Bardhyl Berberi: Atdheu dhe lapangjozët e politikës
Bardhyl Berberi
Emocionuese… Kjo është ajo që ne ndjejmë tani… Askush nuk do të ketë guximin të sulmojë ndonjë gjë që është e jona, diçka e shenjtë. Atdheu ynë, ne të duam pambarimisht! Ne e duam atdheun tonë, prandaj nuk mundemi të mbetemi indiferent kur shohim se çfarë po ndodh rreth tij. Të luftojmë për një Shqipëri të ribashkuar, të sigurt dhe të fuqishme. Është e domosdoshme që edhe në atdheun tonë të sundojë ligji dhe të gjithë të jenë të barabartë para tij!
Ne e konsiderojmë veten me fat në botë dhe na lejohet të thenë se jemi shqiptarë. Është diçka emocionuese që na bën krenarë. E vetmja gjë që dimë, është se rruga e jetës është e pafundme. Një rrugëtim përfundon, një rrugëtim tjetër sapo ka filluar. Një derë është e mbyllur, një tjetër është hapur. Jeta është një udhëtim. Çfarë ju pret pas kthesës së ardhshme, e dinë vetëm ata që vazhdojnë më tej të ecin. Por udhëtimi ynë në këtë Shqipëri hallemadhe qenka i vështirë…
Sot politika shqiptare i ngjan shumë teatri absurd. Në vend të diskutimit serioz të çështjeve më të rëndësishme që ka vendi, parlamentarët tanë derdhin sharje banale, hedhin lloj-lloj plehrash dhe në Kuvendin shqiptar duhet të ‘vendosen kontenjerët’ anës sallës e të mbledhin gjithë ato mbeturina që zbrazen nga palët.
Historia përsëritet. Kur në mungesën e gjërave elementare në këtë pandemi, ekzistenca e njerëzve është në rrezik, ajo të çon në trazira shoqërore dhe përfundimisht do të përfundojë me rebelimin kundër politikëbërësve.
Politikanët tanë janë të ndarë, e kundërshtojmë njëri-tjetrin, e urrejnë. Urrejtja lulëzon në çdo seancë parlamentare, që shoqërohet edhe me skandale të klasit të lartë.
Shqipëria është në rrezik… Ndonjëherë ndryshimet janë të frikshme, por ndonjëherë është absolutisht e nevojshme, por kur nuk ke opozitë dhe e ardhmja është e zymtë.
Opozita bën propozime të reja që kanë në thelb bllokimin e zgjedhjeve, nëse ajo i humbet. Gjithçka bëhet që të ketë ‘shkopinj në rrota’ jo të jetë e pastër. Këto 30 vjet i kemi provuar të gjitha lotët, rënkimet, buzqeshjet e shtira kortezie për të huajtë… Nga hallet e mëdha kemi në gjoks një ulurimë që na qëndron gjithmon zgjuar. Kësaj klase politike dështake populli i ka afruar gjakun, djersën, por dhe lotët nga dështimet e saj. Dëgjon nëpër studio politikanët tanë që e ngrenë volumin e zërit, por harrojnë se rol luan pesha e fjalëve jo bubullima, është shiu që i rrit lulet jo bubullima.
Politika dhe e ardhmja e njerëzimit mbrohet nga individë pa ideale dhe pa madhështi, kush ka madhështi brenda vetes nuk merret me politikë. Tragjeditë e mëdha të historisë së njerëzimit kanë zbuluar burrat e mëdhenj, por kanë zbuluar dhe mediokrit, që u kanë shkaktuar popujve tragjedi. Çdo marrëdhënie njerszore përfshin kompromiset midis pozitës dhe opozitës, por kufiri i kompromisit është dinjiteti, askush nuk ka të drejtë në emër të kompromisit të shkeli mbi interesat e popullit të vet. Gënjeshtrat dhe mashtrimet ndaj popullit kanë një datë skadence. Në fund kur gjithçka zbulohet besimi vdes dhe populli të jep me votë faturën që ti meriton.
Një vend me 300 ditë me diell që e kanë zili shumë vënde të përparuara, me mozaik bukurish që nga Alpet deri tek vija e mrekullueshme bregdetare, me pasuri mineralesh… Ne e duam pakufi atdheun e gjyshërve tanë. Shqipëria ka kaluar nëpër shumë luftëra të përgjakshme vetëmbrojtëse dhe vuajtje massive, por ka mbijetuar se ka patur luftëtarë trima të pushkës dhe të penës jo si këta të sotmit që po e tërheqin atdheun e tyre zvarrë për interest e tyre vetiake dhe abuzive .
E nëse duam fort atdheun, ne nuk duam politikanët e tij lapangjozë që këto 30 vjet çdo ditë na sjellin lajme droge, trafiqe, vjedhje e korrupsion… Na gatuajnë omletë me vezë kukuvajke.
Mos harroni ju, o politikanë të deformuar nga korrupsioni, dallaveret e koncesionet se në këtë vend ka dhe njerëz të mençur e dinjitozë që nuk e shesin shpirtin për një tender apo një grusht me para që ju mund t’iu afroni. Ju çdo ditë na e keni shplarë trurin me skandalet tuaja që një ditë edhe ju do të merrni haraçin e këtij populli fukara…