Presidenti Trump nderon nxënësin shqiptar, Dario Toska me medaljen e artë të ekselencës
Një tjetër fëmijë shqiptar shkëlqen në arritjet akademike dhe jo për herë të parë. Dario Toska, për të dytën herë brenda një cikli shkollor është nderuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me medaljen më të lartë për arritje akademike.
Dario u nderua me medaljen e artë të ekselencës, të programit “President’s Outstanding Education Award”. Kjo medalje jepet dy herë gjatë arsimit të ciklit 8-vjeçar për nxënësit e shkëlqyer, në përfundim të klasës së pestë dhe asaj të tetë.
Ai sapo përfundoi me rezultate të shkëlqyera klasën e 8- të të shkollës amerikane Garmisch Elementary/Middle School në Gjermani, pjesë e sistemit të shkollave amerikane në Europë.
Dario Toska, bashkë me prindërit e tij, provuan këto ditë një tjetër gëzim të veçantë. Që nga klasa e parë e deri me përfundimin e klasës së tetë, ai ka pasur vetëm rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur çdo vit si nxënësi më i mirë i shkollës. Edhe në vitin 2017, me mbarimin e klasës së pestë, Dario u vlerësua me këtë medalje. Presidenti Trump do t’i akordonte për të dytën herë medaljen e artë të ekselencës, një rast ky i rrallë. Dario është djali i Valbona Zenelit dhe Igli Toskës.