Ela Zdrava: SHIU I VERËS
Ela Zdrava
Shi i verës i praruar,
fillo e bjer papushim,
po të pres me krahëhapur,
nga lindja në perëndim.
Tokën keq ke zemëruar,
gjelbërimi buzëplasur,
të kërkon, o i bekuar,
sytë nga ti, duarzgjatur.
Mos e vrit të bukurën stinë,
harruar fshehur mbrapa diellit,
edhe hëna u plasarit,
të kërkon, i lutet qiellit.
Edhe ajri të kërkon,
mbeti mbytur, fyt tharë,
bjer e pusho të shkretën kollë,
tokës hyji në damarë.
S’të vjen keq për petalet,
shpirtin na veshin me atë bukuri,
s’të vjen keq për rrezet e diellit,
mbeten thyer në shkëlqim.
Shi i verës bjer mbi mua,
boll luajte, mos rri fshehur,
zemërimin mos ma sill,
bjer me mall, natyrën dehur.
Shi i verës o i bekuar,
bjer, mos i mbaj mëri kohës,
bjer o shi, puthma shpirtin,
malli m’këput për aromën e tokës.