe
Gjalmëzezë arbëreshe.

I the: Vdekje, mos u tremb!
Se po shkel në dhe të rëndë.
Ngrije kokën, a e vrarë!
Kaq të bukur s’të kam parë.

Sado Koshenë e Dukate
Gjethe çelur, rrënjë labe.
Nënë e Nënëmadhe mbete.
Na mëkon me qumësht jete

Guna e Selamit

Kur gjetën vetëm gunën, jo Selamin,
Mbi tela ndërur, krahë vrarë shkabe,
Ato e njohën e nisën të qanin,
Kokë më kokë, siç qajnë gratë labe.

Ato që dimëronin në furtuna,
Me ninulla mbi djepe, sypafjetur.
Dhe tirrnin lesh për xhamadan e guna.
Për tela gjëmbash, bota tirrte hekur.

E njohën dhe e morën… Qiejt nxinin.
Dielli, pas resh, mërgonte tej Sazanit.
Përballë dimrash që gjithnjë na vinin,
Gjithnjë do vishnim gunën e Selamit.

Buzëmbrëmjes ecin nën qiellin e bruztë

Të zezat nëna,
Kërcure gjetherëna.
Buzëmbrëmjes ecin nën qiellin e bruztë.
Shtrënguar mbi vetull shamitë e zisë
Ngarkuar djepet me tërkuzë.

Kthehen nga gjëma
Me vaj e helm në zemra.
Aty nën ullinj i mbuluan djemtë.
Aty ku ra lufta, përreth prehen varret,
Trishtojnë erërat, rrëketë…

Nënat e mjera
Kërcure degëprera.
Në shtigje buzë honesh drejt pafundësisë.
Me djepet mitike që sytha bulëzojnë.
Lastarë të rinj mbi kurriz.

Please follow and like us: