Shaban Murati: Presioni parazgjedhor rus në Maqedoninë e Veriut dhe situata në Ballkan
Kremlini
Afrimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të cilat shumica politike i kërkon të mbahen në korrik dhe opozita në shtator, ka ngritur ethe elektorale edhe në Moskë, ku po punohet që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë në drejtimin që i përshtatet interesave ruse. Me këtë funksion shihet një rritje e presionit të drejtpërdrejtë të Rusisë mbi Maqedoninë e Veriut, si dhe një përpjekje për t’u ndjerë faktori rus në klimën elektorale të atij vendi. Nuk shpjegohet ndryshe ndërhyrja flagrante e ambasadës së Rusisë në Shkup ndaj demonstrimit festiv ajror të një skuadre atlantike avionësh ushtarakë amerikanë dhe grekë në qiellin e Maqedonisë. Në datën 29 maj dy bombardues amerikanë të shoqëruar nga katër avionë gjuajtës të forcave ajrore greke zhvilluan një fluturim demostrativ ajror të NATO-s në qiellin e Maqedonisë së Veriut, si një urim mirëseardhje të këtij shteti në gjirin e Aleancës Atlantike. Duke qenë se Maqedonia e Veriut u bë zyrtarisht shtet anëtar i NATO-s në datën 27 mars 2020 ngjarja nuk mori profilin e duhur historiko-festiv për shkak të epidemisë së koronavirusit, që kishte përfshirë gjithë rajonin tonë. Tani që epidemia është në përfundim, u zhvillua ky demonstrim ajror festiv i vendosur nga NATO dhe Maqedonia e Veriut. Demonstrimin zyrtar e ndoqën sëbashku Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë R.Shekerinska dhe ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes. Ambasadorja amerikane deklaroi me këtë rast se fluturimi i sotëm është “shprehje e mbështetjes së SHBA për Maqedoninë e Veriut si një gjest përmes të cilit ne urojmë mirëseardhjen si shteti i 30-të anëtar i NATO-s”.
Demonstrimi ajror i zhvilluar në qiellin e një shteti sovran është e drejtë dhe vendim i atij shteti sovran, i cili kryen gjithashtu angazhimet e marra si shtet anëtar i Aleancës Atlantike. Nuk ka asnjë punë ambasada ruse në Shkup që të reagojë dhe të insinuojë se avionët e mësipërm amerikanë po shkonin drejt kufijve të Rusisë dhe të hedhë parullën anti atlantike “Stop NATO”. Rusia nuk ka të drejtë të ndërhyjë as në punët e Maqedonisë së Veriut dhe as në punët e brendshme të NATO-s. Një reagim i tillë antidiplomatik i diplomacisë ruse tregon jo vetëm inatin shtetëror, që nuk po i del Kremlinit nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, por edhe konkretizon një qendrim të programuar të diplomacisë ruse për të ndërhyrë në jetën e brendshme të Maqedonisë në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Po në këtë linjë ndërhyrjeje diplomacia ruse në Maqedoni ka intensifikuar politikën e njohur të shtrirjes së ndikimit dhe të pranisë ruse nëpërmjet diplomacisë së narrativës sovjetike të Luftës së Dytë botërore. Me nismën dhe financimin e ambasadës ruse në datë 9 maj në komunën Qendër në Shkup u përurua nga ambasadori rus një monument kushtuar ushtarëve sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore dhe iu vu emri “9 maj” një rrugë të Shkupit. Ambasadori rus u lavdërua që monumenti i Shkupit sjell modelin e luftëtarëve sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore. Është e njohur se narrativa e Luftës së Dytë Botërore është një nga bazat e diplomacisë së sotme ruse të monumenteve historike për të sanksionuar ndikimin e vet në vendet e Europës Lindore. Ajo, që tërheq vëmendjen, është fakti se Moska ngrë një monument të ushtarëve sovjetikë në Shkup, në një kohë kur as Shkupi dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë çliruar nga forcat ushtarake sovjetike në Luftën e Dytë Botërore. Nga ana tjetër Moska i imponon Shkupit leximin e saj historik me datën e vet 9 maj si datë e mbarimit të luftës, në një kohë kur vendet perëndimore celebrojnë 8 majin si Dita e Fitores. Me një fjalë Moska kërkon t’i imponoje Maqedonisë së Veriut sovjetizimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mbi atë narrativë të sanksionojë të drejtën e Rusisë për ndikim dhe prani në shtetet europianolindore.
Këto lëvizje të diplomacisë ruse në Shkup nuk janë të rastit, por janë të organizuara në përputhje me një platformë të klimës së ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Kjo platformë ruse për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është ndërtuar mbi strategjinë për të ndikuar në fitoren e zgjedhjeve nga partia filoruse VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit filorus Gruevski, parti e cila tani drejtohet nga Hristijan Mickoski. Nën titullin: “A është Rusia e përfshirë në zgjedhjet në Maqedoni”, politikani maqedonas Gjorgje Spasov shkruante në portalin “respublika.edu.mk” se “Moska do të bëjë gjithçka për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni. Moska për arsyet e saj më egoiste shpreson për fitoren e mundshme të Mickoskit në zgjedhje, i cili është shpresa e vetme që VMRO të mbetet dora e zgjatur e diplomacisë ruse në Maqedoni”.
Nuk është rastësi që Moska e ka vënë bastin e saj maqedonas te partia e Gruevskit dhe e Mickoskit, VMRO. Dihet që kjo parti ka ndjekur gjithmonë një politikë të vendosur filoruse dhe ka ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të sabotuar orientimin euroatlantik të vendit dhe të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Siç ka deklaruar vetë ish sekretari i përgjithshëm i VMRO, Petar Bogoevski “VMRO është rrëmbyer nga fanatikë prorusë të udhëhequr nga Mickoski”. Në vitet e krizës së fortë politike maqedonase 2016-2017, Rusia ndërhyri hapur në jetën politike të vendit, duke mbështetur me financimet dhe me organizimet e institucioneve të saj sekrete dhe diplomatike qeverinë e Gruevskit. Moska ndërhyri hapur në jetën politike të vendit edhe në vitin 2018, duke vepruar për sabotimin e marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit dhe duke organizuar protesta dhe trazira me forcat filoruse në vend.
Rusia e humbi betejën gjeopolitike me Perëndimin në Maqedoninë e Veriut me nënshkrimin e marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës në qershor 2018 për çështjen e emrit dhe sidomos me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Por Moska nuk ka hequr dorë nga strategjia e saj e përmbysjes së situatave politike në vend nëpërmjet ndërhyrjes në proceset zgjedhore për ndryshimin e qeverisë dhe të orientimit strategjik të vendit. Ndaj ajo po mbështet fuqimisht partinë VMRO të Mickoskit tani, që ajo parti të dalë fituese në zgjedhjet e afërta parlamentare. Mediat maqedonase kanë shkruar disa herë për financimet sekrete ruse për partinë VMRO. Moska vazhdon me bastin e saj tek partia VMRO, sepse kryetari i tanishëm i kësaj partie ndjek të njëjtën vijë antieuropiane, antiatlantike dhe antishqiptare si paraardhësi i tij Gruevski. Mickoski formalisht ka deklaruar se është për integrimin euroatlantik të vendit, por ka shpallur me forcë që nëse vjen në pushtet do ta anulojë marrëveshjen për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë. Kjo është strategjia afatgjatë e Rusisë. Me një fjalë partia VMRO do që Maqedonia të dalë nga NATO dhe të mos hyjë në BE, sepse nëse një qeveri e VMRO do të anulojë marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë, kjo do të thotë që ajo ka në program të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe në BE. Portali i njohur amerikan “Foreign Policy” shkruante në 22 prill se “ndërhyrja e Rusisë në procesin e zgjedhjeve ose në rezultatin e tyre, jo vetëm kërcënon sovranitetin e Maqedonisë, por nëse do të ketë sukses mund të rezultojë në një qeveri, që do ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt Moskës”.
Në të njëjtën kohë VMRO po përpiqet që të ngrejë një histeri raciste dhe fetare kundër shqiptarëve me qëllim që të krijojë konflikte etnike e fetare dhe destabilizim. Për këtë qëllim mediat e VMRO po fryjnë këto ditë absurditete, siç bënte edhe në 1 qershor njëra prej tyre në tre gjuhë, që infeksionet më të mëdha me koronavirus i paskan zonat myslimane të Shkupit dhe të Tetovës, pra popullsia shqiptare. Është një histeri raciste antishqiptare, që VMRO dhe diplomacia ruse e kanë nxitur edhe gjatë krizës politike të viteve 2016-2017 në Maqedoninë e Veriut.
Presioni rus për zgjedhjet parlamentare të afërta në Maqedoni ka dhe një element tjetër, që është karakteristik në Ballkanin Perëndimor. Është fjala për përdorimin nga Rusia të Serbisë për të ndërhyrë në jetën politike dhe elektorale të vendit. E ka bërë Serbia një ndërhyrje subversive edhe në zgjedhjet e mëparshme në Maqedoninë e Veriut, edhe në zgjedhjet e mëparshme në Mal të Zi. Në koordinim me Rusinë, Serbia e ka rritur dozën e ndërhyrjes në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut me akte idiote si ato të ministrit serb të mbrojtjes, filorusit patologjik A. Vulin, i cili sulmoi publikisht në të gjitha mediat serbe në 31 maj ministren e mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, përse ajo kishte dalë në foto me kryetarin shqiptar të bashkisë së Kërçovës, i cili në zyrën e tij krahas fotografive të shumta kishte edhe siglën “UÇK”.
Sinjalet e presionit dhe të ndërhyrjes ruse në klimën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë se ato vështirë të jenë zgjedhje të qeta dhe se do të karakterizohen nga një përplasje e ashpër midis linjave euroatlantik dhe linjave filoruse. Janë zhvillime, që duhen ndjekur në kohë dhe me vëmendje nga Shqipëria dhe nga Kosova, për të ndihmuar që shteti fqinjë të vazhdojë rrugën strategjike të aleancës me NATO-n, me BE dhe me Perëndimin./gazeta dita/