Dhimitër Frangu, 25 vjeç kur vdiq Skënderbeu, përgënjeshtron Paskal Milon dhe paskalët e tjerë për Vojsavën
Dhimitër Frëngu është një nga humanistët shqiptarë i cili ka shkruar për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe vepra e tij u bë e njohur në Europë. Ai nënshkruan “Dhimitrio (Dimitrio Demetrio) Franco”. Ai ka lindur më 1443 në vitin e kthimit të Skënderbeut dhe fillimit të rebelimit të tij të madh. Ai ëhtë bashkëkohës i Heroit. Kur vdiq Skënderbeu ai ishte 25 vjeç. Dhimitër Frëngu vdiq më 1525.
Paskal Milo tashmë nuk habit askënd! Madje pak kush prej shkencëtarëve në nivel kombëtar apo edhe botëror mund të ketë fatin dhe trajektoren jetësore e profesionale të Dhaskal Paskalit, një historian tek i cili në pjesën më përfaqësuese të jetëshkrimit të tij, mbizotëron karriera politike, se sa puna prej murgu, së cilës i janë dhënë me sakrilegj të pashembullt dijetarë të ndryshëm. Madje këta të fundit, të padukshmit e frekuencave televizive, në çdo kohë i janë përkushtuar tërësisht misionit historik, i cili si princip kryesor ka marrëdhënien me të vërtetën. Dhaskal Paskali, ky imazh i pudrosur nga njëra studio televizive në tjetrën, prej pak ditësh ka ndërmarrë detyrën e intendentit historik, me ngulmin për të interpretuar disa hipoteza të cilat, në sferat historike, diplomatike apo edhe shkencore, nuk kanë zënë vend që nga koha e Mesjetës edhe më tej, deri në krijimin e arkivave dhe bibliotekave virtuale.
Për të mos e përuruar më shumë dhe më gjatë profilin hidro – historik të këtij dituraku, i cili u rrit potencialisht përmes kufizimeve serioze që detyronte si në kërkimin shkencor ashtu edhe në aspektin interpretativ sistemi diktatorial, e di fare mirë që epoka e tranzicionit e cila e shpërbleu edhe me poste tepër të sajdisura politike, kinse padashje i degradoi strukturat akademike. Kështu, besimi në vetvete i këtij kontingjenti të ndriturish ku bën pjesë historiani Milo, u shtua edhe më dhe për shkak të lënies në hije apo edhe me largimin nga jeta të shumë historianëve të njohur. Nisur nga ky terren premtues, ky kujdestar i konviktit historik të censurës, mendon se tanimë e ka hapësirën djerrë, ku mund të hedhë e të mbjellë tek vetëdija e publikut, ide të tilla, para të cilave ai vet, mbase beson ashtu si në përmbushjen e një profecie, e cila gjithmonë vonon të ndërtojë një realitet. Në këtë linjë pa trajtë e ngjyresë, padyshim ai mund të ecë edhe këmba dorazi duke shfrytëzuar në shkallën më të lartë të mundshme edhe mediokritetin gazetaresk në Shqipëri!
Me të vërtetën sipas tij, pa diskutim që nuk mund të ndërtohet, jo një Ungjill apo Psalm mbi mbrojtësin e Krishterimit në Kontinentin Evropian, por do të jetë e vështirë dhe gati e pamundur të hartohet edhe një udhëzues turistik, apo edhe një legjendë që të mund ta besojnë edhe barinjtë e zonës. Të bën habi fakti se Profesori në fjalë, në qëndrimin e tij përmendi disi dhe vetëm shkarazi Dhimitër Frangun dhe u ndal paksa më gjatë tek Marin Barleti. Siç edhe dihet, në veprën e tij, “Historia e Skënderbeut”, Marin Barleti u bazua dhe huazoi fraza dhe fakte të tëra nga vepra ndërkombëtarisht e mirënjohur “Veprat e Lavdishme të Skënderbeut” të Dhimitër Frangut.
Për ata që ende nuk janë njohur (dhe kjo jo për faj të tyre) me këtë personalitet të shquar, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se Dhimitër Frangu ishte njeriu më i afërt i Gjergj Kastriotit duke ushtruar funksione fetare ato të këshilltarit, arkëtarit dhe ambasadorit të tij. Pra me fakte dhe dëshmi ai ka mundur të japë dhe të përvijojë në mënyrën më të saktë, origjinën, rolin dhe atmosferën rreth jetës dhe veprimtarisë së Princit Arbëror Gjergj Kastriotit. Vepra e tij ka njohur mbi 25 botime të njëpasnjëshme në periudhën e Mesjetës dhe duke marrë në vlerësim sistemin bibliografik, atij i janë referuar ata historianë që i janë përkushtuar thellësisht epokës së Skënderbeut, përfshi siç e theksuam edhe më sipër, vet humanistin e njohur Marin Barletin.
Për ata që jo për faj të tyre, ende nuk janë njohur me librin e librave mbi Skënderbeun do të duhet të citojmë veprën e mirënjohur ndërkombëtarisht të Frangut e cila nis më këto radhë: Princi Gjon Kastrioti ishte ai që sundoi atë pjesë të Shqipërisë që quhet edhe sot e kësaj dite Emathia ose Tumenishtia. Gjoni kishte për grua Vojsavën, të bijën e Princit të Pollogut….. Për lexuesit që nuk janë fort të qartë, Pollogu shtrihet midis Tetovës dhe Gostivarit. I ati i Vojsavës ishte Princi i Triballëve, një popull me prejardhje pellazgo – ilire që përmendet nga Straboni në librin e VII të tij, një popull kundër të cilit kishte luftuar edhe Aleksandri i Madh. Sipas albanologut të shquar gjerman Johann Georg von Hahn, emri Triballë, vjen nga shqipja Tri – Ballë, në kuptimin e tri majash mali, latinisht Tricornensis, emërtim i një populli ilir, me qytetin Tricornium ( në kuptimin, Tri – Cepa, ose Tri – Brinja), me po të njëjtin kuptim; Tri – Ballë.
Nëse Dhaskal Paskali do ta kishte lëçitur me kujdes veprën e Dhimitër Frangut, instinkti prej historiani do ta kishte orientuar drejt disa fakteve që autori i paraqet si të vërteta të pakundërshtueshme, të cilat përshkruhen me një përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga një dëshmitar dhe bashkëpunëtor shumë i afërt i Skënderbeut. Në këtë vepër saktësohen shumë fakte e detaje si për shembull, viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit, ku Frangu i përmbahet vitit 1467 e jo vitit 1468, dhe moshës prej 63 vjetësh të Gjergj Kastriotit, moshë e cila na drejton tek viti i saktë i lindjes, bile si edhe kohëzgjatjes së luftës së Heroit Kombëtar e cila zgjati jo 25 vite, siç vijon ta citojë historiografia shqiptare, por plot 26 vjet, si edhe 12 vite te tjera pas vdekjes së tij.
Nuk është aspak e rastësishme që sa herë që botohet e ribotohet libri Veprat e Lavdishme të Skënderbeut, të Dhimitër Frangut, historianët e ndryshëm jo vetëm e kalojnë në heshtje këtë fakt jo pak të rëndësishëm, por më së shumti nuk e përmendin aspak në peshën që ky botim zë në botimtarinë evropiane dhe atë botërore. Ndërsa, nëse bëhet fjalë për botimet e njëpasnjëshme dhe tejet voluminoze të një studiuesi njomëzak siç është Oliver Schmitt, atëherë vëmendja mediatike dhe krejt aparatura e mendimit historik, me përjashtim të studiuesve që më së shumti i gjen nëpër labirintet e arkivave apo bibliotekave, rreken ta propagandojnë si një risi dhe ndryshim të koncepteve, dhe i hapjes së mendësisë së shoqërisë sonë e cila nganjëherë mëton të shkojë deri në sparkatë!
Madje Miloja ynë, arrin deri aty sa pohon në emisionin Provokacija të gazetarit Mustafa Nano, se nuk jemi të sigurt nëse Skënderbeu në familjen e tij ka folur arbërisht, sepse ne shqiptarët veprën e parë të botuar në gjuhën tonë kemi Mesharin e Gjon Buzukut, botimi i të cilin daton në vitin 1555, ndërkohë që në sipas tij, në atë periudhë Skënderbeu kishte ndërruar jetë.
Në këtë rast, filologu Paskal Milo, nuk di apo nuk do të shpjegojë se Meshari i Gjon Buzukut, na shpalos një gjuhë të konsoliduar dhe të mirë strukturuar, gjë e cila, duke iu përmbajtur edhe një logjike fare të thjeshtë, të lë të kuptosh se një gjuhë e tillë si ajo e Buzukut, shpalos një traditë të hershme dhe të konsoliduar dhe assesi, nuk mund të krijohet apo të flitet dhe të lëvrohet në fare pak vite. Ky profesor, më pas tha me zë e figurë e me gojën plot delikatesë se përpara Mesharit të Gjon Buzukut, fatkeqësisht nuk kemi dokumente të tjerë që të dëshmojnë shkrimin apo të folurën në variantin arbërisht. Shkencëtari në fjalë, mbase nuk e ka pasuruar bagazhin e tij intelektual me faktin se në testamentin e tij të fundit, Gjergj Kastriot Skënderbeu la trashëgimtar universal të shtetit të tij, birin e tij të vetëm Gjon Kastriotin por duke i caktuar si tutor të kësaj trashëgimie, Imzot Pal Engjëllin, Peshkopin e Durrësit.
Tanimë është një fakt i njohur zbulimi i kryer nga dijetari rumun Nikolae Jorga në biliotekën Laurentine të Firences në vitin 1915, ku në një dokument të hershëm të hartuar nga vet Pal Engjëlli u gjend edhe formula e pagëzimit e shkruar në gjuhën shqipe, dokument i cili i përket vitit 1462 dhe konkretisht teksti i shkruar në arbërisht: Unte’ paghesont premenit Atit et Birit et Spertit Senit. Për saktim do të na duhet të sqarojmë se këto radhë janë shkruar në faqen 4 të këtij dorëshkrimi latin. Formula u gjet në një letërkëmbim mes priftërinjsh drejtuar Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat. Ky dokument autentik i shkruar nga dora e Pal Engjëllit në gjithësej 37 fletë, mban numrin e inventarit 1167 dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara të kësaj biblioteke të periudhës së Rilindjes Europiane.
Duke renditur këto dëshmi të njohura, të perifrazuara e të stërcituara nga studiues seriozë dhe aspak të ngjizur intelektualisht në epruvetat politike, çdokush e ka shumë të qartë dhe më të lehtë të mendojë se tash e tutje kujt do të duhet t’i besojë me gjithë mend; Imzot Palit apo Dhaskal Paskalit?!
Në përmbyllje të qëndrimit tim, shprehem sinqerisht se nuk do të doja aspak të përfshihesha në këtë debat pasi argumentet që hidhen gjithmonë e përsëriten mbi këtë çështje janë në kufijtë jo vetëm të absurditetit por edhe të abuzimit të përsëritur me të vërtetën. Çdo epokë historike i ka tashmë të përcaktuar dhe të njohur historianët e saj, me vepra dhe kontribute të njohura, të matshme dhe të qëndrueshme, kurse Dhaskal Paskali i njeh vetes të drejtën të flasë për çdo epokë, rend apo edhe aspekt historik. Pra, ai flet për Antikitetin, Mesjetën e hershme dhe të vonë, Periudhën e Pavarësisë, Monarkisë, Luftës së Dytë Botërore, deri në ngritjen dhe rënien e sistemit komunist në Shqipëri. Përtej tij, të tjerët janë pa kulturë, jo kompetent, amatorë dhe jo fort të besueshëm, sepse ata nuk falen, ulen apo ngrihen në ritualin që ndjek e zbaton dhe bekon jetën dhe veprën e këtij njeriu. Nisur nga arsenali që ai posedon dhe zotëron më mirë dhe mund të jetë padyshim më i gjithëdijshëm se të gjithë kolegët e tij, Paskal Milo do të bëj mirë të sistemojë, shkresat, epistolarët ose letërkëmbimet ndërmjet anëtarëve të byrosë politike, pasi edhe ky hark kohor ka rëndësinë e vet të padiskutueshme në plotësimin e këtij këndi të Historisë së Shqipërisë sepse besoj dhe i përmbahem mendimit se kjo është një fushë që e ai e njeh mjaft mirë, si edhe ka kompetencë të plotë historike dhe politike. Sa i përket trajtimit dhe përgjegjësisë për interpretim të periudhës së antikitetit apo mesjetës, gjithmonë ai nuk do të bëj tjetër gjë veçse do të vijojë të shkërmoqë në mënyrë aspak dinjitoze figurën e tij, si edhe krejt padashur, të ulë audiencën e atyre medieve që i bëjnë vend, në atë territor që kurrsesi nuk i përket atij.