Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Bënja: Meditim në pranverën e pandemisë

 

Prolog – Vendbanimet e shpendëve

Në natyrë çdo gjë është e ndërlidhur. Gjithmonë ka ekzistuar lidhja midis qënieve të gjalla dhe vendbanimeve të tyre. Bimët, kafshët, shpendët janë varur nga njëri tjetri dhe kanë jetuar në bashkësi. Natyra e gjallë është varur nga ajo jo e gjallë, njerëzimi nga flora dhe fauna, bimët nga shpendët nga kafshët e ansjelltas, njerëzit nga natyra, duke shfrytëzuar të njëjtat kushte jetese: dritën, nxehtësinë, ajrin, tokën. Njeriu ka krijuar gjëra të dobishme, por edhe e ka dëmtuar këtë bashkësi, sic ndodh akoma me prishjen e vendbanimeve të shpendëve, pa menduar për pasojat…

Muzika e zogjve është shumë e ndjeshme në këtë vend të qetë të Provincës së Ontarios, ku prill – maji janë të shkurtër, e ku pemët gjelbërojnë brënda pak ditësh. Si çdo vit i ngrohti duket sikur vjen direkt mbas dimrit të gjatë e të vonuar. Ndryshimi ndodh brënda javëve të fundit, kur temperaturat kalojne nga -5°C në +22°C, e përmidis tyre, në atë hapësirë të shkurtër kohe të pranverës së munguar, vijnë dallëndyshet, lajmëtaret e stinës. Mbrrijnë në të njejtën kohë, e ndoshta në të njejtën orë në çdo pranverë, në fillim pa u ndjerë, e më pas duke mbushur hapësirën përqark me bisedat e tyre të gëzueshme.

A i dëgjove, erdhën dallëndyshet, nuk e harrojnë shtëpinë e vjetër, përsërit sic çdo vit Roberti, një nga punonjësit më të hershëm të kompanisë. I dëgjova, ia kthej. E ndërkohë duket sikur diçka ka ndryshuar në ajrin, në ditën e bukur apo në atmosferën e ngrohtë. Ajo godinë është shtëpia e tyre, vazhdon ai duke treguar njerën nga ndërtesat..

Kanë kaluar shume vite që cikli përsëritet, dallëndyshet kthehen tek e njëjta ndërtesë që dikur ishte braktisur. Këta zogj të vegjël me shpinë kafe në të zezë stolisur në blu, me fyt të kuqëremtë në ngjyrën e ndryshkut, me barkun e bardhë dhe bishtin e gjatë, mbrrijnë në të njejtën ditë, në të njejtën ndërtesë, duke sjellë një atmosferë të blertë, dhe ikin në vjeshtë në të njejtën kohë, duke lënë mbrapa boshllek dhe ngjyrën gri të dimrit që afrohet. Kur fluturojnë, duken tërësisht të zeza, por identifikohen nga bishti i gjatë e fluturimi i lehtë. Kur cicërijnë i përshpërisin njëra-tjetrës gjithë gëzim, e gjithashtu egërsohen apo sulmojnë kur vjen puna për të mbrojtur të vegjlit e tyre. Cicërima e dallëndysheve dallohet nga zogjtë e tjerë se duket sikur flasin. Edhe kardinali tërësisht i kuq që gjëndet me shumicë në këto anë, këndon bukur, por rrallë e shikon të shoqëruar me zogj të tjerë. Ka zogj që dëgjohen përpara se të zbardhë dita, që të zgjojnë nga gjumi me këngën e tyre monotone. Ka edhe zogj të vetmuar që cicërijnë në mënyrë monotone e duket sikur me atë ritëm thërasin dikë “Gjon, Gjon..”. Luiza që përsërit fjalët e gjyshes së saj, thotë për zogun në fjalë se ka tërë jetën që kërkon të vëllain e humbur.

Të tillë zogj gjënden përherë tek kisha katolike e Shenjtorëve “Marta e Maria”, aty pranë familjeve me origjinë austriake që  kanë bërë krushqi me familje shkodrane. Por kur shkon në kamping në veri te kesaj province, është shumë ndryshe, kënga e zogjve kthehet në art. Mbas ditës së nxehtë pranë liqenit, dhe mbasdites në freskinë e pyllit, vjen nata e ndodh çudia. Pa zbardhur akoma dita, fillon simfonia e zogjve, kryevepra e natyrës me flautin, klarinetën, violën, apo violinçelon. Qindra apo mijra zogj, pjesë të orkestrës së pyllit, me trumpetën, trombonen, oboen apo me tubën interpretojnë muzikën e tyre hyjnore. Besoj se krijuesit e veglave muzikore kanë imituar muzikën e pyllit. Nuk mund të harroj herën e parë, kur pa u gdhirë akoma në kamping, në mes të pyllit, dëgjuam atë simfoni hyjnore, nuk ju besoja veshëve, plotësisht i hutuar mendoja “ku jam”? Të duket e pabesueshme e ndërkohë të vjen ndërmënd “The great Valtz” i Johan Strausit II, që për t’i shpëtuar arrestimit pas lëvizjes së studentve, fshihet në pyll me Karla Donerin dhe pasi dëgjon këngën e zogjve të pyllit, krijon atë muzikë hyjnore.

Por le të kthehemi përsëri tek dallëndyshet që s’ndalojnë së foluri. Dikur ndërtesa e braktisur ishte e tëra në dispozicionin e tyre. Dallëndyshet vazhdonin të ktheheshin tek ajo ndërtesë në verilindje për t’u riprodhuar, aty i lindnin dhe i rritnin të vegjëlit e tyre nga prilli në shtator. Sapo ktheheshin tek shtëpia e vjetër, pa zhurmë kërkonin foletë e vjetra, apo kur ishin çifte të reja ndërtonin çerdhe të reja, duke ngjitur baltën e kashtën në formën e një kupe të vogël. Mund të shikoje paksa edhe nga jeta e tyre familjare kur ushqenin të vegjlit e porsalindur me insektet e mbledhura. Gjatë fundjavës, kur dyert e ndërtesës së vjetër mbylleshin, shikoje sesi e futnin ushqimin për të vegjlit, nëpërmjet xhamave të thyera apo hapësirave të vogla. Shikoja atë këmbëngulje, dhe kujtoja hartimin e Anisës për dallëndyshen e mbyllur pa dashje në shtëpi, kur njerëzit e asaj familjeje, kishin ikur me pushime, dhe që mbijetoi në saj të ndihmës së shoqeve të saj. Ato e mbajtën gjallë duke futur ushqimin nëpërmjet hapësirës së vogël të xhamit të thyer.

Vitet më pas u vështirësuan për dallëndyshet. Ndërtësa e braktisur s’mbeti më e tillë, ajo u rinovua, madje u ndërtua edhe një korridor që e lidhte me ndërtesat e tjera. Dyert e ndërmjetme tashmë komandoheshin me sensor dhe mbaheshin të mbyllura që dallëndyshet të mos hynin e të mos ndotnin ambientin e rinovuar dhe materialet që mbaheshin atje. Tani dallëndysheve, ju duheshin shumë mund e përpjekje për tu futur. Ato provonin mënyra të ndryshme që të futeshin, niseshin në fluturim pikiatë kur hapeshin dyert, kalonin duke vallëzuar apo duke ecur si këmbësore nëpërmjet qosheve të dyerve të mëdha. Nuk ju besoje syve kur shikoje përpjekjet që bënin. Kur lindnin të vegjlit, s’kishte më pengesë për to. Gjallërohej jeta, futeshin tek foletë e vjetra dhe vazhdonin jetën si përpara edhe në ndërtesën e rinovuar. Nëse dikush tentonte t’ju afrohej foleve, dallëndyshet do të suleshin me gjithë forcën e tyre në fluturim. Kur binte ndonjë dallëndyshe nga foleja, atëhere shikoje shqetësimin e tyre për tu vënë në mbrojtje të posalindurit, ashtu siç bën Jola në historite e ndodhitë e saj të shumta në mbrojtje të shpendëve.

Pak vite më parë, të dëshpëruar nga përpjekjet e dështuara dhe nga gjëndja e ndërtesës së rinovuar, u kërkua ndihmë nga shefi rajonal i shpendëve. Dallëndyshet janë nën mbrojtjen tonë konkludoi specialisti kanadez mbas inspektimit. Ato janë zogj shumë inteligjentë e të dobishëm dhe po rrallohen tek ne. Nuk mund të përdorni format e aplikuara tek fqinji ynë i jugut, tha ai. Popullata e dallëndysheve gjatë verës këtu tek ne është e qëndrueshme, megjithatë shkatërrimi i mjediseve të tyre dhe i ndryshimeve natyrore mund të bëjë që dallëndyshet të zhduken një ditë nga kjo zonë. Ato gjithnjë do të këmbëngulin për tu kthyer tek foleza e vjetër, është shtëpia e tyre, përfundoi ai. Që nga ajo ditë dallëndyshet vazhduan ciklin dhe popullimin në ndërtesën e rinovuar, duke mbushur hapesirën me cicërimat e tyre të gëzuara. U zbatua ligji i vëndit, megjithse kompania është amerikane. Ndërkohë më kujtohet një ndodhi në New England të fqinjit jugor, kur pronari vendosi të prishi njerën nga fermat që kishte popullimin më të madh të dallëndysheve në atë shtet. Ligji mbron pronarin atje, pavarsisht përpjekjeve që bëjnë shoqatat në mbrojtje të shpendëve.

Të kënaqet syri kur shikon ndryshimet e panumurta në Tiranë, por dallëndyshet mungojnë pasi janë larguar nga qyteti. Eshtë e vështirë të gjesh folezën e vjetër, mjedisi ndryshon vazhdimisht dhe kur kthehesh mbas disa kohësh, nuk orientohesh dot më, ashtu si edhe dallëndyshet. Trishtohesh kur shikon ndërtesa të veçanta me identitet kombëtar që janë prishur apo kanë mbetur gjysmë të shkatëruara nga e kaluara, sic janë Teatri, Komiteti, Stadiumi Kombëtar, apo shumë ndërtesa historike, Klubi i Gjuetisë në Lezhë me atë histori aq të njohur e të panjohur, Kampi në Dajt aq i vjetëruar, i braktisur, që fsheh aq shumë kujtime nga e kaluara. Trashëgimia jonë aq e pasur nga lashtësia, u dëmtua rëndë gjatë pushtimit turk, që nuk i la në këmbë edhe kështjellat tona, por u pasua më tej me një arkitekturë futuristike historike italiane përpara luftës së dytë botërore, trashëgimi që u dëmtua rëndë gjatë diktaturave, siç shprehet Marsoni. Kalon rrugëve të Budapestit dhe orientohesh shpejt me gjithë ndryshimet e emrave të rrugëve, pasi në të njetën tabelë ruhet edhe emri i dikurshëm, i vjetër, me një vizë sipër. Shtangesh në Havana kur megjithë periudhat e varfërisë ekstreme që kaloi vendi, si në 90’ kur nuk mbeti këmbë qenushi nëpër rrugët e Kubës, qeveria megjithse komuniste, kushtoi kujdesin e duhur për ruajtjen e arkitekturës së trashëguar spanjolle, angleze, amerikane apo vëndase, si pjesë e identitetit kombëtar. Sot në disa nga ato ndërtesa të vjetra, si klubi i Hemingueit, një ndërtesë mëse normale, e vjetër, e cila nuk u ndërtua aq bukur sa Teatri ynë Kombëtar nga arkitekti Giulio Berte, mbeten përhera plot me njerëz, dhe Kuba “importon” turistë të panumurt.

Ndërtimet e shumta me apo pa urbanistike në vendin tonë, kanë influencuar shumë në zhdukjen e vendbanimeve të dallëndysheve. Një zonjë shprehet se jua prishi folenë pasi bënin shumë pis dhe pasi e leu shtëpinë, dallëndyshet nuk u kthyen më. Ajo është shqetësuar sepse dallëndyshja e zogjtë sjellin mbarësi, dhe nuk do tjua prishi më folenë nëse do të ktheheshin një ditë. Pastrimi është i nevojshëm thonte nëna ime dhe e lyente gjithnjë ballkonin me gëlqeren e bardhë për ta mbajtur të pastër e për ta dizifektuar, por asnjëherë nuk jua prishi folenë. Në mendje më mbetet dora e saj e ngritur tek ballkoni duke na përshëndetur kur largoheshim, ndërsa dallëndyshet hynin e dilnin në folenë e tyre në atë ballkon.

Dallëndyshet jane të dobishme në ekosistemin tonë pasi duke qënë fluturuese të shkëlqyera kapin insektet që në fluturim. Duket sikur në Shqipëri veprimet kryhen në baza individuale, ndoshta mungon apo nuk zbatohen vendimet në mbrojtjen e shpendëve apo ligji i tyre. Dallëndyshet nuk kthehen po nuk e gjetën folezën e vjetër. Po ku janë atëhere, ku kanë shkuar? Foletë e dallëndysheve tani mund t’i gjesh kilometra larg qendrës së zhurmshme, në terrene të hapura pranë ujrave, fermave të banueshme si dhe ndërtesave ku ato kanë mundësi të hyjnë lirisht nëpërmjet një dere opo dritareje të hapur dhe ku kanë ndërtuar foletë e tyre të reja. E nderkohë të vjen ndërmend motivi i këngës së Eduard Jubanit “Do të kthehen dallëndyshet bashkë me pranverën..”.

Epilog

Ekosistemi ynë vepron si një bashkësi e organizmave të gjalla, në lidhje me përbërësit jo të gjallë të mjedisit. Njeriu ka bërë gabime kur ka dëmtuar natyrën, kur ka prishur vendbanimet e shpendëve, pa imagjinuar pasojat. Banorët e hershëm të shumë guvave, lakuriqët e natës, që njihen si insektengrënës ashtu si dhe dallëndyshet, dhe që kryejnë funksione jetësore ekologjike në pjalmimin e luleve apo në shpërndarjen e farave u shpërngulën nga disa vënde të Wuhanit apo të provincave të tjera të jugut të Kinës, apo të botës. Lulëzuan tregjet e njoma, ku kafazet stoqe me kate në tregun e këtyre kafshëve të gjalla, krijuan ndotje, infeksione e kombinime virusesh midis shpendëve e kafshëve, siç ndodhi me lakuriqin e natës e ndoshta pangolinit.. Të gjitha këto ndryshime ekosistemi bënë që viruset, që ndodhen në kufirin midis së gjallës dhe jo të gjallës, ashtu si dhe bakteriet, të ndryshojnë gjithashtu sëbashku me ne. Viruset papritmas shpërthyen nga zona e tyre endemike dhe filluan të përhapen në të gjithë planetin, siç po ndodh.

Shi Zhengli, e quajtura “Bat Woman”, nëndrejtoresha e Insitutit te virologjisë të Wuhanit, paralajmëron që koronavirusi është vetëm maja e ajsbergut, duhet të studjojmë në bashkëpunim botëror viruset që sjellin kafshët e egra në natyrë për të luftuar epidemitë, thotë ajo. Instituti ka tre viruse të gjalla të lakuriqëve të natës, por që ndryshojnë nga SARS i vitit 2003 dhe që nuk përputhen me atë virus që po shkakton kaos në të gjithë botën sot, i cili është bërë më i veshtirë nga transmetimi nëpërmjet ajrit dhe periudha shumë e gjatë e inkubacionit. Viruset ndryshojnë shpejt, veçanërisht në kombinime me kafshë të tjera, e kjo e bën më të vështirë studimin e strukturave të tyre. Bota trëmbet e diskuton ekzistencën kur mungojnë vaksinat e ilaçet kuruese. Nuk mund të presësh favorizime nga natyra, kur nuk e mbron atë. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë, kur egoizmi nuk njeh më kufi…

https://javanews.al/meditim-ne-pranveren-e-pandemise/?fbclid=IwAR0AESjufW_ssVLZNN7Ny2hTK5YrYM61qkYQUiuuCKW4qTa9z-XU7a4F0aQ

Please follow and like us: