Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Daci: TREGOVISHTA E DIKURSHME SHQIPTARE – ROZHAJA (IV)

Ali DACI (@AliDACI4) | Twitter

Shkruan: Ali Daci

 

 

KOMANDANTI I FORCAVE I VULLNETARE SHQIPTARE MULLA JAKUP KOMBI

MULLA JAKUP KOMBI-të shpallët dëshmor i kombit

I pavdekshmi, Jakup Ahmet Kombi (Kardoviq), komandanti i Forcave Vullnetare Shqiptare në Tregovishtë ka mbet nën mëshirën e harresës historike. Mulla Jakup Kombi në historinë shqiptare do të rradhitet përkrah Aqif Blytës, Ahmet Dacit, Sak Fazlis, Mulla Zekë Bërdynës, Shaban Polluzhës, Adem Najë Kurtagiqit, Mehmet Gradicës, Bajram Gashit, Mustafa Krujës, Kurt Abazit, e shumë bashkëkombasve të tij të cilët Shqipërisë Etnike, atdheut ia falën gjë më të shtrenjët ,jetën. Pazari i Ri, Peja, Tutina, Sjenica, Tregovishta (Rozhaja), Tirana e Prishtina këtij burri i kanë shumë borxh. Institucionet shqiptare duhet që Jakup Kombin ta shpallin dëshmor të kombit. Këtë vepër humane e njerëzore duhet zyrtarisht ta dekretojë presidenti i Shqipërisë SHMT Zoti Ilir Meta. Vetëm kështu këtij burri dhe bashkëluftëtarëve të Tij u dilit hakut.

 

Mulla Jakup Kombi lindi në Tregovishtë në vitin 1869. Eshtë i biri i hoxhë Ahmetit. Mësimet e para i mori nga i ati dhe pastaj përfundoi Medresenë e Shkupit. Xhamia e Kuçi në çarshin e poshtme në Rozhajës është në tokën e Mulla Jakup Kombit, të cilën e kishte lëshuar i ati i tij Ahmeti për ngritjen e këtij objekti të kultit. Pas mbarimit të medresesë Jakup Kombi pajiset me njohur dhe kualitet me atdhetarizëm. Ai njihte shumë gjuhë orjentale si përsishten, arabishten, turqishten, por edhe gjermanishtën dhe italishten. Ky poliglot në shtëpinë e vet fliste me shoqen boshnjakisht, ndërsa me fëmijët fliste gjuhën amtare shqipe. Pasiqë ishte në lëvizje e sipër anë e kënd Shqipërisë, gjerësisht ishte i njohur me situatën politike të vendit. Ai njohu dhe e njohën shumë njerëz në territorin e Sanxhakut, Kosovës e Shqipërisë. Një kohë shërbeu si ushtar në ushtrinë turke në Beran deri në vitin 1912, kur tërhiqet ushtria turke dhe Jakupi iu kthehet punëve të përditshme në Tregovishtë. Pas luftrave ballkanike, Mali i Zi dhe Serbia okupuan trevat shqiptare, me këtë rast okupohet Sanxhaku dhe nën sundimin e malazezve bie Tregovishta. Qeveria okupuese malazeze i kishte vënë vehtes detyrë për shfarosjën e shqiptarëve nga këto treva. Këtë edhe e bëri gjatë sundimit të egër malazez. Pas kësaj tiranie me dhunë u shpërngul po thuaj gjysma e popullsisë për në Anadoll, ndërsa gjysma tjetër iu nënshtrua një gjenocidi të pa parë. Asimilimi i dhunshëm pothuajse trokiti në çdo vatër shqiptare. Për t’i dal në ndihmë atdheut, patriotët shqiptarë rrokën armët dhe u organizuan në grupe komitësh.
Tregovishta ishte në një presion të vazhdueshëm nga malazezët dhe Mulla Jakup Kombi u detyrua që më të shoqen dhe fëmijët të braktisë vendlindjen dhe të strehohet në qytetin e Pejës, ku jetoi dhe shërbeu si imam për tetë vite. Gjatë qendrimit në Kosovë ai njohu shumë patriotë dhe prijës të popullit shqiptar, siç ishin Isa Boletini, Hasan Prishtina e Bajram Curri. Në odat kosovare shqiptare njohu historinë dhe u kalit në patriotizmin dhe në shpirtin e tij zuri vend lufta për çlirimin kombëtar. U kalit në gëzimet dhe hidhërimet e popullit të Kosovës. Pas themelimit të mbretërisë judosllave Jakup Kombin e gjejmë në Bishevë si imam në xhaminë e komunës së atëhershme. Në atë kohë Bisheva, vendlindja e Shemsi Pashës dhe Mujko Mukoviqit kishte statusin e Komunës. Më 19 gusht të vitit 1919 shqiptarët e Sanxhakut i dërgojnë një Memorandum kryetarit të qeverisë serbe Lubo Davidoviqi në të cilin njoftojnë qeverinë për terrorin e çetnikve të Kosta Peçancit mbi popullatën e këtushme shqiptare. Ata ndër të tjera i shkruajnë qeverisë serbe se në Sanxhak çetnikët kishin vrar 1300 shqiptarë dhe kishin djegur e plaçkitur 194 shtëpi shqiptare. Gjatë vitit 1924 malazezët në trevën e Sanxhakut kishin kryer dy sulme mbi popullatën shqiptare. Të parën në Shahoviq (sot Tomashevë) dhe të dytën në Besnik të Tregovishtës (Rozhajës) më 12 dhjetor të vitit 1924. Bilanci i të vrarëve arriti në 21 veta.
Këtë masakër e kishte kryer kryeçetniku malazez Zarija Joksimoviq i shoqëruar nga Simon Çukiçi nga Berani e çetnikë të tjerë. Këtë akt kriminal Jakup Kombi e denoi ashpër dhe reagoi në qeverinë e atëhershme malazeze. Reagimet ishin të fuqishme, por qeveritarët malazezë nuk e përfillën kërkesën për ndalimin e dhunës. Mulla Jakupi me mençurinë dhe trimërinë e tij u dëshmua si atdhetar dhe organizator i mirë. Kështu populli kishte një admirim të madh për përsonalitetin e tij. Jakup Kombi, në prag të Luftës së Dytë Botërore formoi formacionet e policisë shqiptare dhe u zgjodh komandant i tyre, formacione këto që në gjirin e vet mblidhnin shumë vullnetarë shqiptarë. Me pushtimin e nazifashistëve, Rozhaja i takon zonës së pushtuar Italiane dhe ishte nën administrimin e shtetit shqiptar si Nënprefekturë e Prefekturës së Pejës. Për prefekt të nënprefektuarës populli i Tregovishtës zgjodhi atdhetarin dhe luftëtarin e paepur për çështjen kombëtare, Adem Najë Kurtagën (Kurtagiq), komandant të xhandarmërisë emëroi Qazim Kurpejën (Kurpejoviq), ndërsa komandant i forcave vullnetare shqiptare emërohet Mulla Jakup Kombi. Më 2 korrik të viti 1941 ai së bashku me Zhujë Selman Dacin, Adem Najen, Mehë Kallaqin e Avdi Brahim Bralën e shumë vullnetarë të Malësisë së Rizhajës, nga Husajt, Bukeli, Peshkajt, Buxhovi, Ballotiqi, Besniku dhe Kolena pritën batalionin e forcave ushtarake “Korata” të udhëhequr nga nënkolonel Sali Sylë Bushati. Pas ardhjes së Ushtrisë Shqiptare, ushtri kjo e cila kishte të vetmin qëllim mbrojtjen e terësisë territoriale të tokave shqiptare, populli i Tregovishtës i priti me zemërgjerësi të madhe. Fuqishëm valoi Flamuri Shqiptar, kurse populli këtë akt e priti me gëzim të madh e lotë ndër sy, nga ky kushtrim për liri, trimat e bënë betimin para Flamurit Shqiptar dhe u shti nga armët e zjarrit nga të gjitha anët. Ata me krenari i kënduan himnit kombëtar dhe më respekt u përkulën para flamurit, më respekt pritën Ushtrinë Shqiptare. Pas strehimit të ushtarëve në shtepitë shqiptare në Tregovishtë, para kësaj ushtrie dhe vullnetarëve të shumtë Mulla Jakupi Kombi mbajti një fjalim ku ndezi zemrat e ushtarëve dhe vullnëtarëve shqiptarë për luftën heroike që ata po i priste për mbrojtjen e tokave shqipatre. Të nesërmën ata do të pozicionoheshin në vijen e kufirit e pikërisht në Livadhet e Gjakut, Çakorr, Mokna në Kacubërre e në Bjeshkën e Turjakut. Jakup Kombi së bashku me vullnetarët e tij ishte i përqendruar në Kacuberr dhe në Turjak, aty kishte ngritur istikamet dhe sistematizuar vullnetarët e tij.

Në shtator të vitit 1943 përfaqësuesi i Bihorit të Sipërm Osman Rastoderi më anë të një shkrese njofton Mulla Jakup Kombin për masakrën e shkaktuar nga çetnikë në Bihori duke e sugjeruar se këto forca të njëjtin fat e kishin përgatitur edhe për Tregovishtën. Pasi që ishte e premte dhe ditë tregu, Jakup Kombi thërret popullin në një kryengritje të përgjithshme për mbrojtjën e qytetit dhe rrethinës nga forcat e shumta çetnike, duke e shpalluar njëkohësisht gjendjen mobile anekënd trevës së Tregovishtës. Kush me armë e kush pa të iu përgjigjen kushtrimit për mbrojtjen e atdheut. Pika e dislokimit të forcave mbrojtëse ishte Kacuberri. Fjalimi i Mulla Jakupin ngriti moralin e masës së tubuar dhe shtoi forcën për mbrojten e Tregovishtës nga çetet e shumta çetnike. Ishte muaji i shenjtë i Ramazanit Mulla Jakupi Kombi para xhematit të shumtë ngre gotën me ujë dhe e bënë iftar, duke iu thënë masës se koha është e luftës dhe atdheu është mbi të gjitha dhe thërret për një mobilizim gjithpërfshirës.

Po atë ditë Jakup Kombi për në Pejë nisi Zhujë Selman Dacin nga Dacaj që atje të ftonte krerët shqiptarë për t’i ardhë në ndihmë popullit shqiptar të Tregovishtës. Forcat vullnetare shqiptare nga Rugova dhe Rrafshi i Dukagjinit të nësermën kanë ardhur në ndihmë. Pasi që forcat shqiptare ishin dislokuar në zonën e bjeshkës së Turjakut, në Livadhet e Gjakut e në Kacubër, ata të përgatitur dhe nën komandën e Jakupit dhe bajraktarit të Rugovës Sak Fazlis, Kurt Abazit nga Radaci e trima të tjerë nga Rrafshi i Dukagjinit kishin ngrit istikame për pritjen e çetave çetnike. Kështu në gusht të viti 1943 forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Mulla Jakup Kombi, Sak Fasli dhe formacionet shqiptare mbrojtën me sukses trevën e Rozhajës dhe atë të Malësisë nga masakrat çetnike. Kjo mbrojtje kishte për qëllim, pos mbrojtjes së Tregovishtës edhe pengimin e forcave çetnike drejt marshimit kah Pazari i Ri .Gjatë kësaj kohe Jakup Kombi ka shkuar në Shqipëri, në Tiranë dhe është takuar me Xhafer Devën ku nga kreu i Qeverisë Shqiptare ka kërkuar ndihmë në njerëz dhe armatim. Këtë ndihmë Xhafer Deva ia ka ofruar me një herë, pa hezituar fare. Mulla Jakup Kombi ka qenë njëri nga ata që ka ftuar Shaban Poluzhën në luftë për mbrojtjen e Pazarit të Ri. Ai bashkë më Mujë Mukoviqin nga Bisheva u ka pri vullnetarëve rozhajas e bishevas për në frontin e Pazarit të Ri dhe Sjenicës. Pas disfatës që forcat çetnike pësuan në gusht të vitit 1943 ata nuk provuan më ushtarakisht ta shkelin Tregovishtën dhe aq më pak ta përvojnë Turjakun, Kacuberrin e Livadhet e Gjakut. Komunizmi po depërtonte me forcat e veta partizane. Gjendja politike gjithjë po shkonte në disfavor të shqiptarëve. Sllavokomunizmi përmes luftës partizane po merrte përmasa më të mëdha dhe se shtrirja e komuniste po e përpinte edhe këtë trevë shqiptare. Partizanët po i shtonin radhët edhe më luftëtarë shqiptarë e bishnjakë. Kështu Rozhaja dhe rrethina e saj dita-ditës po e humbte qëndresen kombëtare. Administrata shqiptare po lodhej dhe vendin e saj po e zinte një ushtri e re me një ideologji pothuaj antishqiptare. Më kapitullimin e forcave italiane dhe gjermane në pushtet vinë sllavo-komunistët. Më ardhjen e komunistëve në pushtet forcat patriotike shqiptare i shpallën armiq të popullit dhe prijeëit e këtyre forcave vihen në shenjestrën partizano-komuniste.

Përdjekja dhe eliminimi i prijësve të forcave vullnetare ishte detyrë mbi detyrat e partizanëve. Në atë kohë disa grupe vullnetarësh nuk i kishin dorëzuar ende armët dhe fshiheshin nën bjeshkën e Hajlës, në Buxhov, Kullë, Zhleb, tek burimet e Ibrit e vende të tjera po bënin rezistencën e fundit. Për Mulla Jakup Kombin thuhej se ai strehohej në shtëpin e vet në Rozhajë. Shokët e luftës e kishin sugjeruar që ai të largohej nga Tregovishta, mirëpo Jakupi tanime në moshë të thyer nuk donte ta lëshonte shtëpinë. Disa partizan, në mesin e të cilëve nuk kishte shqiptarë të kësaj ane por disa boshnjakë, po planifikonin kapjen e komandantit të forcave vullnetare Mulla Jakupin. Për vrasjen e tij ishin organizuar shumë forca partizane dhe se likuidimi i tij fizik ishte i domosdoshën, pasi që ky burrë gëzonte autoritet të madh në popull. Partizanët Jakupin e ndiqnin këmba-këmbës dhe se ata dëshironin ta kapnin të gjallë dhe ta dorëzonin pranë organeve “të drejtësisë”. Këto forca në një natë dimri në janar të vitit 1945 rrethojnë shtëpin e Mulla Jakupit. Më pabesi e thërrasin tek dera dhe aty e kapin, ia lidhin duart dhe fillimisht e njoftojnë se ai kërkohej nga administrata e re që të mirrej në pyetje. Pasi që e kishin vu para tytave të pushkëve rrugës për ndërtesën partizane njëri nga partizanët pabesisht pas shpine shti në Mulla Jakupin duke i marrë jetën me një breshëri plumbash nga një pushkë automatike. U varros në Rozhajë me nderime të mëdha në mungës të shokëve të tij të pushkës, të cilët ende ishin malit. Vrasja e tij ishte mëse e dhimbshme dhe humbje e madhe për popullin shqiptar. Ky patriot dhe luftëtar me kohë duhej të rehabilitohej nga historianët dhe politikanët shqiptarë. Mulla Jakup Kombi në historinë shqiptare do të rradhitet përkrah Aqif Blutës, Ahmet Dacit, Sak Fazlis, Mulla Zekë Bërdynës, Shaban Polluzhës, Bajram Gashit, Adem Najë Kurtagiqin, Avdyl Bralen, Mehë Kallaqi e shumë bashkëkombas të tij, të cilët atdheut ia falën gjë më të shtrenjët, jetën. Pazari i Ri, Peja, Tutina, Sjenica, Tregovishta, Tirana e Prishtina këtij burri i kanë shumë borxh. Institucionet shqiptare duhet që së shpejti të shpallin dëshmor të kombit Mulla Jakup Kombin. Vetëm kështu këtij burri i dilit hakut. Ai përkrah Sak Fazlis, bajraktarit të Rugovës, Kurt Abazit bajraktarit të Radacit e shumë patriotëve të tjerë që morën pjesë aktive më pushkë në dorë për mbrojtjen e trojeve shqiptare u takon vendi në piedestalin më të lartë të lirisë. Rrugët dhe institucionet e Kosovës më krenari duhet të mbajnë emrin e dëshmorit dhe patriotit Mulla Jakup Kombit.

Image may contain: 1 person
1. Mulla Jakup Kombi

Image may contain: one or more people, people standing and closeup
2. Sak Fazlija

Please follow and like us: