Zoti madh që je në qiell, po të themi një sekret; po të jetë për këtë popull, ne jetojmë dhe 1000 vjet
Ismail Xhaferi
Zoti i madh e zemërgjerë,
Që qëndron sipër mbi re,
Ti je zot atje në qiell,
Këtu poshtë zot jemi ne.
Jemi zot se bëjmë ç’duam,
Dhe gjumi të qetë na zë,
Fat që komandajmë një popull,
Që kënaqet me asgjë.
Fat që komandojmë një popull,
Gatitu gjithmonë në rreshta,
S’ka në botë popull të tillë,
Që s’e di se ç’është protesta.
Bëji ç’të duash nuk ankohet,
Njësoj sot, e njësoj dje,
Lëre pa bukë e pa ujë,
Pa mitingje mos e le!
Ne ia kemi marrë të gjitha,
Punën,djersën, të vërtetën,
Po të mos ishte ky popull,
Ne nuk mund të ishim mbretër.
Lavdi paç ti zoti ynë!
Zoti që na ke bekuar,
Duke bërë këtë popull
Kaq të urtë e të duruar.
30 vjet ne udhëheqim,
Ne e bëjmë ligjin kudo,
Popullit i morëm shpirtin,
E prap populli na do.
30 vjet rrugët të ndara,
Ne me miell,ata krunde,
Sepse një popull të varfër,
E tërheq më mirë për hunde.
Kemi popull, jo shaka,
E gënjejmë me dhjetra herë,
Vetë jetojmë si në parajsë,
Ndërsa populli në ferr.
Përrallat tona 30 vite,
Brez pas brezi do të mbeten,
Gjoja do të bëjmë veting,
Që të burgosim vetveten.
Kemi bërë prona e vila,
Dhe shumë llogari bankare,
Ndërsa popullit kokëulur,
S’i dëgjohet zëri fare.
Vitet ikin ne në krye,
Qoftë dhe me një dhëmbë në gojë,
Ne caktojme deputetët,
Populli shkon të votojë.
Jemi pasanikë pa punë,
Puna jonë është thjesht me llafe,
Aq sa është ndihma sociale,
Ne e lëmë bakshish në kafe.
Bëjmë si idealistë,
Si të majtë e si të djathtë,
Ideali ynë i vetëm,
Të hedhim çdo ditë në trastë.
Por me lekë e pasuri,
Nuk jemi ngopur akoma,
Ndaj kush është idealist,
E flakim nga rradhët tona.
Zoti madh që je në qiell,
Po të themi një sekret,
Po të jetë për këtë popull,
Ne jetojmë dhe 1000 vjet.
Zot o zot, të qofshim falë!
Edhe letrës t’i vëmë pikë,
Bëjmë me popullin çfarë duam,
Vetëm ty të kemi frikë.
Ndaj o zot na ler siç jemi!
Zot i madh atje mbi re,
Populli është i kënaqur,
Të kënaqur edhe ne.