Silvana Begaj: Ky vend që ka Ferrin dhe Parajsën quhet Shqipëri
Ese
Do ju tregoj për një vend magjik! Vendi ku kanë jetuar zotat mitologjikë, vendi që natyra e mbajti me hatër, ia dha ta gjitha, vendi ku universi bëri lëshime.
Thuhet se ka qenë vend i zotave vërtet.
Ju do thoni ku është sot? Babi im më thoshte që ‘justifikimet janë për humbësat, por ai vend nuk është humbës, thjesht në provë’.
Në atë vend kanë ekzistuar vërtet zotat e botës. Për shembull, Skënderbeu… Legjendat thonë që shpata e tij trembi atë që pushtoi dhe Kostandinopojën dhe bëri një vend të vogël dinasti. Po kanë qenë dhe Isa Boletini dhe Ismail Qemali, Nënë Terza, Adem Jashari e shumë e shumë të tjerë. Ata i dhanë emër dhe lavdi këtij vendi. Thonë se luanët e këtij vendi luftuan ndaj çdo të keqe, armiqve, madje dhe ndaj universit dhe fituan dhe kundër forcave natyrore shpesh herë. S’kishte përmbytje e tërmet që ia prishte bukurinë atij vendi të zanave. Fantazi do thoni ju! Ëndërr them Unë!
Gjithmonë kam menduar që Ferri dhe Parajsa ekziston në tokë! Kështu jam unë! E çuditshme. Dhe di që nga mitologjia ky vend që ka Ferrin dhe Parajsën quhet Shqipëri. Rrethohet nga të gjitha anët nga vetja e saj. Kështu janë vendet e shenjta kur marrin mallkimin e zotave, iu vidhet historia dhe trojet.
Zotat na lanë! Tragjedi. Na lanë dhe lulet nuk çelën më kudo, bari u zverdh, drita u shua, hëna rrinte mendueshëm, yjet dilnin për të bërë sehir, qielli na shikonte me vranësi, shpesh vetëtimat tregonin tërbim dhe tërmetet ishin për të na rikujtuar sa të vegjël jemi. Kjo është të të braktisin zotat.
Zoti i Deteve u mërzit me ne dhe përpiu shumë qënie njerëzore nga 91 deri në 2000 e kusur.
Zoti i Qiejve nuk i linte as yjet, as hënën të dilte dhe të ndriçonte.
Zoti i Luftës kur e pa që s’kishim më armiq na vuri armiq me njeri-tjetrin. Aty u krijua politika dhe politikanët. Ky ishte mallkimi më i madh që iu bë vendit të magjive. Jo se dua të gjykoj vendimin e zotave. Kush jam unë? Nuk jam as Skënderbeu, as Ismail Qemali, as Isa Boletini, as Shote Galica, as Adem Jashari e as shumë e shumë si këta. Unë jam thjesht një rrëfyes historie. Pra kështu filluan të këqijat e këtij vendi që nga i magjishëm u kthye në vend të mallkuar. Por unë dua që ju të dini që ky vend është më i madh se sa duket, është nga Janina në Preshevë, Tetova në Gostivar, në Ulqin e Tivar, Malësi, Hot e Grudë, Ohri, Arta, Preveza e Pazari i Ri, Manastiri e Kumanova, Shkodra.
Nga një det në tjetrin det- Shqipëri.
Ky vend i magjishëm ka vende me shumë histori lavdie. Thonë se edhe Helena u dashurua në këtë tokë lavdie ku edhe Perëndesha e Dashurisë, vetë Afërdita e kishte bekuar. Edhe zogjtë po të flasin do kenë shumë për të treguar. Por ne jemi të mallkuarit e vendit të magjishëm. Prandaj shtegtuam. Duhej patjetër. Kush i del përballë tërbimit të zotave?
Ne larguam gjermanin, italianin, serbin, grekun dhe turqit e tmerrshëm, por me veten s’mund të luftonim. Është më e thjeshtë kur ke armiq. Me veten është luftë e vështirë, pothuaj mision i pamundur.
E kështu e shitën dhe atë pjesë që mbeti nga një Shqipëri natyrale duke e lënë një Shqipëri të vogël me popull shtegtar.
Thonë se shumë u përpoqën të zënë vendin e zotave. Por zotat nuk e shesin vendin, as nuk bëjnë kompromise për veten e tyre. Zotat janë në luftë. Në luftë për mirësinë, jo për karrige. Zotat na lanë… ndoshta na lanë për të na vënë në provë. Por ata që duan të zënë vendin e zotave janë shumë larg të qenit hyjnor. Zotat nuk synojnë ar dhe pasuri, zotat nuk duan territor dhe marrëveshje, zotat nuk duan karrige dhe filma.
Zotat duan qiellin, diellin, tokën, ajrin, detin, ujin, krijesat dhe mbi të gjitha ndershmërinë. Pa kompromise, pa tradhëti! Ndoshta zotat do duan përsëri të kthehen tek ne dhe të na japin shkëlqimin e dikurshëm hyjnor. Ndoshta ata presin një shenjë nga ne…