Bashkim Koçi: Dr.Vasfi Samimi, shkencëtari që luajti me “Fenerbaçe”
Interesant ishte fakti që ai të mundi të çante “rrethimin” për t’u bërë pjesë e skuadrës famëmadhe të Stambolit “Fenerbahçe”
Dr. Vasfi Samimi, shkencëtari erudit që luajti me “Fenerbahçe”
Fati i njeriut për të gjetur rrugën deri tek ai, shpesh duhet të kalojë brenda kushteve që krijon karakteri i tij dhe pasioni që të mund të lartësojë shpirtin drejt gjërave të mëdha. Janë këto parakushte që përcaktojnë dallimin në mes të asaj që ai mund të ishte bërë, dhe asaj që përfundimisht u bë.
Dr. Vasfi Samimi (Visoka) është ndoshta rast i veçantë në Shqipëri ku talenti dhe karakteri është formuar e rritur në stuhitë e jetës dhe se sukseset që arriti në fushën e shkencës së zoo-veterinarisë, apo disa pasioneve që u ngjizën që në moshën e rinisë, i atribohen vetëm maturisë dhe ëndrrave që digjeshin brenda shpirtit të tij, e që nuk u shuan kurrë. Po cili është Vasfi Samim Visoka, i cili mbetet gur i xhevahirtë i plejadës së shkencëtarëve të bujqësisë shqiptare? Ai lindi në vitin 1908 në fshatin Visokë të Mallakastrës, emrin e të cilit ia bashkangjiti mbiemrit, duke e konsideruar fshatin ku ai lindi vend krenarie, por edhe për të mos e harruar origjinën e tij, Mallakastrën.
Prindërit janë të vetmit, të cilët mbeten të obliguar ta duan dhe të kujdesen për fëmijën e tyre dhe, janë po ata kur në një çast nevoje fëmija t’u drejtohet e t’u thotë: kam nevojë për ju. Vasfi Samimi nuk e pati këtë fat. Ai mbeti jetim në moshë fare të vogël, gjë që ishte si paralajmërim se jeta e tij mund të përballej me vështirësi të mëdha. Por në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde. Në rastin e fëmijës së vogël, Vasfi Samimi, ata që iu gjendën, dhe nga të cilët dëgjoi fjalëzat që çfaqnin dhemsuri “mos qaj!”, ishin të dajallarëve të tij, të cilët në ata vite ishin vendosur për të jetuar në Stamboll. Pra tashmë do të ishte Stambolli qyteti ku ai do të shkollohej dhe do të formohej si njeri, por edhe do të dashurohej me ca pasione të tjerë, të cilët e lanë “zgjuar” për të gjithë jetën. Shkollën fillore e mbylli me rezultate të shkëlqyera, gjë që e trimëroi të ishte i përqëndruar dhe i vendosur të ndiqte ëndrrat e tij për të vazhduar të lëvizte drejt qëllimeve të mirëmenduara për arsimim. Vijoi të studjonte në gjimnaz për t’u kompletuar e që të kishte qetësinë për të pranuar se kur ke fuqi e formim për të ndryshuar gjërat, mundesh. Ka qenë ky pasion e besim që Vasfi Samimi të ishte i gatshëm, të punonte shumë, madje të arrinte gjithçka që dëshironte apo që ia kish vënë detyrë vetes. Një nga këto detyra, e që ai punoi fort ishtë përfundimi me shumë sukses të fakultetit të Veterinarisë ku u diplomua si “Mjek Veteriner”. Ishte viti 1927.
Thuhet se gjërat për të cilat njeriu është i pasionuar nuk janë të rastit, por janë thirrje që vijnë nga brenda shpirtit. Për Vasfi Samimin një nga pasionet, i cili mbeti “zile” që e zgjonte të ishte i dashuruar pas tij, ishte futbolli. Për këtë “dashuri” të pazakontë ai i vendosni qëllime të larta vetes, gjë që e ndihmoi për të mos u ndalur deri sa të arrinte aty ku deshi. Ishte koha që vendosja e qëllimeve të ështe hapi i parë në kthimin e të padukshmes në të dukshme. Dhe kjo e “dukshmja” për Vasfiun ishte fakti që ai të mundëte të çante “rrethimin” për t’u bërë pjesë e skuadrës famëmadhe të Stambolit “Fenerbahçe”. Dhe ia arriti. Me ekipin lider të Stambollit, “Fenerbahçe”, Vasfi Samimi e filloi si portier i dytë dhe në dy sezone të rregullta në vitet 1927-1928 luajti me ekipin e parë. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe Vasfi Samimit i shërbeu si një mësim se njeriu mund t’i arrijë synimet në jetë kur di se ku po shkon. Eshtë vendi të sjellim edhe faktin tjetër se Vasfi Samimi është njëri nga futbollistët e parë shqiptarë që ka luajtur jashtë vendit (në Turqi) në një sezon të rregullt futbollistik, para dy futbollistve me emër të madh, Riza Lushtës dhe Loro Boriçit në Itali.
Për të mos u larguar nga jeta e Vasfi Samimit në Stamboll, do të mbetej e mangët mosnxjerrja në dritë, madje me ndriçim të fortë, edhe një pasion i dytë i tij, siç ishte gazetaria dhe krijimtaria letrare. Ai e ushtroi gazetarinë, madje u bë emër i njohur, mbasi punoi për gazetën më të madhe të Turqisë, “Hyrrijet”, por edhe me revistat që konsideroheshin të mëdha e serioze si “Serveti Fumun”, “Resimli-Aj”, “Vakit” etj. Në fushën e krijimtarisë letrare ai u përpoq të shkruante disa drama, një pjesë e të cilave u vunë në skenë me sukses nga trupa teatrale me emër në Stamboll, në Zskzdar e në Kadikoy.
Por vjen çasti kur njeriut i duhet të marë një vendim, i cili më pas bëhet shkas për rrjedhën dhe fatin e jetës së tij. Ashtu si ndodhi edhe me Vasfi Samimin. Ishte momenti kur Dr. Bilal Golemi (1899-1955), shkencëtari që hodhi bazat e zooteknisë si shkencë, ai që themeloi shërbimin veterinar e që ngriti laboratorin bakteriologjik per herë të parë në Shqipëri, duke përgatitur vaksina, serume dhe biopreparate të tjera, bëri këtë thirrjen publike për specialistët shqiptarë, të cilët ndodheshin jashtë Atdheut: “Shqipëria ka shumë nevojë për veterinerë, mjekë etj., ndaj çdo intelektual, kudo që ndodhet, këtu do të pritet mirë”. Mjeku veteriner Vasfi Samimi, i porsa diplomuar, ndoshta ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes me sens aq patriotik të Dr. Bilal Golemit. Ai, ashtu si edhe shumë patriot të tjerë, gjeti rastin t’i shërbente vëndit të tij për atë çka ishte përgatitur, për atë çka dinte të bënte.
Vasfi Samimi, për vet karakterin e tij të fortë, kishte zgjedhur të ishte skllav i punës dhe i pasioneve rinore, të cilët e thërrisnin të qëndronte zgjuar. Ai nuk e kundërshtoi përzgjedhjen që iu bë për të punuar në shërbimin zooteknik në prefekturën e Vlorës. Sigurisht që nuk mund të linte mënjanë “punën e dytë”, atë të futbollit. E si mund të mendohej që portieri i “Fenerbahçe” të Stambollit të mos aktivizohej menjëherë me skuadrën e qytetit të Vlorës? Një njeri i kompletuar ka qetësinë për të përballuar punët, sado të vështira e komplekse që mund të jenë, por ka edhe fuqinë për të ndryshuar gjërat. Përfitimi i një burese 2-vjeçare për specializim në Universitetin e Berlinit, ishte dhurata më e çmuar për një specialist pasionant dhe kërkues ndaj vetes si Vasfi Samimi. Ai i filloi studimet në vitin 1929 dhe mbaroi më 19 dhjetor të vitit 1931, duke e mbrojtur desertacionin me vlerësimin “sehr gut bestanden”, që në shqip do të thotë “Shumë mire”. Ky vlerësim i lartë u shoqërua edhe me gradën e lartë shkencore “Doktor i mjekësisë së veterinarisë”. Por aty në Berlin, përveç mësimit dhe përvetësimit në shkallë të lartë të gjuhës gjermane, Vasfi Samimit iu dha rasti të shikonte dhe të shijonte kulturën perëndimore, madje herë-herë u bë pjesë e saj. Nuk ishte rastësi që ai të ndiqte rregullisht kurset për aktrim, duke qënë edhe admirues i shkollës të Max Reinhardit, mësuesit të Aleksandër Moisiut. Ai ndjehej kryelart për famën që kishte në Berlin ky aktor me origjinë shqiptare, por ca më shumë ndjehej i tillë kur i ndiqte çfaqjet drejtpërdrej, duke iu thënë shokëve të kombeve të ndryshme se Aleksandër Moisiu ishte bashkëkombas i tij, pra ishte shqiptar. Për këto mbresa që i lanë studentit Vasfi Samimi, ai nuk harroi t’i hidhte në letër, të shkruante rreth pesë artikuj të veçantë dhe të jepte opinionet e tij për aktorit austriak me origjinë shqiptare. Tashmë, kur ai ishte armatosur me dije dhe dituri perëndimore, ndjehej i aftë për kryer çdo detyrë që mund t’i ngarkohej dhe ishte shumë i sigurt në vetvete për të nxjerrë rezultate nga duart e veta. Këtë forcë besimi ia jepte fakti që kish marë vlerësime të larta nga pedagogët me emër në fushën e shkencër së veterinarisë që punonin në institucione arsimorë presigjiozë, siç ishte Universiteti i Berlinit. Emërimin si Shef i Zooteknisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve e priti si ai njeriu që është besimplotë dhe që i thotë punës “ja ku më ke”. Por kjo detyrë nuk zgjati shumë. Në shtator të vitit 1933, falë përgatitjes dhe zotësisë për të kryer detyra më të larta, më të specializuara për shkencë të aplikuar, atij i ngarkohet detyra e Drejtorit të Veterinarisë, duke zëvëndësuar “të pazevëndësueshim” Dr. Bilal Golemi. Eshtë vëndi të themi që në këtë detyrë kaq të lartë Dr. Vasfi Samimi e mori me zemër të thyer. Ai kishte shpirt të madh, të panjollosur me prapësi e ligësi. Dhe në rastin konkret, pra caktimi në postin, në vendin që deri atëherë e kish drejtuar Dr.Bilal Golemi, dhe kur ky i fundit u burgos nga Zogu si pjesëmarres në lëvizjen e Vlorës, nuk mund ta mbushte, pra të ishte i qetë dhe të harronte atë çka e mundonte brenda vetes. Madje kjo ngjarje u bë shkak që ai të mos mërrej kurrë më politikë, apo të bëhej shërbëtor i saj. Përkundrazi, ai iu fut punës me zell e pasion për të vënë në binarë shkencorë shërbimin veterinar dhe atë zooteknik. Nga çfletimi i dokumentave dhe i arkivit, të cilin ai e ka trajtuar si pasurinë e tij më të çmuar, gjen thesarë të vërtetë, gjen pa asnjë dyshim të gjithë historinë e atyre viteve që kanë rregjistruar zhvillimet dhe punët që janë bërë në shërbim të sektorit të blegtorisë. Aty gjen studime të mirëfillta, raporte dhe statistika që trajtojnë probleme të ditës si dhe shumë të dhëna të tjera, të cilat i bëjnë “autopsinë” më të vërtetë, më të besueshmen, lidhur më zhvillimin e kësaj dege të ekonomisë të asaj periudhe që përfshin vitet 1933-1940. Por në arkivin e njeriut të ditur e të kulturuar Dr. Vasfi Samimi nuk mungojnë as ca gjëra “të vogla”, siç janë shkresa e letra të shkruara me shkrim dore që diktojnë porosi për shërbime të ndryshme në blegtori apo dokumenta të tjera me shumicë, të cilët pasqyrojnë atë që ai e konsideronte gjënë më të mirë nga mund të vinte suksesi: komunikim të pandërprerë me kryeveterinerët e qarqeve dhe qyteteve, apo edhe organeve të qeverisjes vendore në bazë.
Për njeriun me talent dhe që çfaq dashuri për punën nuk ekzistojnë pengesa. Dr. Vasfi Samimi ishte përfaqësuesi më i denjë i kësaj rrace njerëzish. Pra qoftë respektin ndaj tij, apo vlerësimin për punën e kualifikuar që bënte, ishin produkte të tija vetiake, ishin “presion” që rridhte falë kapacitetit të tij intelektual e profesional. Ishin këta tregues që në vitin 1940 ai të emërohej Inspektor Epror i Blegtorisë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në fund të nëntorit të vitit 1944.
Kam lexuar diku nga një mendimtar se sa më shumë i ndershëm të jetë njeriu, aq më i keq është fati i tij. Dhe kjo shprehje më erdhi ndërmend në çastet kur u njoha me jetën dhe peripecitë e Dr. Vasfi Samimit. Mësova se në dhjetor të vitit 1944 ai ishte arrestuar, ishte gjykuar dhe, më tej, ishte dënuar me 3 vjet heqje lirie. Arsyja pse e dënuan ishte se ai kishte shërbyer gjatë qeverisjes të qeverisë Kujslinge. Në fakt Dr. Vasfi Samimi gjatë atyre viteve nuk ishte bërë pjesë në asnje formacioni politik e as i kishte shkuar mendja të mbështeste këtë apo atë grupim që vepronte në dëm të Shqipërisë. Ai ishte thjesht një specialist, një intelektual, i cili i kishte vënë krahët dhe mendjen punës. Sigurisht, duke parë rrethanat dhe vlerat e padiskutueshme të tij, por edhe si njeri paqësor që dinte vetëm të lexonte e shkruante libra, “kompetentët” e lanë të lirë, duke përfituar nga amnistia e parë e vitit 1946. Por lirinë ia dhanë disi të kontrolluar, duke e caktuar specialist të thjeshtë në Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit.
Dr.Vasfi Samimi nuk ishte nga ata njerëz që të shkatërrojnte karakterin me atë që ai e kishte ndërtuar me mendjet e tij. Madje, duke qenë me kulturë të lartë, të vetmen gjë që dinte ta bënte mirë ishte puna e ndershme, pa hile e djallëzi. Falë kësaj dhuntie atë shumë shpejt, pasi ai arriti rezultate të larta teknike, drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë e emëruan në një detyrë paksa vlerësuese, “Shef operativ” për problemet e blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë. Sidoqoftë hija e “njeriut me njollë” nuk iu nda asnjëherë.
Njerëzit e suksesshëm mbajnë një fokus pozitiv në jetë, pa marrë parasysh se çfarë po ndodh rreth tyre. Nëse do të përzgjidhnim apo të kërkonim një të tillë nga specialistët e blegtorisë të atyre viteve, pa diskutim që ai do të ishte Dr. Vasfi Samimi. Ai e kapte suksesin jo thjeshtë nga formimi i lartë professional, por edhe sepse ishte njeri me kulturë, që e dinte peshën e ndershmërisë kur bëhej fjalë për punë të mirë e të paqme. Kjo gjë atë e veçonte shumë nga të tjerët, nga kolegët, eprorët apo vartësit. Pra ai mund të lodhej nga çdo gjë, por jo nga puna. Dhe kjo veti e tij nuk mund të mbetej pa u vëzhguar e kapur nga organet e emërtesës për ta ngjitur në pozicion më të lartë, madje që përputhej më nivelin e tij profesional. Nga infermier në fermën e Sukthit, Dr. Vasfi Samimi bën hapin e madh, duke u emëruar pranë Institutit të Veterinarisë në Shkodër, aty ku do të shkëlqente për talentin dhe dashurinë ndaj profesionit, por edhe të këmbnguljes së tij me mendimin se rezultati duhej të arrihej me çfarëdo lloj kostoje. Po të kemi parasysh se ai kishte studjuar e ishte kualifikuar në shkollë të sistemit arsimor Gjerman, domosdo rezultatet do të ishin të një niveli të admirueshëm. Ai punonte me mendje e me zemër, mbështetur në kërkesat më të larta që diktonte shkenca e veterinarisë. Në këtë anë të vlerësimit si specialist duhet thënë se ai ishte apsolut. Madje rreth nivelit arsimor e shkencor të Dr. Vasfi Samimit po sjellim një fakt të deklaruar nga specialistë të nivelit të lartë rusë, të cilët mbetën të mahnitur përpara dijeve të tij, gjë që e shprehën edhe me fjalë: “Ne s’kemi se çfarë t’i mësojmë atij njeriu, pasi ne jemi nxnësit e tij”.
Dr. Vasfi Samimi vite më pas u transferua në një front tjetër, atë të mësimdhënjes, duke u bërë pjësë e trupës të pedagogëve të fakultetit të Veterinarisë, pranë Institutit të Lart Bujqësor (sot UBT). Ai edhe aty u çfaq ai që ishte, mjeshtër i komunikimit dhe personalitet që dinte të përcillte mesazhe plot ide. Unë, shkruesi i këtyre radhëve, në ata vite isha student, por jo i fakultetit ku ishte pedagog Dr. Samimi. Sidoqoftë mbaj mend mirë kur ai vinte nga Tirana në Institut, bashkë kolegët pedagogë të Institutit, të cilin e bënte të dallonte nga të tëtjerët trupi i lartë, eleganca në të ecur dhe çanta prej lëkure që mbante në dorë, të mbushur dëng me libra. Janë breza të tërë specialistësh të zooveterinarisë, të cilët kanë patur fatin të komunikonin dhe të ishin “sy e vesh” kur jepte leksione Dr. Vasfi Samimi. Dhe kjo “magji” ishte rezultat i sjelljes dhe kapacitetit që dispononte si intelektual e shkencëtar. Deviza e këtij mjeshtri të madh të mësimdhënjes ishte paksa e orjentuar nga jeta, nga praktika. Unë, u thoshte ai studentëve, mund t’ju mësoj gjithçka që di, por mos harroni se vetëm eksperienca do t’u bindë për vërtetësinë e atyre që i kini mësuar në auditorët e shkollës.
Nga pikpamja e dijeve dhe e kapacitetit rreth filozofisë së jetës mund të themi se Dr. Vasfi Samimi ishte erudit. Njohuritë e thella që ai bartëte në shumë fusha të jetës e bënin të ishte i pranishëm në debate, në rrahje mendimesh apo të prononcohej publikisht për çështje madhore, larg profesionit të tij si zooveteriner. Ai guxonte të bëhej pjesë e debatit edhe me personalitete të mëdhenj, “të paprekshëm” në fushat që ishin kualifikuar. Po sjellim vetëm një fakt. Dr. Samimi, përpos të tjerave, ishte samiolog, pra njohës i mirë i rilindësit tonë të madh, Sami Frashërit. Me këtë figurë, me kontribute të jashtëzakonëshme për çështjen kombëtare, janë angazhuar intelektualë me emër si Zija Xholi, Kristo Frashëri, Esat Reso, Zyber Bakiu, Shaban Çollaku, Nexhip Alpini (Ankara) e shumë të tjerë. Në një shkrim të studjuesit Dr. Laurant Bica për Dr, Vasfi Samimin si samiolog, dalin në dritë disa nga vlerat e tij si erudit, si studjues kompetent, aq sa ai, pra Dr. Vasfi Samimi, të ishte në gjendje t’u bënte “vrejtje” Prof. Ktisto Frashërit e Zia Xhlit për çështje që “fironin” sadopak të dhënat për Rilindësin e madh. E meqë jemi tek vlerat intelektuale të Dr. Vasfi Samimit më duhet të sjell fjalët e një profesori turk, Abdylkader Hajber, i cili nuk ka nguruar ta cilësojë si “intelektual të jashtëzakonshëm” apo “personalitet i jetës akademike”.
Dr. Vasfi Samimi ishte njohës i shkëlqyer i gjuhës turke, të cilën e fliste si ta kish gjuhën e nënës. Edhe të gjuhës gjermane, e cila pati ndikim të fuqishëm në konceptimin e jetës, tek serioziteti dhe vendosmëria për t’i çuar punët e nisura deri në fund dhe të qënit sestematik në të gjithë veprimtarinë e tij shkencore. Ky pasion i vërtetë, që digjej brenda shpirtit të tij, ishte ai që nuk mund të shuhej kollaj. Falë kësaj këmbënguljeje për të lënë gjurmë në ato fusha që ai e ndjente veten kompetent, sot mund të numërojmë jo pak vepra e dorëshkrime me vlera kombëtare. Me përkujdesjen dhe punën profesionale të Dekanit të gazetarisë, Prof. Hamit Boriçit, e gjithë krijimtaria e eruditit Dr. Vasfi Samimi është botuar në një seri librash me 28 vëllime, ku trajtohen probleme të shkencës së vetërinarisë, të sportit, të artit e kulturës dhe çështje që lidhen me empacipimin e shoqërisë shqiptare. Por libri i tij i parë mbetet të jetë “Nëna Kosovë”, libër i shkruar me shumë dashuri e që përfshijnë përshkrime nga më frymëzueset të autorit, të shkruatura në vitet 1938-1943. Në rrjedhën e punëve si shkrimtar e gazetar vend vlerësue zë edhe monografia “Dr. Bilal Golemi” me bashkëautor Dr.Hulo Hajdërin.
Personaliteti i bujqësisë shqiptare Dr. Vasfi Samimi (Visoka), ishte dhe mbeti nga ata njerëz që gjatë gjithë jetës e mbajti kokën lart, që nuk u kënaq kurrë me horizontin, por kërkoi pafundësinë. Për kontributin dhe vlerat e tij si intelektual ai në vitin 2008 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Ndërkohë, Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë për çdo vit, për ndër të tij, vlerëson shkrimin më të mirë të vitit me çmimin “Dr. Vasfi Samimi”./telegraf/