Cikël poetik nga Katjusha Pogaçi
ÇDO GRUA ËSHTË NJË KËSHTJELLË
Çdo grua është një kështjellë
Në kuptimin e thellë të fjalës,
Me shtatin në luftë e në erë
Dhe me bedenat te balli.
Kështjellë që mund ta forcosh
Po dite ta mbrosh nga sulmet,
Kështjellë që mund ta rrënosh
Një nga një po i hoqe gurët.
Çdo grua është një kështjellë
Kur fillon jetën me shpirt,
Po luftërat ia rrallojnë bedenat
I ftohin nurin e brishtë.
Në rastin më të mirë mbahet
Kështjella si zonjë e rëndë,
Ndryshe gurë-gurë rrëzohet
E s’ngrihet dot më në këmbë.
Çdo grua është një kështjellë
Ndërtuar nga fëmija i saj,
Kush nuk e vlen është pa vlerë,
Kush nuk e çmon nuk e ka.
Kështjellën që është nënë e grua
Ruajeni se është monument,
Po ra vështirë të ngrihet
Vështirë të lërë amanet.
E hënë, 6 shtator 2010
(Nga Cikli “ÇDO GRUA ËSHTË NJË KËSHTJELLË”)
NJERËZVE PUNËTORË, KUDO NË BOTË
E shkruar në Itali, më 11 janar 2013
Atyre që punojnë tokën
Kudo që ndodhen nëpër botë,
Prodhojnë perimet, frutat, bukën
Faleminderit jetë e mot.
Të tjetrë lëvizin mbushin tregjet
Kur gjindja fle në qetësi,
Në ajër, tokë a nëpër dete
Në diell, zheg, mjegull, stuhi.
Atyre që ngrenë lart godina
Për çdo njeri bëjnë fole,
Me mendje, krahë, apo me libra
Faleminderit gjer në re.
Ata që endin bukurinë
Në shpirt, në veshje a në arte,
Faleminderit në çdo rimë
Për këtë nur që bie paqe.
Ata që shpojnë nëntokën thellë
Për naftë, thesar, a mineral,
Faleminderit nga çdo zemër
Për ngrohtësinë që vatra fal.
Ata që mbarështrojnë kopetë
Janë komandantë, jo thjesht bari,
Se i pret lufta në çdo kthesë
Me borë, e mal e lukuni.
Ata që çajnë rrugë pafrikë
Në ujë në tokë në kaltërsi.
E bëjnë botën sa një gogël
Bashkojnë me mall e dashuri.
Kushdo me krahë apo me mendje
Lëvizin, shtyjnë botën përpara,
Faleminderit thellë nga zemra
Për zgjidhjet, shpikjet e papara.
Të gjitha bëhen për të gjithë
Janë si zinxhiri të pandara…
Por… Këputet hallka në një pikë
Te bashkërendimi e shpërndarja.
Të gjitha duhen për të gjithë
Zinxhiri i jetës i paprerë,
Por kur këputet në një pikë
Një erë e marrë troket në derë…
BARIU I VOGËL
Bariu i vogël vrapon si kec
Me kecat flet si shok,
Në maja e skërka nëpër gjeth
S’vrapon por fluturon.
Gjithë bota rrotull aq e madhe
Natyrë tej e përtej,
Ai çunak i vogël fare
Kërkon rrugën në jetë.
Në se shumë gjëra s’i mëson
Nuk di, besomë, ç’të them
Mëso së paku të kërcesh
Si dhitë në çdo shteg.
Sepse ka gjëra që rrinë fshehtë
Kjo kohë s’i jep për ty,
Mëso së paku të kërcesh
Si dhitë me shpejtësi.
Mëso të mbahesh në rrëpira
E kurrë të mos biesh
Ashtu siç bëjnë dhe ata keca
Mëso, gjithnjë të ngjitesh.
Cepo, Gjirokastër,
E hënë, 9 prill 2012.