Doktrinarët serbë për spastrimin etnik të shqiptarëve
“Naçertanija” e Ilia Grashaninit, ministër dhe ideolog
Ilia Grashanini ishte funksionar i Strukturave të Brendshme të Serbisë dhe përgatiti dokumentin sekret “Naçertanie” (1844) që përkthehet Projekti, ku serbët konsideroheshin pasardhës të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355), e cila u thërmua nga Perandoria Osmane. Në projekt synohej që serbët të ishin udhëheqës të sllavëve të Jugut dhe brenda territorit të saj të përfshiheshin edhe ato shqiptare, boshnjake, kroate, maqedonase e malazeze. Për të gjitha këto popullsi ato kishin justifikimin e tyre: boshnjakët janë serbë të fesë islame, malazeztë janë serbë nga gjuha dhe nga feja, maqedonasit janë Serbi Jugore, kroatët janë serbë të fesë katolike dhe shqiptarët janë popullsi turke në Ballkan. “Naçertania” u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese.
Vaso Çubriloviç: “Dëbimi i shqiptarëve” (1937)
Politikën e “Naçertanies” e çoi më tej Vasa Çubriloviçi (1897-1990). Në memorandumin e tij “Dëbimi i shqiptarëve”, që hartoi për qeverinë e Stojadinoviçit, ai propozoi metodat dhe mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”. Doktrina flet në mënyrë të detajuar për shpopullimin e Kosovës, ndërsa në preambulën e saj shkruhet “Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit… Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”.
Ivo Andriç: Spastrimi i shqiptarëve
Nobelisti i letërsisë dhe diplomati i njohur ka përgatitur një dokument që e botoi në Beograd, më 30 janar 1939
Ndarja e Shqipërisë
Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë… Ndarja e Shqipërisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.
Kompensimet tona
Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.
Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200 000 deri 300 000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj.
Dobrica Çosiç: Shqiptarët, barrë për Ballkanin
Shkrimtari i njohur serb Dobrica Çosiç konsiderohet si ‘babai’ i popullit serb dhe si një nga mbështetësit e politikës së Rankoviçit, ministrit të brendshëm famëkeq në kohën e Titos. Si akademik dhe shkrimtar ka qenë një nga njerëzit që ka hartuar shpesh ide kombëtare dhe ka pasur polemika me shumë njerëz. Çosiç i ka quajtur shqiptarët si barrë barbare e Ballkanit, është pajtuar me idetë për Serbinë e madhe dhe ka folur se si pjesë të Kroacisë e Bosnjës duhet t’i kthehen Serbisë.
Sllobodan Millosheviçi: Spastrimi përfundimtar
Lëvizja për pavarësinë e Kosovës mori përmasa të gjera në mesin e viteve ’80, por serbët ishin kundër autonomisë dhe më 1987 Sllobodan Millosheviç u zgjodh udhëheqës i Partisë Komuniste me premtimin për rikthimin e sundimit Serb në Kosovë. Më 1989 Millosheviçi u bë Presidenti i Serbisë dhe menjëherë ndërhyri në Kosovë, duke e ulur fare autonominë më 1990, nëpërmjet dërgimit të trupave ushtarake që rrëzuan qeverinë kosovare. Synimi për të zgjeruar shtetin serb dhe ndërmarrja e disa luftrave çoi në shkatërrimin përfundimtar të Federatës Jugosllave më 1991-1992, kurse Kosova pak vite më parë do të shpallte shtetin e saj. Millosheviçi përfundoi në Gjykatën e Hagës dhe vdiq pa iu mbyllur procesi i krimeve ndaj njerëzimit, që i rëndonte mbi supe. Ai bëri një shpërngulje gati biblike të shqiptarëve në fund të viteve ’90 nga më famëkëqet e shekullit të shkuar.