Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni: Një foto dhe… disa rreshta, Pano Taçi

Qerim Vrioni zbulon thesaret e Kolë Macës, fotografit të ...

Qerim Vrioni

Me poetin Pano Taçi (1929-2012) më njohu gjatë një përurimi libri, miku ynë i përbashkët, shkrimtari dhe redaktori, Pandeli Koçi. Emrin e Panos, bashkë me poezitë e tij i kisha hasur në shtypin letrar, kryesisht pas viteve ’90, por më tepër e kisha dëgjuar ndër biseda me poetë dhe shkrimtarë, të cilët nuk kursenin lëvdatat për artin e tij.

Megjithëse gjatë L2B, ai ishte rreshtuar si partizan me Brigadën 23 S, për shumë kohë duke filluar qysh prej vitit 1947, ai provoi burgun (agjitacion-propagandë), internimin, persekutimin politik dhe sidomos atë psikologjik, të shoqëruara me vetminë, që e trishtonte shumë. Gjithsesi, këto nuk arritën ta shtypnin natyrën e tij prej artisti-rebel. Po ashtu, ky kalvar vuajtjesh, me familje pa familje, me banesë pa banesë, nuk ia thau shpirtin. Ai ishte i shoqërueshëm dhe mjafti mirëpritur në shumë mjedise shkrimtarësh dhe poetësh, ku përcillte kulturë, por edhe humor. Madje një bar i njohur në Tiranë (Kafe “Europa”) nuk e lejonte fare të paguante filxhanin e përditshëm të kafesë. Miqtë e tij të shumtë i kishin ngjitur nofka të ndryshme miqësore, si, psh, Hokatar dhe tragjik njëherësh (Bejko), Pani Plak, Plak ashik e qejfli, rebeli i përjetshëm, këngëtari i vetmuar i dashurisë etj.

Në vitin 1963, u bë gati për botim përmbledhja e parë poetike e Panos me titull “Ura e ylberit”, por për mospërputhje me vijën e kuqe ideologjike të kohës, u kthye në karton e pak më vonë shërbeu si corpus delicti për dënimin e tij, sërish me akuzë politike, të vitit 1964. Vetëm pas rrëzimit të diktaturës, ai doli para lexuesve me rreth 13vëllime poetike si, “Poezi të zgjedhura”, “Blerim i thinjur”, “Hukama e Venusit”, “Dhe vdekja do paguar”, “Sa pak qiell”, “Lakuriq” (eros) etj. Pano Taçi lëvroi edhe dramën, fabulën dhe përrallën. Gjithsesi, ai mbetet një nga poetët më të shquar në lëvrimin e poezisë kushtuar bukurisë së femrës, sidomos në aspektin erotik. Një nga poezitë me rezonim të theksuar bashkëkohor është ajo me titull “Populli im vulëhumbur”…

Atë mbrëmje shkurti të vitit 2003, po pinim kafe bashkë me të tjerë tek Bar “LUX”, poshtë Bibliotekës Kombëtare, por edhe duke dëgjuar Panon të lexonte disa poezi erotike të një libri të sapobotuar brenda të cilave gëlonte edhe humori. Natyrisht, leximi shkaktonte edhe të qeshura të shumta, por poeti i mbante të tijat të fshehura nën buzë, atij i qeshte shpirti kur kënaqte të tjerët.

Në një nga ato çaste e fotografova.

Pano Taçi, poeti që lëvroi në një tokë prej zjarri dhe pasioni, epshi dhe dalldie

Please follow and like us: