Bashkim Koçi: Janko Pali, mësuesi që la Parisin për Qeparonë
“Unë në gjuhë të tjera edhe mund të flas, por kur më dhemb shpirti vetëm shqip bërtas.”
Janko Pali, mësuesi që la Parisin për Qeparonë
Nëse do të më kërkohej një emër, një personalitet me kontribute të mëdha për breza njerëzish për të gjithë zonën e Bregut, nuk do të mendohesha gjatë, sepse ai që ka zënë radhën i pari, e që në fushën ku ka shërbyer nuk ka një të dytë, është Janko Pali i Qeparoit. Po përse na qenkërka i veçantë, “në xhep më vete” ky Janko Pali i Qeparoit? Përgjigja e kësaj pyetjeje, edhe nëse mund ta kërkojë dikush andej nga Bregu, është shumë e thjeshtë: sepse nëse puna e çmueshme, e veçantë i njerëzve, i kujtdo qoftë, është i pavdekshme, ai i një mësuesi, si i Janko Palit, është jo vetëm i pavdekshme, por edhe hyjnore. Thuhet se në një shoqëri normale më të mirët janë mësuesit e pjesa tjetër u përket kategorive të tjera të veprimtarisë njerëzore. Jeta, çfarëdo që nuk është në dorën tënde, shpesh vjen me të papritura, madje edhe me prapësi e gjëma të pariparueshme që në hapat e para të jetës. Ashtu si ka ngjarë me Janko Palin e Qeparoit. Paksa e dhimbshme, por edhe me peripeci që e ndoqën gjatë gjithë jetës si të ish “i përzgjedhur” nga ata që mund të përballeshin me të keqen e në fund të dilnin fitimtarë.
Janko lindi më 20 korrik të vitit 1898 në fshatin Çoban Ishah të Izmirit, në Turqi. Prindërit e tij, bashkë me disa të tjerë nga Qeparoi, nga gjaku i tij, kishin emigruar vite të shkuara, duke u marrë me punë të ndryshme, por të ardhurat ishin të pamjaftueshme, aq sa nuk mundën të ngrinin kokën kurrë. Këtë e bëri më të vështirë vdekja e babait, Llambros, kur Janko ishte vetëm 10 -muajsh. Ndarja nga jeta brenda vitit edhe e xhaxhait, Pilos, i cili ishte krah i fortë për të gjithë fisin e vendosur aty në Izmir, e bëri të ardhmen edhe më të zymtë, pa perspektivë për të qëndruar gjatë si emigrantë. Ishte viti 1900, kur e ëma e mori në krahë djalin e vogël, vetëm 4 -vjeç dhe vendosi të kthehet në fshat, në Qeparo. Vitet iknin shpejt, por ditët më të bukura për Janko Palin, ishin ato kur ai u gjend në bankat e shkollës, aty ku, si të gjithë moshatarët e tij, besonte se dituria nuk vjen kurrë të të gjejë nëse ti nuk e kërkon. Por për fatin e tij të keq, mësimet i mori në gjuhën greke, sepse ishin vitet kur Shqipëria vazhdonte të qëndronte nën sundimin e Perandorisë Turke. Patriakana greke, propaganda e saj keqdashëse për gjuhën shqipe, ndjehej e fortë, si të ishte në shtëpinë e saj, gati në të gjithë fshatrat e Bregut ku bënte pjesë edhe Qeparoi. Ishte viti 1912, pra pak muaj përpara shpalljes së Pavarësisë që Janko Pali të përfundonte shkollën 7-vjeçare, edhe pse në gjuhën greke, me rezultate të shkëlqyera.
Janko Pali si Henrik Ibsen
Kur u njoha me jetën dhe vuajtjet e Janko Palit mendja më shkoi tek shkrimtari i madh norvegjez, Henrik Ibsen i cili, për shkak të varfërisë së familjes, u detyrua të bënte punë të rëndomta, por edhe të rënda për të çarë “rrethimin” nga varfëria. Edhe Janko Pali, megjithëse ishte nxënës shumë i mirë, nuk mundi të vijonte shkollën normalisht, ashtu si edhe dëshironte. Në kërkim të ndonjë pune, rreth dy vjet, nuk iu dha rasti të mund të fillonte diku, qoftë edhe me pagë të vogël, deri sa një ditë u detyrua të pranonte të ishte çirak, shollëbërës, në dyqanin e bashkëfshatarit të tij, Kiço Savës. Aty qëndroi vetëm një vit. Jo pse e injoroi zanatin, apo ta ndjente veten të fyer pse punonte si shollëbërës, por ai shikonte se me aq pak të ardhura, nuk mund çahej muri i varfërisë. Në Qershor të vitit 1914, pasi u bind që nuk mund të shtyhej më duke ëndërruar, vendosi të emigrojë në Greqi. Guxoi të shkonte në shtetin fqinj, jo vetëm se dinte shumë mirë gjuhën greke, por edhe sepse në Athinë, aty ku mendoi të vinte, kishte disa kushërinj të babait, të cilët kryenin punë të ndryshme, por dhe që kishin njohje dhe mundësi për ta sistemuar në ndonjë punë krahu. Por, siç thotë populli, “peri këputet aty ku është më i hollë”, Janko jetimi, aty punoi vetëm disa muaj sepse u sëmur dhe, me atë gjendje të rëndë shëndetësore, nuk ishte për asgjë. Ishte prilli i vitit 1915 kur ai vendosi të kthehej në shtëpi, pranë nënës, në Qeparo. Janko Pali ishte nga ata njerëz që i ndjente si nevojë vështirësitë dhe rezistencën, duke i konsideruar ato të domosdoshme për të fituar forcë shpirtërore. Dhe mendonte kështu kur ishte vetëm 17 vjeç. Duke u ndjerë mirë, disi i shëruar nga sëmundja nga e cila vuante, vendosi të bënte një zgjedhje tjetër, duke mos u menduar gjatë nëse kjo çka vendosi të ishte e drejtë apo e gabuar. Ai mendoi vetëm një gjë: Çdo e mirë nuk vjen lehtë. E rëndësishme ishte për Jankon që atë çka kërkonte, ta dëshironte. Në këto kushte shpirti i tij mund shërohej vetëm me punë. Dhe rasti i erdhi. Me ndërmjetësinë e njeriut të familjes, Leonidha Palit, mori rrugën për në Pire, aty ku do të punonte si nxënës teknik në ofiçinën e trenave të linjës Pire-Larisa. Mirë puna, po shkolla? Janko mbante mend një këshillë që arsimimin njeriu duhet ta kërkonte edhe nëse ai mund ta shpinte deri në Kinë. Nisur nga kjo porosi e të parëve u regjistrua në shkollën profesionale, natën, pa u shkëputur nga puna. Mirëpo kjo “mbarësi” zgjati vetëm disa muaj. Në muajin nëntor të atij viti mbeti përsëri pa punë, gjë që e shtrëngoi aq shumë sa u detyrua të lërë dhe shkollën. Por “Ibseni” nga Qeparoi nuk mund të thyhej kollaj. Pa humbur kohë mori rrugën për në Llavrio, aty ku mundi të futej si ndihmës-farkëtar në ofiçinën e Shoqërisë Frënge të Minierave Greke. Edhe prapësitë nuk iu ndanë. Nuk paskësh mjerim më të madh se sa të ishe i pakënaqur me fatin tënd, ashtu si e ndoqi djaloshin Janko Pali. Aty në Llavrio punoi vetëm pak muaj. U detyrua të kthehet përsëri në Pire, aty ku gjeti rastin të regjistrohej në Konsullatën e Francës për të shkuar si emigrant ekonomik në Francë. Çuditërisht përgjigja nuk zgjati shumë, aq sa në muajin qershor të vitit 1917, ai mbërriti në Marsejë. Aty u angazhua si ndihmës-mekanik, në një ndërmarje të madhe në Pont de Cheruy, shumë afër Lionit. Qëndroi vetëm 10- muaj, sepse në shkurt të vitit 1918, me interesimin e një shoku grek, që e kishte njohur në Pont-de-Ceruy, i trokiti fati që të shkojë aty ku ëndërronte, në Paris.
Nga “Qyteti i Dritës”, në Qeparo
Sigurisht për njeriun, e sidomos për një emigrant si Janko Pali, atë çfarë do të gjesh, të mirë apo të keqe, varet nga se çfarë kërkon. Edhe çfarë do të humbësh, varet nga se çfarë neglizhon. Nuk se Parisi do ta priste Janko Palin “krahëhapur”, madje atij iu desh të përjetonte edhe ndonjë zhgënjim. Megjithatë, sistemimi me punë në uzinën “Salmson”, e ndihmoi shumë që ai të njihej me jetën e “Kryeqytetit të Botës”, Parisit, të mësonte dhe të edukohej me kërkesat e qytetërimit modern, por kurrsesi ta shkëmbente me fshatin e tij të lindjes, me magjinë e Planetit, Qeparonë. Shkurt-1918, dhe deri më 4 tetor të vitit 1928, u bënë fiks 10- vjet, por që shënon edhe momentin që Janko Pali të linte Parisin. Ishte vendim pa kthim prapa. Për rreth dy javë ai udhëtoi nëpër Greqi dhe pasi takoi në qytetin e Pireut njerëzit e tij të zemrës, xhaxha Leonidhën, i cili i ishte gjendur në ditët më të vështira të jetës, më 17 tetor u kthye përfundimisht në fshatin e tij të dashur, në Qeparo.
Pavarësisht pengesave që hasi, Janko Pali ishte i vendosur se lumturinë mund ta gjente e ta gëzonte pa arritur të shiste shpirtin. Ishte 20 tetori i vitit 1928, vetëm pas disa ditëve që ai ishte kthyer në vendlindje, të merte detyrën e mësuesit, profesionin e tij aq të dashur, të cilin nuk do ta braktiste sa të ishte gjallë. Në shënimet e shumta të tij të atyre viteve gjen të shkruara se si e ka përjetuar momentin e marrjes së detyrës së mësuesit, emocionet dhe faktin që tani e tutje do të shërbente në vendin e tij, për Shqipërinë. Por “kërcimi” nga punëtor krahu, në pozicionin e mësuesit, Janko Palin e vuri përpara ca detyrash sa serioze po aq edhe të vështira. Në radhë të parë i duhej të ndryshonte mendjen e vet që të ishte i aftë të mund të ndryshonte mendjen e të tjerëve. Vitet që kaloi në emigracion nuk i mallkoi e as i konsideroi të humbura. Sepse ishin ata vite, ishin ato vuajtje që ai të kish fituar përvojë e të bëhej i aftë për të kryer misionin fisnik të mësuesit. Ndoshta mungesa e “dokumentit” që të vërtetonte se ai ishte kualifikuar për të dhënë mësim, pra që të ishte mësues, bëri që Janko Pali, falë përgatitjes në mënyrë të pavarur, si autodidakt, arriti ta kryente detyrën shumë më mirë se mësuesit me diplomë. Po sjellim një fakt i cili të çudit kur e dëgjon, në mos të duket si i pavërtetë. Janko Pali, meqë ishte koha kur kishte mungesa të theksuara tekstesh shkollorë, guxonte të kopjonte, t’i përkthente dhe t’i përshtaste për kushtet e Shqipërisë. Tekstet shkollore i porosiste vetë, të cilët kryesisht ia dërgonin miq të tij nga shtete të tjerë, por sidomos nga Greqia, Franca e Zvicra. Është vendi të themi se Janko Pali zotëronte disa gjuhë, si anglishten, frëngjishten, italishten, spanjishten, greqishten, rusishten dhe deri diku edhe gjermanishten. Pa më të voglin dyshim ai ishte një erudit i vërtetë. Por mbi të gjitha gjuhët e botës ai vinte shqipen, gjuhën e nënës. Mbahet mend edhe sot një thënie brilante e mësuesit qepariot Janko Pali kur thoshte: Unë në gjuhë të tjera edhe mund të flas, por kur më dhemb shpirti vetëm shqip bërtas.
Pas shërbimit ushtarak, dy fjalë tek varri i Naimit
Në vitin 1932 mësuesi Janko Pali, thirret që të kryente shërbimin ushtarak. Falë formimit të tij, ushtrinë e kreu pranë shkollës së Oficerëve të Plotësimit në Tiranë. Si njeri i përgatitur dhe shumë serioz në kryerjen e shërbimit ushtarak, komanda e gradon “aspirant në rezervë të ushtrisë shqiptare”. Pjesën tjetër të shërbimit ushtarak, plot 12 muaj, e kaloi në seksionin e xhenios, për t’u specializuar më pas në ndërlidhje, si radio-telegrafist. Pra edhe nga shërbimi ushtarak, Janko përvetësoi shumë për t’u kthyer pastaj përsëri në detyrën që ushtronte më parë, si mësues. Por është koha që ai ndërmori një lëvizje me shumë përgjegjësi: Menjëherë pasi kreu shërbimin ushtarak, në vitin 1935 vendosi të shkojë në Elbasan, në shkollën Normale, që të jepte provimet e aftësisë Pedagogjike, për të vërtetuar zyrtarisht se ishte kompetent për të qenë një mësues i mirë dhe i përshtatshëm për të edukuar brezin e ri. Pasi qëndroi aty disa kohë dhe mbasi dha provat sipas programit në të gjitha lëndët që jepeshin në Normalen e Elbasanit, shkollë e specializuar për të përgatitur mësues, u kthye në fshat i graduar si krye-mësues, duke marrë dhe përgjegjësinë e shkollës dhe ushtrimin në klasat më të larta. Fjala dhe veprimi i mësuesit ndikon në çdo gjë dhe është në sy të të gjithëve. Askush nuk mund ta thotë se kur mbaron influenca e tij. Kjo çka themi e gjejmë edhe në veprimtarinë e Janko Palit. Më 7 Prill i vitit 1939 ai, me 19 shokë të tjerë nga fshati Qeparo, shkuan si vullnetarë kundër invadimit të Italisë fashiste. Në muajin maj të atij viti, të gjithë arsimtarët e Vlorës, 45 në numër, morën njoftimin të shkonin në Tiranë, ku mëkëmbësi i Mbretit i kërkonte të organizuar për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të eshtrave të poetit tonë të madh Naim Frashërit, të sjella nga Stambolli. Mësuesi i Bregut, Janko Pali, u zgjodh nga një përfaqësi për të folur në lidhje me rëndësinë e kësaj ceremonie, por edhe për të thënë disa fjalë të zjarrta zemre, ashtu si një shpirt i vërtetë që nuk ka nevojë t’i fshehë mendimet e tij për një poet e madh rilindës si Naimi.
Në kamp përqëndrimi si anti-grek
Janko Pali nuk ishte i ngurtë në profesionin e mësuesit. Ai ishte vigjilent dhe i aftë për të kuptuar qëllimet e këqija, siç ishin, fjala vjen, ato të kishës greke. Mësues Jankon e tmerronte kjo politikë dashakeqe ndaj nuk mund të mos këshillonte nxënësit e tij se ç’farë dëmi kishte kombi ynë në shërbesat fetare që bëheshin në gjuhën greke. I zemëruar nga ky fenomen, madje edhe i irrituar kur përballej me të, tentoi disa herë që disa gjëra gjatë meshës të thuheshin në gjuhën tonë amtare, në gjuhën shqipe. Ishte ky shkaku që në kohën e okupacionit grek në vitin 1941 të akuzohej si anti-grek. Në vjeshtë të atij viti, për fat të keq, sapo grekët pushtuan vendin dhe nuk kaluan as dy tre ditë, disa elementë të brendshëm kishin hapur fjalë se Janko Pali, sipas tyre, ishte kundër politikës greke ndaj vendit tonë. Në këto kushte ai një ditë arrestohet dhe e përcjellin për gjithë natën në komandën e Divizionit Grek në Kudhës, në byronë e II, nën akuzën “shqiptar i rrezikshëm dhe mik i italianëve”. Kapitenit grek, i ngarkuari për hetimet paraprake, Janko Pali iu përgjigj me kurajo dhe vendosmëri qysh në pritjen e parë, duke mbrojtur kombësinë e tij shqiptare dhe duke refuzuar kategorikisht shpifjet se ishte kundër kishës greke. Të gjitha ato akuza ai i quajti të rreme dhe të fabrikuara qëllimisht kundër tij. Zyrtarët grekë, pa marrë parasysh asgjë nga këto argumente, përgatitën dokumentet e burgimit dhe e përcjellin për në Delvinë, Janinë e më pas për në kampin e Përqëndrimit, në Athinë. E gjithë kjo ka ndodhur në janar të viti 1941, ku së bashku me 13 shqiptarë të tjerë dhe rreth 200 robër italianë dalin në Prevezë. Të strehuar nëpër kazermat filloi jeta e robërisë, në kushte tmerrësisht të padurueshme e që zgjati deri më 25 Prill të atij viti. Disa ditë më pas u shpërngulën në kampin famëkeq të Koqinjasë, në Pire. Mësuesi Janko Pali ka lënë disa kujtime rreth asaj çka ndodhte në kampin-varr të Koqinjasë. Kampi aty mbushej e aty zbrazej, tregon në kujtimet e tij Janko Pali. Të gjithë ishin robër që vinin nga të gjitha ekstremitetet e shtetit grek. Aty, thotë ai, pashë që kaluan mijëra kufitarë nga Maqedonia, nga Thraka, por sidomos nga Çamëria. Burrat çamë, të cilët nuk gëzonin besimin tek grekët, i shpërngulën dhe i internuan në kampin famëkeq të Koqinjasë, në Pire, disa në Pillos e disa në Mitelini. Me mijëra çamëve, kujton mësuesi, u zinin sytë dhe i torturonin. Shumë prej tyre i lanë kockat nëpër kampet e burgjet e vdekjes.
Përsëri pranë familjes, në Qeparo
Thuhet se ndonjëherë fati qeveris botën. Ishte momenti kur Gjermania bëri bombardimin e limanit të Pireut dhe kur trupat greke filluan të tërhiqeshin. Përpara këtij sulmi filloi edhe tek robërit të rritej shpresa se do çliroheshin. Dhe ashtu u ndodhi. Më datën 25 Prill komanda e kampit të përqëndrimit me të burgosur, aty ku ndodhej edhe mësuesi Janko Pali, filloi t’i lironte pak e nga pak, duke e filluar me të gjithë ata që kishin njerëz në Athinë e në Pire. Nga kjo gjendje e krijuar, përfitoi edhe Janko Pali. Ai doli nga dera e burgut, por nuk mund të besonte kurrë se kishte marrë fund robërimi i tij. Sidoqoftë atij iu desh “të fluturonte”, të largohej e të harrohej për çka kish hequr në burgje e kampe përqendrimi. Pa humbur kohë u nis për në Patra, doli në Krioner të Mesollongjit e më pas me disa makina ushtarake, mundi të mbërrinte në Agrinjo ku iu bashkua shqiptarëve të tjerë, kusurë-mëdhenj, siç është shprehur Janko Pali në kujtimet e tij. Madje ai thotë se ishte pikërisht kjo kohë kur ndodhi eksodi i madh, masakra që bënë grekët kundër asaj popullate fatkeqe, e cila ishte në trojet e saj prej mijra vjetësh. Ishte data 30 e muajit Maj të vitit1941 kur rastësisht Janko Pali, në një restorant hoteli, ia solli fati të drekonte me Pano Qesarin, e që ai të ndërhynte te një shok i tij grek për ta nisur mësuesin Janko për në Delvinë e më pas për në Sarandë për të mbërritur brenda ditës në Vlorë. Ky është momenti më kulmor i jetës së tij, dhe qenë kujtimet e tij është regjistruar me doza të larta ndjenjash shpirtërore, e që na shfaqen si të dalin nga një pus i thellë, duke nxjerrë në sipërfaqe atë çka fshihet brenda asaj historie rrëqethëse. Ajo që të pikëllon, por dhe të mbush mjaftueshëm për fundin e rrugëtimit të mësues Janko Palit, janë fjalët përmbyllëse ku ai ndjehet i tëri kur thotë: “Më në fund i mallëngjyer fort, do të gjeja tashmë një qetësi shiprtnore, e cila më kish munguar gjatë largimit tim. Erdha në shtëpi i lumturuar që i gjeta të gjithë mirë, ndonëse, për arsye të luftës, e kishin kaluar dimrin nëpër shpella, jashtë banesave. Shtëpinë e gjeta në gjendje jo të mirë, gati të shkatërruar, sepse bombardimet ia kishin bërë çatinë shoshë. ”
Sa në një shkollë në tjetrën, si mësues i “urgjencave”
Sapo u kthye në fshat pas internimit, mësuesi Janko Pali e mbajti frymën drejt e në shkollë. Pra filloi menjëherë nga ushtrimi i detyrës së mësuesit. Gjatë periudhës qershor 1942 – prill 1943 qëndroi pranë shkollës së Himarë-fshat. Edhe aty i ndodhi një incident me italianët. Një auto-kolonë ndëshkimi i forcave të ushtrisë italiane, prej afro një mijë ushtarësh, kur kaluan në Himarë arrestuan mësues Jankon bashkë me katër shokë të tjerë. Për fat kjo nuk zgjati shumë, por ajo çka ngjet me tej është fakti se ai kryen detyrën gati-gati si mësues-shëtitës në disa shkolla edhe pse vendi ishte në luftë. Viti 1944 e gjen mësues në qytetin e Vlorës, më pas e kryen këtë mision në Fratar të Mallakastrës për të përfunduar në Piqeras të Sarandës. Në muajt tetor-dhjetor të vitit 1944, kthehet përsëri në Vlorë. Ndoshta nevojat e ngutshme që diktonte koha e pas çlirimit të vendit nga pushtuesit, periudha shkurt-qershor e vitit 1945 mësues Janko shërbeu në shkollën e Selenicës për ta transferuar pastaj në shkollën e Vunoit. Çuditërisht konstatojmë se këtë mësues, edhe më pas e përdornin për shërbime të ngutshme, sikur të ketë qenë “urgjenca” e mësuesisë. Kështu, kur u bë shpallja e kuadrit të ri në vitin 1946, ai u emërua në shkollën e fshatit Kudhës. Në fillim të muajit dhjetor largohet nga Kudhësi dhe kthehet në Qeparo. Por përsëri transferim. I erdhi emërimi në pozicionin e drejtorit Didaktik pranë Seksionit të Arsimit në Komitetit Ekzekutiv të Vlorës. Në atë periudhë kreu edhe detyrën e Inspektorit të Arsimit në zonën e Mallakastër, në Labëri, në Myzeqenë e Vogël e në fund në Himarë. Viti shkollor 1950 e gjeti drejtor në shkollën e Skelës por, me kërkesën e tij, u transferua me detyrën e drejtorit në shkollën 7-vjeçare në Spile të Himarës. Sapo përfundoi ndërtimi i shkollës së re në Qeparo, Janko Pali, pas 7 -vjetësh si mësues shëtitës (1943-1950), duke kontribuar gati në të gjitha shkollat e Vlorës, mori drejtimin e saj me mendimin se nuk do të lëvizte më kurrë. Dhe ashtu ndodhi. E kreu detyrën si drejtor dhe mësimdhënës deri në vitin 1964, vit kur kishte plot 7 -vjet që duhet të kish dalë në pension. Mund të punonte edhe më, sepse vetëm prezenca e tij brenda mureve të shkollës diktonte për më shumë rezultate në mbarëvajtjen e mësimdhënies. Sepse për mësues Janko Palin, çdo fjalë që thoshte, ishte mësim dhe çdo hap që hidhte, ishte këshillë. Ai edhe pasi doli në pension nuk e ndërpreu veprimtarinë si mësues. Madje për nxitur edhe të tjerë intelektualë për të kryer punë të dobishme shpesh citonte një thënie të Benjamin Franklinit: “Nëse nuk do që të harrohesh sapo të vdesësh, ose shkruaj diçka që vlen të lexohet, ose bëj diçka që vlen të shkruhet.” Mësues Janko Pali i bëri të dyja, edhe shkroi, edhe la diçka për të shkruar ne të tjerët. Për merita dhe kontribute të çmuara në fushën e arsimi, ai mban titullin “Mësues i Merituar”. Ndërkohë shkolla 9 -vjeçare e fshatit Qeparo mban emrin e tij, “Janko Ll. Pali”. Ai u nda nga jeta në vitin 1994, në moshën 96 vjeç./telegraf/