Albspirit

Media/News/Publishing

SHQIPËRIA, LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT, PAVARËSIA E KOSOVËS, GRINDJET NDËRSHQIPTARE

Në këtë intervistë shkrimtari Ismail Kadare flet për situatën në të cilën po kalojnë shqiptarët, për problemet që po kalon Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe thellimit të reformave, për pavarësinë e Kosovës dhe grindjet ndërshqiptare.

Sapo jeni kthyer nga Shqipëria, ku keni qenë, veç të tjerash, në Panairin shqiptar të Librit. Në Panair u prezantuan dy vëllimet e para të Veprës suaj komplete. A mund të na thoni përshtypjen tuaj për gjendjen në Shqipëri dhe përshtypjen për këtë festë të librit?

Kadare: Mendoj se shumë shqiptarë përjetojnë shpesh një gjendje kundërthënëse kur vijnë në vend. Unë nuk bëj përjashtim. Shqipëria të gëzon, por edhe të pezmaton. Një ditë të ngre nervat, e tjetrën të prek me diçka. Një ditë thua, sa mirë që erdha, e tjetrën, ç’m’u desh që erdha. E pastaj prapë sa mirë, e kështu me radhë. S’kemi ç’bëjmë, ky është vendi ynë e, tani për tani, kështu do jetë. Shpresojmë megjithatë se diçka ndryshon për mirë. Por, me sa duket, në sfond të padurimit tonë të drejtë, për një përmirësim rrënjësor të gjërave, e mira nuk bije në sy. Shkurt, kjo e mirë që kryhet kaq ngadalë, pushon së qëni e tillë, ndaj nuk duhet të ngushëllohemi me të. Për Panairin e Librit m’u duk se interesimi për librin nuk ka rënë, siç thuhet me këmbëngulje. Por e pranoj se mund të jem subjektiv. Në disa orë që kam qenë atje, kam nënshkruar një sasi të madhe librash, disa qindra.
Janë të pashmangshme pyetjet për politikën, për gjendjen e saj. A ka ndryshim në mentalitetin e politikës shqiptare?

Kadare: Në zonën e opinionit publik e të vetë publikut ka një interesim të madh, një ambicje dhe agresivitet pozitiv lidhur me politikanët dhe politikën. Njerëzit janë të pakënaqur prej saj. Kërkojnë shumë më tepër. Ka një ndjesi të brendshme, të natyrshme, të shëndetshme, për thellimin e demokracisë. Një lloj paralajmërimi se, ç’është lejuar prej politikës, nuk do të lejohet më. Një pjesë e madhe e opinionit publik, një pjesë e njerëzve të thjeshtë, e intelektualëve, e analistëve, me një këmbëngulje të admirueshme janë vënë në mbrojtje të vlerave demokratike. Ata kanë shpallur se nuk do të bëjnë kompromis për këto vlera, se do t’i mbrojnë ato me çdo kusht, dhe kjo është për t’u përshëndetur. Ka një kërkesë për moralitet në të gjitha fushat e jetës. Shpresa e një pjese të politikës , pjesës më të ndotur të saj, dhe bashkë me të, shpresa e pjesës më të ndotur të shoqërisë, se Shqipëria do të mësohet me mungesën e moralit dhe do ta shpallë atë si flamur të ri të saj, duhet të bjerë. Shqipëria duhet të vejë në gjunjë ndotjen e saj, ndryshe ajo nuk mund të ekzistojë. Shqipëria nuk mund të durojë imoralitetin si normë dhe korrupsionin si fatalitet. Kërkesat e larta të shoqërisë ndaj shtetit, që duhet t’i shërbejë asaj, ndaj institucioneve e ndaj mediave, janë shenja që ky popull kërkon shumë më tepër dinjitet. Dhe kur një popull e kërkon dinjitetin, ai do ta gjejë se s’bën. Shqiptarët e diasporës kanë interes të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë shqiptare.

Ju keni folur shpesh për të dhe kemi prapë dëshirë të dëgjojmë mendimin tuaj…

Kadare: Unë kam folur dhe kam acaruar jo pak njerëz. Por ky nuk është një argument se duhet të hiqem mënjanë e të mos them atë që mendoj. Ju e dini se kam qenë kritik për diplomacinë, diplomatët, dhe sidomos për ministrat e jashtëm të vendit. Ky nuk ka qenë asnjëherë një farë trilli, apo nga pozitat e njeriut që flet kaluar, por thjesht se, ashtu si juve, kam qenë pranë këtij problemi. Diplomacia shqiptare ka qenë përgjithësisht e dobët, qoftë e djathta apo e majta. Ambasadat tona, në një pjesë të madhe janë gjysëm të shkreta. Telefoni ngrihet rrallë në to, sikur Shqipëria të ketë rënë në gjumë. Disa kryeqytete kryesore të botës, si p.sh. Parisi, një vit mbeti pa ambasador. Kjo ka qenë një turp për Shqipërinë. Dhe kjo ndodhte në kohën më të ethshme të diplomacisë europiane e botërore për Ballkanin dhe Kosovën. Përdora fjalën “turp”, si më të lehtën në këtë rast. Por mund të jetë diçka më e errët. Një pjesë e ministrave të jashtëm kanë qenë të paaftë, vanitozë e disa herë, me vese të palejueshme, sidomos për këto poste. Të gjitha këto kanë rënduar mbi shpinën e Shqipërisë. Shpresojmë se përpjekjet e ministrit të Jashtëm të tanishëm, për të përmirësuar gjendjen do të gjejnë mirëkuptim.

Të gjithë i kemi sytë dhe veshët tek çështja e Kosovës. Ç’shikoni ju në horizont?

Kadare: Kosova është e lirë në thelb. Është fjala për gjetjen e kostumit të saj politik, shtetëror, institucional, i cili nuk duhet të bjerë ndesh me lirinë, por t’i përshtatet asaj. Kjo është e detyrueshme dhe këtë nuk ka asnjë forcë ta pengojë. Liria e Kosovës mbrohet nga vullneti i popullit të Kosovës. Por ajo mbrohet gjithashtu nga qytetërimi i sotëm botëror, nga pjesa më e përparuar e tij. Ajo mbrohet nga bota perëndimore dhe aleanca atlantike. Shkurt, ajo mbrohet nga moraliteti i njerëzimit. Duhet shkelur me këmbë mbi të gjitha këto, për të shkelur mbi Kosovën. Ka forca që nuk e duan lirinë e Kosovës. Që do të përpiqen ta pengojnë. Kjo nuk është e re. Çdo liri ka një kundërforcë, që rreket ta pengojë. Por vendet që duan një gjë të tillë, kanë vetë ato probleme me lirinë. Dhe në vend të lehtësohen, duke hapur rrugë për lirinë e Kosovës, me veprimet e mbrapshta që bëjnë, rëndojnë në radhë të parë vetveten. A ka diçka që Kosova duhet ta kishte bërë më mirë? Natyrisht, gjithmonë, për gjithçka ka diçka që mund të bëhet më mirë. Por unë nuk i jap të drejtë vetes të gjykoj për këtë. Ndoshta do të thoshja veç për diçka, që profesioni im si shkrimtar, ma ka bërë më të kuptueshme: çështja e krimeve. Ne, shqiptarët, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, e kudo në botë, më shumë mund të kishim bërë për t’i njohur njerëzimit krimet e kryera në Kosovë. E kuptoj fare mirë se mund të ketë patur një kërkesë për këtë, një frenim, me gjasë për të mos nxitur urrejtje e konflikt. Ky është një komoditet të menduari, por unë kam bindjen se në thelb dhe me një afat të gjatë kjo nuk shërben për asgjë. Përkundrazi, bota duhet të çlirohet nga krimi, duke e dënuar atë. Serbia përfitoi nga kjo, për t’u shpallur vetë viktimë, ose së paku, të bëjë një simetri krimi. Me propagandën e saj të palodhur, ajo arriti të trullosë një pjesë të opinionit, kurse pala jonë ka qenë e fjetur. Në propagandën serbe, ndihmësit e saj kryesorë, le të kemi guximin ta themi, kanë qenë shpesh rimohuesit (renegatët) shqiptarë.

Lidhur me probleme të tilla, shpesh kombëtare, është vënë re se energjia shqiptare harxhohet më shumë me grindje të brendshme. Si e mendoni këtë problem?

Kadare: Për fat të keq, është sëmundje e vjetër e kombit tonë. Pa këtë sëmundje Shqipëria, Kosova, gjithë shqiptarët do të ishin tjetër gjë. Për fat të keq, kjo murtajë vazhdon. Shqiptarët vazhdojnë t’i nxjerrin sytë njeri-tjetrit. Natyrisht në çdo popull ka grindje , madje kacafytje të brendshme, por rrallë ka tjetër shembull, ku edhe në rastet ku është e qartë se grindja duhet të fashitet për hir të interesave të epërme, ajo vazhdon, si tek ne. Më lejoni të jap një shembull të thjeshtë nga përvoja ime. Statusi im i shkrimtarit më ka dhënë mundësinë që qysh prej 30 vitesh të ndërhyj në shtypin botëror me dhjetëra, për të mos thënë me qindra herë, për çështjen e Kosovës. Që janë përpjekur, natyrisht, të më pengojnë për këtë rrethet antishqiptare, kryesisht serbe, është e kuptueshme. Por që shqiptarë këmbëngulës, nga Shqipëria, Kosova e ndonjëherë nga diaspora, të kenë bërë këtë, ka qenë për mua e pakuptueshme. Fatkeqësisht ka qenë kështu, e fatkeqësisht vazhdon të jetë kështu. Meqenëse ju, ashtu si shumë shqiptarë të Nju Jorkut, keni qenë në një konferencë që kam dhënë një vit e ca më parë në Universitetin e Kolumbias, po ju kujtoj episodin, ku keni qenë i pranishëm, që na habiti të gjithëve. Tre shqiptarë, u ngritën kinse për të bërë pyetje, e në të vërtetë, u kuptua se donin të krijonin një farë çoroditje. Bënin sikur s’kuptonin anglisht, pastaj shqip, pastaj, ngaqë u trembën, si rrugëzgjidhje gjetën të hiqeshin si budallenj. Përshtypja tek publiku amerikan, i cili e mori vesh se ishin shqiptarë, ishte tejet e keqe. Në mbarim të takimit, disa shqiptarë m’u afruan për të më thënë se tre kinse budallenjtë s’ishin aspak ashtu, por ishin, sipas tyre, njerëz të dyshimtë. Ca i quanin spiunë të Sigurimit shqiptar, të tjerët, të atij serb. Ngaqë ka shumë abuzime me akuza të tilla, nuk i quajta serioze, me fjalë të tjera besova në versionin e budallallëkut. Nuk do ta përmendja kurrë këtë rast, në qoftë se kohë më pas, një miku im të mos më dërgonte një adresë interneti, ku gjendej shkrimi i njerit prej tre shqiptarëve, që u përpoqën të prishnin konferencën. Në atë shkrim ai shpjegonte ngjarjen, natyrisht me një mburrje për veten, që e vuri ‘në pozitë të vështirë’, sipas tij, shkrimtarin e vendit të vet. Ky njeri është një farë Nik Leshai, që kishte shpallur me krenari se kishte dhjetë vite që bënte këtë punë, domethënë shkruante kundër Kadaresë. Që shkruan kundër Kadaresë, natyrisht që hyn në të drejtat e tij, por që të marrë rrugën për Universitetin Kolumbia, me qëllim që të sabotojë një konferencë të I. Kadaresë, kjo është tjetër gjë. Ju e dini se konferenca e shkrimtarit shqiptar ishte shpallur disa muaj përpara dhe ajo bënte pjesë në një program special të Institutit Harrimman, sipas të cilit një herë në vit, një personalitet botëror, filozof, shkrimtar ose njeri i politikës mban një konferencë-debat përpara studentëve dhe profesorëve të Universitetit Kolumbia. Në vitet e mëparshme kishin folur, ndër të tjerë Dalai Lama, Presidenti Gorbaçov e kryeministri i Serbisë. E dini gjithashtu se Instituti ‘Harrimman’ është tepër i rëndësishëm, sidomos për rolin e veçantë që ka luajtur për rrëzimin e komunizmit. Takimet vjetore të tij e ruajnë këtë rëndësi. Siç e dini, në konferencën dhe bisedën që mbajta, ishin të pranishëm veç personaliteteve të kulturës, njerëz të politikës , si Richard Hollbrook etj. Një vit më parë, në të njejtën sallë kishte folur kryeministri i Serbisë. Tani do të dëgjohej një zë nga Shqipëria. Ju e dini se përpara takimit u hapën fjalë se do të ketë provokime serbe. Ju e dini se provokime serbe nuk pati, por provokime pati, megjithatë, nga ajo anë që nuk pritej, nga ana shqiptare. Një pyetje del, në këtë rast, për shqiptarin Nik Leshai: kur një vit më parë ai dëgjoi se Koshtunica i Serbisë do të mbante konferencën , ku dihej që do të fliste kundër Kosovës e shqiptarëve, i shkoi ndër mend të merrte rrugën e të nisej për në Universitetin, në mënyrë që, me ndërhyrjen e tij të sqaronte diçka për publikun amerikan? Natyrisht që shqiptarit Nik Leshai as që i shkoi ndër mend për një gjë të tillë, përderi sa nuk pati asnjë zell të shkonte. Kjo shpjegohet se meraku dhe mllefi i tij nuk ka qenë kundër Koshtunicës së Serbisë, por kundër Kadaresë së Shqipërisë. Serbët nuk patën nevojë të bënin provokime në Universitetin e Kolumbiasy sepse, në vend të tyre, i bëri tjetër kush. U zgjata për një ngjarje, ku kanë qenë të pranishëm shumë shqiptarë të Nju Jorkut, rrjedhimisht lexues të gazetës suaj, për të kuptuar se si funksionon sot një nga dukuritë, që rilindasit tanë i ka dëshpëruar aq shumë, e që, aq fort e dëshpëron ende kombin shqiptar: zelli i një pjese të shqiptarëve, për të punuar kundër vendit, kulturës e popullit të vet.

Meqë prekni çështjen shqiptare, ç’mund të thoni për gjendjen globale të shqiptarëve në Ballkan?

Kadare: Bota shqiptare në gadishull është sot më e pranishme se kurrë. Është i pranishëm, në radhë të parë, njeriu i lirë shqiptar e, bashkë me të kultura e tij, historia, arti dhe gjuha e tij. Kjo prani shqiptare, që sa vete plotësohet, nuk e ndërlikon, por e pasuron dhe e shëndosh gadishullin ballkanik. Kjo nuk është Shqipëria e Madhe, e kthyer prej disave në një fantazmë frikësuese. Kjo është thjesht Shqipëria. Shqipëria e njëmendtë, natyrale, ajo që prej kohësh duhej të ishte e që ende pengohet të jetë. Asnjë liri nuk bezdis lirinë e të tjerëve. Është mungesa e lirisë që sjell tragjeditë në botë. Është thënë edhe më parë se është fat i madh që prirja e shqiptarëve sot, rrugëtimi natyral shqiptar përkon me atë të qytetërimit europian e të aleancës atlantike.

Do të donit të jepni një mesazh për shqiptarët?

Kadare: Nuk parapëlqej dhënien e mesazheve, por, meqë ma kërkuat, do doja t’u thoshja që më shumë ta duan vetveten. Nuk është këshillë për egocentrizëm kombëtar. Përkundrazi. Fatkeqësitë e botës fillojnë nga mosdashja e vetvetes. Shikoni për shembull terrorizmin: nis nga mohimi i vetes, për të përfunduar te mohimi i të gjithëve. Dashja e kombit tënd është rruga më normale nëpërmjet së cilës kalon natyrshëm luajaliteti për kombet e tjerë, për kontinentin tonë europian dhe për gjithë familjen e popujve.

Intervistoi zëri,  Paris, 26 nëntor 2007.

Please follow and like us: