Carrefour, 1952/A ishte Iliaz (Elyesa) Bazna, spiuni i famshëm ‘Ciceron’ i nazistëve? Ja versioni i gazetarit anglez të ‘The Sunday Chronicle’
Iliaz Bazna ka lindur me 28 korrik 1904 në Prishtinë dhe është ndarë nga jeta me 21 dhjetor 1970 në Mynih
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Qershor 2020
“Carrefour” ka botuar, të mërkurën e 27 gushtit 1952, në ballinë, një shkrim në lidhje me dyshimin mbi identitetin e vërtetë të spiunit të famshëm “Ciceron”, nëse ai ka qenë shqiptar apo britanik, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
“Ciceroni” ishte anglez
Shërbëtori shqiptar mund të ketë qenë vetëm një instrument i spiunit të madh ndërkombëtar, identiteti i të cilit mbetet misterioz…
…parashtron një gazetar britanik, të cilit Bazna i deklaroi: “Do të them të vërtetën kundër 50 milionëve”.
Çështja “Ciceron” ishte arritja më e bujshme e luftës, në çështjet e spiunazhit. Moyzisch, diplomati gjerman, pastaj von Papen në kujtimet e tij, kanë rrëfyer se si shërbëtori i ambasadorit britanik në Ankara mundi të vidhte çelësat e kasafortës, të fotografonte dokumentet që jepnin të gjitha detajet e zbarkimit në Francë, dhe t’ua shiste gjermanëve.
Por, shumë specialistë janë të bindur se e gjithë e vërteta në këtë histori nuk është zbardhur. Henry Thody, një gazetar anglez i “The Sunday Chronicle”, sapo ka shkuar në Stamboll për të tentuar të vërtetojë teorinë e tij. Ai beson se Bazna, shërbëtori shqiptar, i cili ende jeton në Turqi, nuk ishte Ciceroni i vërtetë.
Ky i fundit thuhet se është një anglez, një spiun i shkëlqyeshëm ndërkombëtar me një identitet misterioz, ku shërbëtorin e vogël mund ta ketë përdorur si instrument.
Henry Thody u takua disa herë me Iliaz Baznën (Elyesa Bazna) në Stamboll. Njeriu që pretendon të ketë qenë heroi i kësaj afere të jashtëzakonshme, i popullarizuar nga filmi “Five fingers”, është një krijesë e vogël, e dobët, nervoze, tek të pesëdhjetat, tullac dhe e pajisur me një nofull mbresëlënëse prej ari.
Ai jeton pa para, duke u munduar për të fituar jetesën duke kënduar në kinematë e Stambollit, midis dy filmave. Gjermanët e paguajtën atë me para të falsifikuara. Ai nuk mori asnjë të hollë mbi të drejtat për librat dhe filmin që tregoi historinë e tij. Dhe pesë fëmijët e tij nuk hanë sa duhet çdo mbëmje.
Përveç kësaj, Bazna jeton në një frikë të vazhdueshme. Ai hap derën e tij me kujdes, duke pasur frikë çdo ditë se do ta therin në mes të shpatullave dhe do ta hedhin në Bosfor.
— A jeni vërtet Ciceroni? e pyeti Henry Thody.
— Nëse nuk jam, u përgjigj ish-shërbëtori, e di se kush është. Unë jam i vetmi që i di të gjitha detajet e çështjes. Ato që kanë thënë Moyzisch dhe von Papen nuk janë plotësisht të sakta. Edhe Shërbimi i Inteligjencës do të befasohej me njohjen e vërtetë të çështjes Ciceron…
Baznës i ofruan një milion për të treguar historinë e tij. Ai refuzoi. Ai kërkon pesëdhjetë. Kush do t’ia japë që të dijë më në fund të vërtetën për këtë çështje të çuditshme? Padyshim se askush, sepse në sferat e larta nuk besojnë se shqiptari i vogël di me të vërtetë më shumë se sa është thënë.
Megjithatë, ka disa pika misterioze. Pse kërkoi ai që të paguhej në paund, në vend të arit apo dollarëve? Si diti, një shërbëtor i thjeshtë, të zgjedhë midis dokumenteve të mbyllura në kasafortën e Sir Hughe Knatchbull-Hogessen, ato që kishin rëndësinë më të madhe dhe të cilat do të ndryshonin fatin e milionave njerëzve? Si arriti ai, i vetëm, t’i fotografojë këto dokumente me saktësinë e nevojshme teknike ? Dhe t’i vidhte ato duke shmangur kurthet elektrike që mbante kasaforta?
Të gjitha këto pyetje ndoshta do të mbeten pa përgjigje. Britanikët ndjehen, ende dhe sot, shumë të prekur që ranë në kurthin e një shërbëtori shqiptar në një çështje kaq të rëndësishme. Dhe shumë janë të bindur se do të ishte më mirë për prestigjin britanik, që bota të dinte se Ciceron ishte në të vërtetë një spiun anglez.