Albspirit

Media/News/Publishing

Beteja tre ditore/Martirizimi i 20 pjestarëve të familjes së Adem Jasharit, mes tyre 10 fëmijë

Image may contain: one or more people, meme and text

 

Rrëfimi i Besarta Jasharit

Më 5 mars 1999 fillon Beteja e Jasharëve. Që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe rrethuan Prekazin dhe familjen Jashari. Një pikë zjarri, e vendosur në fabrikën e municioneve u përforcua me mjete të rënda artilerie. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Natën ndërmjet 4-5 marsit 1998, Prekazi dhe familja Jashari rrethohen nga forca të shumta ushtarake e policore serbe. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit duke u goditur nga disa pozicione: Fabrika e Municionit, kodrat e Skënderajt, Lisat e Xanit dhe pozicione të tjera. E menjëhershme ishte edhe kundërpërgjigja e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Sipas rrëfimit të Besarta Jasharit, “ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. Atë ditë, u vra vetëm Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim. Tërë dita shkoi me gjuajtje të fuqishme të forcave serbe, ndërsa në mbrëmje të shtënat u qetësuan. Në mbrëmje, Adem Jashari së bashku me djemtë, Blerimi, Kushtrimi dhe Igaballi i mbushnin karikatorët dhe bëheshin gati për luftën e ditës tjetër. Ata e vëzhgonin dhe e përcillnin me kujdes situatën”. Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, më 6 mars 1998, luftimet sipas rrëfimit të Besartës filluan kështu: “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat. Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra podrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar atë. Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes sonë. Nga kjo granatë vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Adem, që luftonin nga një pozicion në tjetrin”. Në ditën e tretë të sulmit, me 7 mars 1998, nga Besarta përshkruhen edhe momentet e fundit dhe kryesore për luftimet në shtëpinë e Jasharajve, “Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së bodrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekja për të na mbrojtur. Të gjallë ishim edhe vetëm unë dhe Kushtrimi. E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi, ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra. Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13 vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që i kishim. Në ballafaqim me ta, Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatikë në dorë. Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, shkova te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s’përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite”. Në këtë betejë forcat serbe, bashkë me Adem Jasharin, vranë 20 anëtarë të familjes, 10 prej të cilëve fëmijë.

Please follow and like us: