Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Erebara: AI dhe AJO

Mimoza Erebara: DITË HIGJENE DHE BREKË - Albspirit

Mimoza Erebara

 

 

 

 94 mesazhe në telefon…  sigurisht për dashurinë…!

 

Një vëllim i formatit “livre de poche”, libër xhepi, në të cilin janë mesazhe që një çift ka shkëmbyer me njeri -tjetrin realisht, në çdo orë të ditës apo natës kur ata komunikonin. Në fund djali iku, ndërsa vajza vazhdoi të qëndrojë në të njëjtin qytet. Djali ishte inxhinier, vajza ekonomiste. Unë pata rastin t’i kem këto mesazhe dhe i përmblodha në këtë vëllim.  Këtu është një cikël i shkëputur nga libri:

 

 

AI:

Një mesazh = një premtim

Një premtim =  një jetë

Një  jetë-

Dhënë  ty!

04.06.2007-24/07/2008

AI:

Të shtrirë -shkrirë në një

Presim agun të na kthej

– rrezëllejë

këlthitjen e trupave tanë.

14/06/2007/ 02:58

AI:

Malli për ty,

Si puhizë deti veron

Mbi trupat tanë, aromë jete

Dhe ne, shtrirë, gjymtyrëngërthyer

Dehemi krejt me të!

08/10/2007/ -06:50

AJO:

Në ajër jam me ty,

E bashkë me të,

Thellë të hyj në mushkri

– e ti pa të s’bën dot!.

08/10/2007/ -08:16

AJO:

Të dua, të dua, të dua!

Atje ku trishtimi zë pritë

Dashuria çel jetë

De shpirti nga ty, tek unë vjen.

29/11/2007/ 09:11

AJO:        

A jam diku në orbiten tënde?

-se Universi në Kaos tani po vërtitet

I çmendur krejt Ai zhytet, ngrihet,

Shpërthen, ngjizet

 

Çelësin e Kohës tutje e vërvit

Ku ëndrra ime për ty

Një tjetër Kaos shpik,

Një tjetër orbite.

19/12/2007

AJO:

Aroma e ëmbël

Lirinë e ndjell

Fatin kur shpërndan

Reve ndër qiej.

 

Endet për ty zemra ime

Dhe  shpirtjetë të sjell!

09/06/2008 ora 23.34

AJO:

Fshij,

Faqen tënde me diell

Laj

Sytë e tu me ëndërr

Dëgjoj zogjtë

Ti më thërret

Gatuaj

Zemrën time me shpirt

 

Për ty-

…dhe shtëpia shkëlqen

Si ti, brenda meje…

20/06/2008 ora 10.20

AI:

Vetmia prodhon enigmën,

E, kjo, kuriozitetin

17.07.2008, ora 18.56

AI:

Mbas shfaqjes humbi zëri,

E mbas tij edhe shkrimi.

Al–zi nga “Mohikanët”

mendohet të jetë i fundit.

17.07.2008 ora 18.45

AJO:

Larg teje

Me temperaturë,

-Reale-!

Digjem.

Me kompresa në ball e në duar

mundohem të të afroj.

17/07/2008 ora 19.01

AJO:

Si një trishtim oriental

Lëshohet dielli mbi det,

Pa dashur të shkojë vetëm

-si unë që në breg të  pres ty

Shenjat të kuptosh.

22/07/2008 ora 13.49

AJO:

Nga Dajti sytë i tres

Ty të kërkoj…

Ai më sjell shkulma pafund resh,

Si lëng  shpirti

Që për ty e grumbulloj…!

24/07/2008 ora 21.39

AJO:

Sa shumë ajër,

Sa shumë det,

Plot ninulla,

Sa shumë… sa shumë

ti… që nuk je…

27/07/2008 ora 23.58

AJO:

Janë një palë sy që janë kudo

Sytë e shpirtit janë

-nuk mund të fshihet e vërteta!

28/07/2008 ora 01.17

AI:

Malli për ty,

Ngulç kohëndalues e shpirt kaplues,

Lind

Sytë tanë

Që sot

Rigjetbashkë  janë

02/08/2008 ora 21.51

AJO:

Hapat e mi kumbojnë në ajrin e plumbtë

Dhe unë me duar e largoj

Për t’i lenë vend frymës tënde

…atë dua të thith

Që në sytë e tu më pas të humb…

04/08/2008 ora 18.23

AJO:

A shkon e vjen si dallgë dëshira?

Zhytur thellë në oqeanin e ndjenjes

Nuk kam nevojë të rri në breg e të pres

Valën, atë, të duhurën

-se, ty të kam.

14/08/2008 ora 20.28

AJO:

E burgosur nga jeta ime

I gëzohem orës së ajrimit,

Dhe harroj ku jam dhe kush jam,

Po çelësi i kohës më plas tek vetmia,

Shpirt ngrënësja skërmitëse e pamëshirshme.

23/08/2008 ora 21.09

AJO:

Si nata me ditën

Jeta ime me ty

Kur vjen njëra

Tjetra ka shkuar

01/09/2008 ora 21.05

AJO:

Si skifter le të nisë fluturimi,

E gjithçka jetës le ti marrë,

I sigurtë se krahët e tua e mbajnë.

04/09/2008 ora 12.13

AJO:

Të dua shumë shpirti im,

Dhe me ty do te shtrihem,

të fle gjumin e dëshirës

19/09/2008 ora 22.18.

 AJO:

Dashuria është si era,

Nuk sheh por ndjen,

Dashuria është uragan,

Që prapë nuk e sheh,

Veç kur veten gjen,

Të zhytur thellë,

Në vorbullën shkatërruese të tij.

23/09/2008 ora 0.51

AI:

Si sizifi shtyj orët-gurë të natës,

Për të parë dritë-agimin e kurmit tënd,

E ti përgjumësh “gjes” më thua,

E krahun ndron

A thua dita kufij të rinj ka.

 24/09/2009 ora 10.02

Please follow and like us: