Kujtim Mateli: Çfarë ndodh në tempujt e Shqipërisë?
Bardhyl Londo, poezitë e të cilit blerojnë në një nga majat e letërsisë shqiptare, i ka kaluar prej kohësh kufijtë e vendit tonë dhe na përfaqëson denjësisht edhe në letërsinë botërore, kurse me librin e ri “Tempulli brenda dhe jashtë” na tregon edhe një anë tjetër të qëndrimit të tij si qytetar i këtij vendi që lufton me të gjithë energjinë, që vendi ynë të bëhet pjesë e rëndësishme e bashkësisë evropiane duke çuar atje vlerat e çmuara të kulturës sonë. Në rrjedhë të historisë janë zhdukur popuj dhe gjuhë, por kultura që ata krijuan ruhet ende, se ajo u ruajt në tempujt që ata krijuan. Ndaj dhe rëndësia e ruajtjes së Tempullit është detyrë parësore e vetë krijuesve të tij, por edhe e institucioneve përkatëse që janë të ngarkuara me këtë detyrë.
“Nuk ka fjalë apo objekt më të saktë me të cilën të indentifikohet më mirë dhe në mënyrë më sublime lashtësia, historia, e shkuara, por edhe e ardhmja e një populli, e një kombi, e një vendi, e një fisi se sa fjala tempull. Janë të lumtur dhe të bekuar ato vende dhe ata popuj që janë të populluar nga tempujt”. (Bardhyl Londo, ‘Tempulli brenda dhe jashtë’, fq. 5)
***
Libri është i ndarë në pesë kapituj, në të cilin na përshkruhet gjendja e tempullit shqiptar në këto vite demokraci, por me një vështrim edhe në të kaluarën, për figura të shquara që janë dhe do të mbeten krijuesit e vërtetë të Tempullit Shqiptar. Londo është i fokusuar në atë që nuk shkon mirë në tempujt tanë, duke e ngritur fuqishëm zërin e tij për disa fenomene negative. Me këtë libër, na shfaqet poeti që jo vetëm vuri disa dhurata brilante në tempullin që quhet letërsi, por na mësoi se si duhet ta ruajmë atë. Se tempujt nuk shemben vetëm nga jashtë siç ndodhi me tempullin e Dodonës në kohët antike, por mund të shemben edhe nga erozioni që mund t`u shkaktojmë ne vetë mureve të tyre, nëse nuk i mbajmë dhe mirëmbajmë mirë. Pra, që tempulli të krijohet dhe të ekzistojë, ka nevojë për dy anë të rëndësishme. Ata që e krijojnë dhe e pasurojnë atë dhe ata që e mirëmbajnë. Pikërisht, për këta të dytët, për këta që e mirëmbajnë atë, por edhe për disa krijues që hyjnë në tempull pa kurrfarë kujdesi, ngre fuqishëm zërin poeti dhe shoqëria shqiptare e ndien se vendi ka nevojë për zëra të tillë që e thonë në kohë fjalën e tyre.
I
Poeti vëren me dhimbje se ka thinja në tempull. Këto thinja shkatohen nga dhuratat pa vlerë që disa autorë mundohen të vendosin aty. Marrim si shembull monumentet që tregojnë historinë e popullit tonë. Ata që i ideuan ato nuk vendosën në qendrën e qyteteve apo zonave të banuara atë që është përfaqësues për atë komunitet. “Në qytetet shqiptare mund të gjesh gjithfarë buste e monumente komitësh (nganjëherë me vlera historike tepër të diskutueshme) mund të gjesh gjithfarë lloj monumentesh pompoze të titulluar në mënyrë enigmatike “Partizani apo ushtari i panjohur” (modeli sovjetik), por vështirë se mund të gjesh një bust, jo më një monument, të njërit prej maleve më të larta të historisë sonë kombëtare, Abdyl Frashërit. Pse? Për shkak të të birit, kur vetë Mit`had Frashëri meriton të paktën një bust në vendin ku ka qenë libraria e tij e famshme”. (fq.16)
Po autori vëren se nuk është vetëm kjo figurë madhështore që nuk përfaqësohet si duhet në vendin e vet. Edhe mjaft të tjerë kanë pësuar fatin e tij.
“Ku janë bustet dhe monumentet e Fishtës, Konicës, Koliqit, Camajt? Ku janë të gjitha ato figura të pastra e të mëdha të intelektualëve nacionalistë që u dëbuan me heshtje e përçmim vetëm se e donin Shqipërinë, por nuk pranonin komunizmin”. (fq.16) Shënim. Citimet janë marrë nga artikulli “Vjedhësit dhe antetatorët e historisë”, shtator 1999.
Poeti kërkon që kultura të çlirohet nga prangat e centralizimit dhe censurës shtetërore. Dhe nëse janë bërë disa hapa përpara në këto vite të demokracisë, kjo është e pamjaftueshme kur sheh se disa gjëra nuk janë bërë si duhet. Për këtë kërkohet një pjesëmarrje e gjerë e elitës intelektuale, sepse, pa pjesëmarrjen e saj, çdo reformë do të ishte e kërcënuar të dështonte apo nuk do të ishte e efektshme, madje edhe e dëmshme në vend që të ishte e dobishme. “Kjo do të thotë që politikat kulturore dhe stragjeia e saj nuk mund të jetë pronë vetëm e një kolektivi administrativ, në rastin tonë të Ministrisë së Kulturës apo e atyre institucioneve qendrore të cilat ende vazhdojnë të ekzistojnë”. (fq. 23)
Në libër gjejnë pasqyrim shqetësimet e autorit për Teatrin Kombëtar. Ai thotë: “..ai është një nga shenjat dalluese të një kombi. Franca dhe Italia, dy vende që i kanë dhënë aq shumë artit botëror, por edhe përvojës së organizimit në këtë fushë, kanë disa nivele teatrosh, siç janë ato kombëtare, të komedisë, të bashkisë dhe të tjerë”. (fq. 50)
Autori shtron nevojën e njësimit kulturor të popullit tonë. Në vitet që kapërcyem, për shkak të bindjeve ideologjike të Shqipërisë proletare, kultura që krijonin trevat shqiptare jashtë këtyre kufijve shtetërorë nuk ishte e përshtatshme për t’u bërë pjesë e kulturës sonë të përbashkët. Për botëkuptimin e ri marksist, ajo ishte me ndikime të huaja. Ky kufi i ri kulturor, përforcoi në mënyrë të dëmshme kufijtë që na u vunë pas 1912, duke bërë që shqiptarët që i ndante kjo vijë kufiri të mos e shihnin mirë njeri-tjetrin për shkak të bindjeve ideologjike.
Qysh më 1994 poeti ngre zërin me forcë për shembjen e këtyre kufijve që i kishin vënë mes tyre vetë shqiptarët: “Në kohën kur po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të realizuar integrimin evropian dhe atë botëror, shqiptarët ende nuk po e realizojnë integrimin e tyre shpirtëror”. (fq.61).
II
Bardhyl Londo është fokusuar tek dhembja e tempullit. Këtë dhembje e sheh tek korrupsioni shpirtëror apo mafia e institucioneve. Tempulli ndien dhembje ashtu si njerëzit, kur ai grryhet nga fenomene të tilla negative. Ai rëndon në shpirtrat e intelektualëve të vërtetë dhe të ndershëm. Krijonjësit e tempullit i besojnë shpirtit njerëzor, arsyes, punës së ndershme, por ja, që edhe ata jetojnë në një shoqëri të caktuar e cila nuk bën përjashtim edhe për këta njerëz.
Po cilët janë ata që kërkojnë të nëpërkëmbin krijuesit e vërtetë të tempujve? “Të keqen më të madhe e përbën ‘skalioni’ i dytë i institucioneve kulturore-artistike dhe të atyre shkencore, ata që formojnë atë që quhet prapavijë dhe që janë thirrur në këto institucione për të kryer punë ndihmëse. Të privuar nga talentet e tjera, disa prej tyre e kanë me tepri talentin për të përhapur opinione të paqena e intriga të sëmura për njerëz që kanë emër në publik”. (fq. 85-86).
E keqja vazhdon edhe sot, kur këta njerëz për ndonjë shërbim të veçantë që kryejnë, i gjen në postin e drejtorit apo edhe më lart. Këta lloj njerëzish kanë depërtuar edhe në tempullin që quhet Akademi e Shkencave. Autori vëren se në përbërje të Akademisë së Shkencave nuk po ngjiten njerëzit që kanë dhënë kontributin e duhur. Në fusha të tilla si gjuhësia, vendi ynë ka pasur prej kohësh një nivel europian. “Është më mirë të ngjitim në majë të tempullit akademik shkencëtarë ku kemi me të vërtetë shkencë dhe jo nga ato fusha ku vetëm udhëheqja politike mendon se kemi shkencë dhe shkencëtarë ose, siç thuhet me humor, kemi shkencëtarë për kryetarë Akademie… është mirë që të paktën në fushën e shenjtë të shkencës të mos i përdhosim zgjedhjet si në atë të politikës dhe të mos i quajmë ato të pranueshme për momentin”. (fq. 90).
III
Tempulli ndodhet në gjendje të pikëlluar, kur atje ngjiten e zbresin jo krijuesit e vërtetë të tij. Në tempull hyjnë ata që kanë ngjyrën e partisë në pushtet. Për aq kohë sa tempulli do të vizitohet nga njerëz një ngjyrësh, ai është në pikëllim se i mungojnë krijuesit. Autori ndalet tek një figurë madhore e kombit tonë, tek figura e Fan Nolit, vepra e të cilit do të mbetet e pavdekshme për shqiptarët. Një nga fushat ku ai shkëlqeu, ishte dhe ajo e përkthimeve. Përkthimet e Nolit do të mbeten edhe për shumë kohë, modeli i një përkthyesi shqiptar. Një nga këto përkthime me vlerë janë edhe përkthimet kishtare të Nolit. Autori, qysh në vitin 1995, ngre fuqishëm zërin e tij kundër Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila kërkonte që të zëvendësoheshin përkthimet e Nolit dhe kritikon ashpër të gjitha ato veprime që nuk janë në përputhje me interesat e besimtarëve shqiptarë: “Po habitemi pa masë! Ne, të krishterët, prisnimin tjetër gjë nga Kisha aktuale në Shqipëri. Prisnimin që portreti i Nolit të varej në selinë e udhëheqjes së kësajkKishe, sepse Noli është themeluesi i saj”. (fq. 127). “Zor se mund ta besojë njeri që ky Komision ta dijë shqipen më mirë se Noli. Madje, ka të ngjarë, që ndonjë nga krerët kryesorë të Komisionit, të mos dijë fare shqip”. (fq. 128). Çdo shqiptar i përket, qoftë dhe formalisht, një komuniteti të caktuar fetar dhe të gjithë bashkë janë pjesë e atij komuniteti të madh që Pashko Vasa e formuloi: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Ndaj ndriçimi i këtyre problemeve kërkon medoemos mendimin e personaliteteve shqiptare. “Ndryshe, përse na duhen këto personalitete, vetëm që t`u paguajmë titujt shkencorë, t`u përkëdhelim sedrën dhe t`u këndojmë ninulla në gjumin e tyre letargjik”? (fq.128). Më tej autori kërkon me këmbëngulje që mjaft personaliteteve të artit dhe kulturës t`u jepet vendi dhe hapësira që meritojnë si: Sejfulla Malëshova, Faik Konica, Kin Dushi, Gjer Fishta e shumë të tjerë. Pa u dimensionuar mirë këto figura, tempulli do të vazhdojë të mbetet në pikëllimin e tij. “Botës shqiptare nuk i kanë munguar kurrë mendjet intelektuale, por i ka munguar vlerësimi i plotë për to, vlerësim që është zëvendësuar me idolatrinë për politikanët, të ashtuquajtur udhëheqës, ose për njerëzit e pushkës dhe ata që himnizojnë këta njerëz. Sot, më tepër se kurrë, ka ardhur koha të kultivojmë konceptin e himnizimit dhe vlerësimit të mendjes, të intelektit dhe të produktit që sjellin këto”. (fq. 158).
IV
Poeti ndalet gjatë hapësirave të tempullit. Pasi ka vërejtur disa dukuri negative që e dëmtojnë tempullin shqiptar, ai mrekullohet teksa shikon në hapësirat e këtij tempulli figura madhore të artit e letërsisë që me dimesionin e tyre janë të denjë për t’u rreshtuar përkrah artit e letërsisë evropiane dhe asaj botërore. Duke nisur me Naimin dhe Kadarenë, Dritëro Agollin e Pader Zef Pllumbin, Petro Markon e Betim Muçon, Esad Mekulin e Vath Koreshin, Zija Çelën e Teodor Kekon, mjeshtrin e shquar Laver Bariun për të vijuar me figura të tjera të letërsisë botërore që janë përkthyer mjeshtërisht në gjuhën shqipe si Bërnsi dhe Gëte, si dhe shumë vepra të tjera të shquara e autorë të tjerë bashkëkohës të cilët autori i ka njohur personalisht si Yehuda Amichai, fitues i “Kurorës së Artë” në Mbrëmjet Poetike të Strugës apo takimin me poetin e njohur rus Jevtushenko e biseda e tyre për Sollzhenicinin. Janë këto figura madhore që i japin tempullit dritë. Pa të tilla figura nuk do të ekzistonin as tempujt që janë pika frymëzimi dhe orientuese për njerëzimin. Në këto tempuj hyhet me vepra të arrira dhe këto krijime të suksesshme, janë pasaporta e tyre dhe e kombit që përfaqësojnë. “Në krijime të tilla talenti i tyre arrin në një shkallë të tillë koncetrimi dhe intesiteti shprehjeje, sa bëhet vetja e tyre e dytë. Dhe është e çuditëshme se në perla të tilla poetët e mëdhenj shfaqen jo vetëm të realizuar plotësisht, por mbi të gjitha, ata shfaqen edhe të tjetërsuar, në kuptimin që e kalojnë veten, mohojnë ose më saktë shpërthejnë kornizat e sistemit të tyre filozofik, kapërcejnë kufijtë kohorë duke sulmuar ardhmërinë, mohojnë kohën për t’u bërë profetët e së ardhmes, madje sfidojnë bashkëkohësinë për t’u bërë qytetarë të të gjitha kohrave” (fq.161).
V
Shqiptarët që banojnë në Maqedoni prej kohësh kishin ëndërruar që në tempullin e tyre të zinte vend kryeheroi i shqiptarëve, Skënderbeu. Ndaj qysh nga hyrja e tij në Qafë Thanë e deri në Shkup ai pritej nga të dy anët e rrugës nga mijëra shqiptarë me dëshirën që ai të ndalonte qoftë dhe për pak çaste në qytetin e tyre. Më në fund u vendos në një nga sheshet e Shkupit që do të mbajë emrin e tij. Ashtu si në të gjitha sheshet evropiane edhe në Shkup: “Skënderbeu do të kumtojë atë që ka kumtuar kudo:… Ai është përfaqësues dhe mbrojtës i qytetërimit, i vlerave dhe frymës evropiane, frymë që duhet të fryjë me ritme më të shpejta në Ballkan” (fq. 245). Autori është entuziast për ato çfarë pa në Kosovën e çliruar gjatë vizitës së tij të parë në tetor 1999. Nga mikpritja e përzemërt apo nga bindja e tij e thellë, ai mendon edhe pse Kosova është në hapat e parë të lirisë së saj, shumë gjëra duhet t’i ndërtojmë që t’na bashkojnë sa më shumë me njeri-tjetrin. “Në rast se tani për tani nuk kemi një administratë të përbashkët, shumë gjëra të tjera mund dhe duhet t`i kemi të përbashkëta. Njësimi i tregut, bie fjala, do të ishte gjë e mrekullueshme po të realizohej. Ky njësim do të na lehtësonte në të ardhmen shumë bashkime e njësime më të vështira” (fq. 258). Po shqiptarët kudo që ndodhen, e kanë realizuar një pikë të njësimit të tyre: ky është tempulli i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Ky është tempulli i ëndërruar, që ashtu si në legjenda, mundoheshim ta ngrinim, por përsëri na rrëzohej. Dhe ja tani: nëse pak kohë më parë ishte një ëndërr, tashmë nuk është më tempulli i ëndërruar, është bërë realitet. Çdo mendje e ndritur shqiptare, e cilësdo periudhe qoftë dhe në cilindo kontinent të ketë banuar, ai tashmë ka kapërcyer dyert e Tempullit dhe ndodhet brenda hapësirës së tij të shenjtë, është pjesë e shpirtit dhe e zemrës së çdo shqiptari. Vlerat e qytetërimit të një populli maten me mendjet e ndritura që i kanë ndriçuar popujt përmes errësirës së shekujve drejt progresit dhe lirisë. Shqipëria këto vlera të larta duhet t`i ruaj dhe t`i ekspozojë vazhdimisht përpara qytetërimit evropian dhe atij botëror. Janë vlerat që ka krijuar shpirti dhe mendja e një populli që kurrë nuk ka menduar për ekspasione, përkundrazi, shpirti i tij fisnik u ka bërë vend të tjerëve brenda hapësirave ku ka jetuar vetë.
Përfundim
U shpalosen gjatë këtij shkrimi shqetësimet e poetit Bardhyl Londo për disa dukuri negative që kanë ndodhur dhe vazhdojnë edhe sot të ndodhin në Tempujt Shqiptarë. Poeti prej kohësh është pjesë e këtyre mjediseve duke i dhënë atyre hijeshi dhe freski. Me kaq sa ka bërë, kushdo do të ndihej mirë dhe do të mendonte se e kishte përmbushur detyrën e vet si artist dhe qytetar i këtij vendi. Kështu kanë vepruar shumë të tjerë. U janë larguar përballjeve. Në këto veprime janë ndier mirë dhe të pa shqetësuar. Bile dhe janë lavdëruar nga krahët e politikës që duan t`i marrin ndënë sqetull për të rritur shtatin e tyre. Po krijuesit e vërtetë nuk kanë rënë kurrë në kurthe të tilla. Nëse u është dhënë rasti të kontribojnë në njërin krah të politikës, kjo nuk është dobësi e tyre, kjo është vlerë për aq kohë sa puna e tyre i shërben tempullit të shenjtë, i shërben gjithë atdheut. Sapo njëri krah i politikës kërkon hegjemoninë, të bëhet edhe Zot i Tempullit, krijuesi i vërtetë rebelohet, pavarësisht nga pozicioni ku ndodhet. Gjatë leximit të këtij libri do të shihni që 90 për qind e shkrimeve kapin periudhën 1990-2000. Në harkun e këtyre viteve qeverisja ka qenë e majtë dhe e djathtë. Po poeti Bardhyl Londo ka qenë i ashpër sa me njërin krah të politikës që ka qenë në qeverisje aq edhe me tjetrin, kur ka marrë qeverisjen. Kështu ka qenë ky poet edhe përtej këtij harku kohor, kur në fund të viteve 80-të, disa nga vjershat dhe poemat e tij shenjestronin pushtetin politik që tinëzisht kishte futur duart në Tempullin e Shqiptarëve. Libri “Tempulli brenda dhe jashtë”, është një vlerë e re që u shtohet veprave me vlerë. Disa prej problemeve të ngritura janë kapërcyer duke marrë dhe zgjidhje, disa vazhdojnë si më parë.
Dhe konkretisht:
-Tempulli që quhet Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e ka ndalur rrudhjen e tij. Shkaqet janë në radhë të parë brenda vetes së tij, por dhe së jashtmi.
-Tempulli i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka mbetur pa shtëpinë e tij. Shteti u katandis deri në atë shkallë saqë ua mori selinë ku mblidheshin krijuesit, jo vetëm të Tiranës, por dhe të krejt Shqipërisë.
-Tempulli fetar që quhet Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon akoma të mos e ketë portretin e Nolit, themeluesit të saj, në mjediset e kësaj kishe.
Koha mund t’i kapërcejë të gjitha këto probleme, nëse të gjithë ne e marrim guximin e poetit Bardhyl Londo për t’u ndeshur me cilindo që cënon vlerat e shqiptarëve, të gatshëm të sakrifikojmë edhe veten për t’u përballuar me ata që, nga pakujdesia apo tinëzisht, kërkojnë nëpërmjet erozionit të shkatërrojnë muret e shenjta të Tempujve të Shqipërisë.
Tetor 2010.