Albspirit

Media/News/Publishing

Gazmend Leka rrëfen ilustrimet e librit “Tregimet e Moçme Shqiptare”

Çmimi “Lumo Skëndo”, për botimin “Tregime të moçme shqiptare ...

Gazmend Leka ilustruesi i “Tregimeve të Moçme Shqiptare” të Mitrush Kutelit, tregon pas kaq vitesh në një video të bërë publike nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në kuadër të muajit të Letërsisë për Fëmijë, kohët kur ilustronte këto rrëfime të dashura për të gjithë. Ja çfarë tregon ai: Që nga fëminija, unë jam ushqyer me mite dhe legjenda, sepse im atë shpeshherë kujdesej që të m’i afronte dhe të joshesha ndaj tyre.

Fillimisht fëmijët e fillojnë me figurën e Skënderbeut, vazhdojnë me të gjitha figurat historike të cilat bëheshin në librat e shkollës, te libri i këndimit, te libri i leximit, e të tjera, por për herë të parë mbaj mend që kam rënë në kontakt, – jo me shkrimet e Mitrush Kutelit, pasi kam qenë shumë i vogël, dhe libri atëherë nuk ka pasë dalë, – me një libër që quhej  “Trimat e Jutbinës”. E kam atë libër, por i është shqitur kopertina dhe nuk e di kush është autori dhe ilustruesi i tij. Dhe unë mahnitesha nga ky libër. Pastaj pashë librin e Agim Fajës, i cili kishte ilustrues librin e Mitrush Kutelit, bëra një “paradhomë” me librin “Balada popullore shqiptare” të Qemal Haxhihasanit, i cili ka të bëjë me legjendat origjinale, dhe atë unë e ilustruva me goxha ilustrime, dhe kjo ishte një nga magjitë e mëdha që mua më erdhi si për fat, por edhe sepse gjatë gjithë jetës sime e kisha kërkuar, si me thënë, padashje.

U bë shtysë Brikena Çabej, pasi atëherë ka qenë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Brikena Çabej ishte redaktorja, dhe më thërret një ditë dhe më tha, “Gazi, ngaqë ti je marrë shumë me legjendat, je marrë shumë me Muzeun “Gjergj Kastrioti” në Krujë, je shumë afër këtyre figurave, do të dëshiroja të bëje disa ilustrime për librin e Mitrush Kutelit, Tregime të Moçme Shqiptare. Ajo donte të bënte 5 a 6 ilustrime, jo shumë, por unë, kjur e pashë librin, mendova që këtë rast nuk duhet ta humbë dhe i thashë Brikenës, “Brikena, a e di si është puna? A ka mundësi t’i ilustrojmë të gjitha tregimet? D.m.th. që çdo tregim të ketë edhe një ilustrim”. Ajo bisedoi në redaksi, e të tjera, e të tjera, ranë dakord dhe unë fillova punën menjëherë. Unë, sigurisht, isha i përgatitur. Nuk isha përgatitur për librin, por kisha në dosjet e mia goxha vizatime, dhe i kam bërë shumë shpejt, i kam bërë gati për një muaj të gjitha ilustrimet, d.m.th. gati-gati bëja një ilustrim në natë, ngaqë unë punoja më shumë natën, pasi në mëngjes punoja dhe merresha me një tjetër gjë. Një ilustrim në natë, por kur të vjen ai afshi i të krijuarit, pastaj ti nuk ndalon, dhe pastaj unë mund të bëja edhe tri libra të tjerë si ky, d.m.th. aq super-xhiro mora me librin. Nuk zgjodha t’i bëja me ngjyra, i thashë Brikenës që është më mirë t’i bëjmë grafika, sepse momentin e kontrastit e ka më të fuqishëm, plus që shtypi i asaj kohe, me ngjyra, nuk është se do më jepte ndonjë vlerë shumë të madhe: do humbte shumë në shtyp. Dhe grafikat pothuajse janë botuar si origjinali në variantin e parë. Është shtypur në poligrafik dhe, kur mbaroi libri, isha shumë i kënaqur.

Libri u botua me gjithë parametrat e kohës, me parametrat më të mirë. Pati një përkushtim nga të gjithë: retushierët, teknikët, d.m.th. të gjithë bëmë një libër shumë të mirë. Pati shumë bujë, pati jehonë, u shit menjëherë si libër, dhe me këto ilustrime, të cilat i dërgova në një ekspozitë, fitova Çmimin e Madh të Veprës më të Mirë të Vitit. Me një fjalë, u pagëzuan përfundimisht, por ajo që ishte shumë e thellë për mua, ishte dëshira e madhe me të cilën unë krijova një kordon ombelikal me Mitrushin. E doja shumë Mitrushin. Nuk kishte shumë botime nga Mitrushi, por ishte një shkrimtar që edhe sot, për mua, mbetet nga shkrimtarët më të mëdhenj, sidomos për fëmijët, dhe sidomos me këtë libër, që mendoj se është një pasuri kombëtare sot. Më bëri shumë përshtypje, ngaqë unë kisha lexuar këngët origjinale të eposit, pse Mitrushi i quante këto “tregime”. Dhe ishte shumë e vërtetë, d.m.th. kishte atë afshin e babagjyshit që i tregon fëmijës shumë thjeshtë, d.m.th. kishte hequr atë gravitetin e rëndë të vargut, të këngës, që ishte shumë i vështirë për fëmijët, dhe kishte rënë në një tregim shumë të thjeshtë por me një shqipe të përsosur.
Atëherë unë kisha lexuar disa libra, p.sh. kisha lexuar Odisenë, që ishte bërë shumë e thjeshtuar për fëmijët, dhe disa libra të tjerë të fëminisë, por ishte shumë e çuditshme: ata ishin shumë tregimtarë të thjeshtë për ta afruar tregimin, ndërsa Mitrushi i ka bërë sikur i ka krijuar edhe vetë. Vërtet këtu është jehona e ngjarjes origjinale, por duket sikur Mitrushi e ka bërë vetë të gjithën. Sigurisht që unë u vura në një vështirësi shumë të madhe, në kuptimin që a do të arrija dot unë që ta ilustroja maksimalisht, sepse nuk po bëja thjeshtë pikturën time, por më duhej të kisha kujdes edhe mentalitetin e njerëzve, përfytyrimet e njerëzve për Mujin, për Halilin, për dhitë, për Bajlozin, d.m.th duhej ta merrje paksa në konsideratë se si t’i përfytyroje, por rrugës unë sikur fillova dhe i lëshova pak frerët,
dhe krijova një proporcion shumë të madh të figurave, siç është Bajlozi apo siç është Kuçedra apo shkëmbi që ngre Muji; dhe figurat e Mujit, Vajzës së Diellit dhe Hënës dhe të disa personazheve, i bëra të vogla për të arritur këtë lloj kontrasti. D.m.th. që e keqja vërtet ishte një e keqe jashtëzakonisht e madhe, por një qelizë drite mund ta shpërthente errësirën.
U quajtën mistike, shumë veta, edhe pse i pëlqenin shumë, i quanin të tilla. Por të thoje atëherë “mistike” nuk ishte kollaj, sepse mistiçizmi në atë kohë gati-gati ishte një gjë e ndaluar, por, megjithatë, ky libër kaloi. Gjithë jetën time thoja me vete, “Po tani, me gjithë këto mundësi të reja që kemi, pse nuk e bëjmë edhe një herë atë libër”. Dhe një ditë, rastësisht me Atalanta Paskon, të bijën e Kutelit, po pinim një kafe dhe i thashë, “Atalantë, pse nuk e bëjmë edhe një herë atë libër?”. “Po”, tha Atalanta, “edhe unë e kam menduar ta bëjmë”. E bëmë me të gjitha parametrat, ruajta gjithë pamjen e librit të parë, përveç kopertinës, d.m.th. dryshova azhurin, por titullin e shkrova në po të njëjtën mënyrë. Titujt që janë brenda në libër janë po titujt e botimit të parë, ilustrimet janë po njësoj, vetëm se tani janë të shtypura më mirë. Libri nuk ka ndryshuar fare, d.m.th. edhe dy-kolonësh, formatimi i librit, mënyra se si vijnë ilustrimet, është identik libri i parë, por që sot është bërë me një lloj tjetër luksi.
Shtoi kësaj, edhe duke shkuar në moshë, ajo çka është më e vërteta, më e bukura, ashtu siç mund të kenë izraelitët Biblën e tyre, Testamentin e Vjetër, apo arabët Kuranin, apo budistët, e të tjerë, ne kemi baladat tona. Në nuk po arrijmë dot që të kuptojmë se kemi baladat tona me të njëjtën fuqi që kanë pasur ata. Ligjet e Moisiut gjen atje, këtu ne kemi ligjet e Lekë Dukagjinit edhe disa ligje të tjera. Janë gati-gati po njësoj. Ke disa përkitje të jashtëzakonshme, është e njëjta gjë si strukturë. Dhe është shumë e çuditshme diçka që mund të të bëj përshtypje këtu, që shqiptari i lutet diellit, i lutet hënës, i lutet gurit, i lutet nimfave të pylli që janë zanat, i lutet qiellit, i lutet lumit. Është një paganizëm i thellë, një paganizëm i vërtetë dhe Zoti vetë nuk ka emër, siç mund të ketë në mitologjitë e botës.

Zoti ka emër në të gjitha mitologjitë; ne nuk kemi emër fare, ne themi “O Zot”. Ke vënë një pikë qendrore, ke vënë një qenie të jashtëzakonshme, por ti nuk tentuar t’i vësh një emër. Por e gjithë struktura e saj, me të gjitha ligjet, të gjitha bëmat, më të gjithë pështjellimin, është gati-gati identike me atë çfarë ndodh te
Testamenti i Vjetër, çfarë ndodh te Kurani, çfarë ndodh nëpër të gjithë këta libra të mëdhenj e të vjetër. Nuk ka ndonjë shmangie shumë të madhe dhe mund të them se ndoshta mund të vijë një ditë koha që ky mund të jetë, si me thënë, Libri i Shqiptarit, Bibla, pasi bibël d.m.th. libër, pavarësisht se ajo është veshur me atë lavdinë e vetë, që është një gjë e frymëzuar nga Ai që vjen, që ka ardhur nga sipër.

Në fund të fundii, ato janë thjesht tregime, sigurisht që ka hiperbola, mund të ketë metafora, por nga pikëpamja e thelbit ato janë thjeshtë ngjarje. Po ato ngjarje që mund t’i gjesh kollaj jo te “Tregime të Moçme Shqiptare”, por në të gjithë mitologjinë tonë, duke filluar nga legjendat më të vjetra, pasi ka legjenda akoma më të vjetra se legjenda e Bunës, legjenda e sakrificës. Ke të bësh me legjendën e krijimit, ke të bësh me disa legjenda, të cilat mendoj që janë xhevahire po aq sa ç’mund të jenë xhevahire në mitologjitë e tjera, në librat e tjerë, “të shenjtë” siç i quajnë ata. Ne s’kemi arritur të themi që edhe ky libër është i shenjtë. Edhe ne kemi korpusin tonë të shenjtë, mbi të cilin edhe mund të vëmë dorën e të falemi. Mund të falen edhe Presidentët tanë, mund të falen edhe Kryeministrat tanë, mund të falet çdokush mbi atë.

Please follow and like us: