Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Presidenti serb shkon në Shtëpinë e Bardhë me uniformë ruse

Presidenti serb shkon në Shtëpinë e Bardhë me uniformë ruse

 

 

Edhe gubernë e Rusisë të kishte qenë Serbia, nuk do të kishte ndodhur kjo frekuencë ekstreme e Kremlinit për shtërngimin e vidave të Aleksandër Vuçiçit, siç po ndodh në prag të takimit të 27 qershorit midis presidentit të Serbisë dhe presidentit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Ditën e 15 qershorit, kur Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan njoftoi se presidentët e Serbisë dhe të Kosovës kanë rënë dakord të vijnë në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor për të biseduar për marrëveshjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis dy vendeve, presidenti rus Putin mori menjëherë brenda ditës në telefon presidentin e Serbisë për të kërkuar informacion dhe për t’i përsëritur kuadratin e ngurtë diplomatik rus për marrëdhëniet me Kosovën. Në datën 18 qershor ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, erdhi për vizitë zyrtare në Beograd, tre ditë para zgjedhjeve parlametare serbe, për të mbështetur fitoren elektorale të Vuçiçit dhe në shkëmbim për t’i imponuar atij qendrimin rus për takimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisëdhe Kosovës.

Në Beograd ndodhi ajo, që nuk ka ndodhur ndonjëherë në praktikën diplomatike, që brenda ditës ministri i jashtëm rus doli në konferenca të përbashkëta shtypi edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, duke i detyruar si nëpunës rusë të recitonin formulat ruse për Kosovën. Po atë ditë ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov botoi një artikull të përbashkët me ministrin e jashtëm serb Daçiç në gazetën ruse “Rasiskaja  gazeta” dhe në gazetën serb “Kurir” me titull “Nyja e Kosovës: a është e mundshme një zgjidhje korrekte”, që tregon se i gjithë preokupimi i diplomacisë ruse në fazën e tanishme nuk janë marrëdhëniet dypalëshe, por në radhë të parë është që në Shtëpinë e Bardhë Beogradi të zbatojë qendrimet dhe strategjinë e Rusisë në çështjen e marrëveshjes me Kosovën. Dhe për t’i vënë edhe kapelen ushtarake plazmimit të vijës zyrtare serbe për Kosovën sipas parametrave të diplomacisë dhe interesave ruse, presidenti rus Putin thirri në Moskë presidentin e Serbisë për bisedime në datën 23 qershor, pak ditë përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit serb dhe presidentit të Kosovës. Të dy presidentët në 23 qershor zhvilluan një takim kokë më kokë në Kremlin, ku sipas mediave në qendër ka qenë takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë. Nuk duhet harruar se para gjashtë muajsh presidenti Putin e thirri presidentin serb Vuçiç në Rusi për bisedime dhe madje ka njoftuar se do të vijë përsëri në vjeshtë për vizitë në Beograd. Presidenti serb është shndërruar në një ushtar prej plumbi i presidentit rus.

Është tepër e lexueshme se organizimi nga SHBA i bisedimeve midis presidentit të Serbisë dhe të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar alarm në Kremlin. Shqetësimi i Kremlinit nuk ka të bëjë me mbrojtjen e interesave nacionaliste serbe për Kosovën, por ka të bëjë me aktivizimin e atyre qendrimeve diplomatike ruse, të cilat synojnë të bllokojnë zgjidhjen e çështjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Këtë shqetësim e shprehte qartë në 23 qershor organi proqeveritar rus “Vzgljad”, kur duke analizuar takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, shkruante nën titullin “Rusia e ruan Serbinë nga tradhëtia” : “Takimi në Shtëpinë e Bardhë është për ne një ngjarje më e rëndësishme, nga sa duket në shikim të parë. Moska duhet të përdorë mundësitë dhe të ruajë serbët nga gabime të tmerrshme”. Gazeta ruse konkretizon frikën zyrtare se mos tani pas fitores elektorale Vuçiç e tradhton Rusinë në Amerikë. Shteti rus dhe sidomos presidenti i saj, KGB-isti i stazhionuar, Putin, e kanë traditë që të mos u besojnë shërbëtorëve dhe satelitëve. Ndaj në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë Moska po i vesh presidentit serb këmishën e forcës, një armaturë e hekurt diplomatike ruse për ta mbajtur atë të kontrolluar dhe të telekomanduar në bisedimet e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

Moska ka qenë dhe është kundër një normalizimi përfundimtar të marrëdhënieve nëpërmjet njohjes reciproke të dy shteteve ballkanike fqinjë, sepse kjo fshin nga skena një konflikt të ngrirë të nevojshëm për ndërhyrjen ruse në Ballkanin Perëndimor. Moska ndjehet keq, e përjashtuar nga tavolina amerikane e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe sidomos është e alarmuar nga roli udhëheqës që SHBA morën në këto bisedime. Praktika e dy krizave të mëdha ballkanike, ajo e Bosnjë-Hercegovinës në 1995 dhe ajo e Kosovës në 1999, kanë dëshmuar se zgjidhja e tyre reale lidhet me një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të diplomacisë dhe të shtetit amerikan. Kjo perspektivë paralajmërohet edhe nga bisedimet e reja të udhëhequra nga Shtëpia e Bardhë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Rusia ishte kundër zgjidhjeve të krizave edhe në 1995, edhe në 1999. Ashtu është edhe sot.  Nëse zgjidhet çështja e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë me njohjen e tyre reciproke, Serbia nuk ka më nevojë për Rusinë.

BE, e cila i udhëhoqi bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës nga vitit 2011 për 8 vjet nuk qe e aftë të çonte në një zgjidhje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve. Ndaj është i pasaktë nga pikëpamja diplomatike çdo lloj aluzioni apo pakënaqësie, që mund të shprehë njera apo tjetra qendër diplomatike europiane për lidershipin e tanishëm të bisedimeve nga SHBA. Sepse BE, edhe tani që u kujtua si kofini pas të vjeli të rimarrë aksionin e ringjalljes së dialogut Serbi-Kosovë, duke caktuar edhe të dërguarin e saj të posaçëm të zgjedhur çuditërisht nga një shtet që nuk e njeh Kosovën, nuk po arrin të gjejë rrugën në oborrin e vet. Është skandaloze nga pikëpamja diplomatike dhe e perspektivës së normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që ky i dërguar i posaçëm i BE, Lajçak, në datën 22 qershor pas takimit në Beograd me presidentin serb, hedh tezën e çuditshme se një zgjidhje e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë e pranueshme për vendet e rajonit dhe për BE. Është e pakonceptueshme që ta lidhësh marrëveshjen dypalëshe Serbi-Kosovë me shtete të rajonit si Rumania, Greqia, Qipro,etj. që nuk e njohin Kosovën, apo me Spanjën dhe Sllovakinë e Lajçakut. Ështënjë tezë e qartë e zvarritjes dhe e nxjerrjes së pengesave të reja për normalizimin e marrëdhënieve, tezë që në fund të fundit rezonon me strategjinë e Rusisë.

Me këmishën e forcës, që Kremlini po i vesh presidentit të Serbisë para takimit të tij me presidentin e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, bien në sy disa teza të vjetra dhe të reja të diplomacisë ruse.

Së pari, siç e shpalli Lavrovi në Beograd, çdo zgjidhje e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës duhet të kalojë nga pëlqimi i Rusisë, për të cilën ai përdori eufemizmin “pëlqim i Këshillit të Sigurimit të OKB”, ku po pret Rusia me veton e saj. Këtë tezë ruse e bëri menjëherë të tijën presidenti serb, i cili deklaroi edhe në 18, edhe në 22 qershor, se nuk ka zgjidhje pa pëlqimin e Rusisë. Nuk mund të mos lindë pyetja se me çfarë mendje ai po shkon në Uashington.

Së dyti, Rusia po i imponon Serbisë kërkesën që dialogu të mbeshtetet në rezolutën e vdekur 1244 të KS OKB, e cila sipas spekullimit që bëri ministri i jashtëm rus në Beograd, i referohet integritetit të Serbisë dhe ai u lavdërua se ka qenë diplomacia ruse, që e futi në rezolutë atë përkatësi. Por diplomati i vjetër, që ka qenë në atë kohë ambasador i Rusisë në OKB, e din fare mirë që rezoluta 1244 nuk e përmend në asnjë rresht apo germë Serbinë, dhe shteti “RFJ”, që përmend rezoluta, ka vdekur. Që Serbia të rivendikojërezolutën 1244 do të duhet që KS i OKB të bëjë rezolutë të re, ku t’i referohet Serbisë me emër. Nga ana tjetër diplomati i vjetër rus e din qëSerbia nuk ka qenë anëtare e OKB atë vit kur u miratua rezoluta dhe Serbia është bërë anëtare në fund të vitit 2000. Sipas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2004, Serbisë nuk i takon as rezoluta 1244  dhe as ndonjë pretendim tjetër ndaj OKB, sepse nuk ka qenë anëtare e OKB. Është tepër komprometues për seriozitetin e diplomacisë ruse fakti që harron se ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të korrikut 2010, i cili përcakton se pavarësia e shtetit të Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Së treti, Rusia shpall se Serbia është zonë esaj influence, kur Lavrovi deklaroi për herë të parë në Beograd se Moska nuk do të lejojë që të rishkruhet historia e ngjarjeve të 25 viteve më parë në Ballkan. Ndaj ai shpalli në Beograd devizën diplomatike ruse të “integritetit të botës ortodokse”, ndaj zhvilloi takim të posaçëm me patriarkun Irinej të kishës ortodokse serbe, takim të posaçëm me krerët ultranacionalistë të “serpska republikës”, etj. Mobilizimi i ri fetaro-ortodoks nga kryediplomati rus synon që Serbia të mos devijojë nga interesat ruse. Këtë lloj besnikërie fetare proklamoi presidenti serb Vuçiç, i cili në 18 qershor deklaroi se i ka kërkuar Rusisë të mbrojë kishën ortodokse në Ballkan(!). Pasojat e kësaj kryqëzate të re diplomatiko-fetare ruse në Ballkan merren lehtë me mend.

Rusia synon me çdo kusht që as kriza e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës të mos zgjidhet dhe as Serbia të mos anëtarësohet në BE, ku siç dihet kushti është njohja e shtetit të Kosovës. Është vërtet disgustoze që ministri i jashtëm rus dhe ai serb, në artikullin e tyre të përbashkët të datës 18 qershor, kanë përqendruar gjithë llumin e shpifjeve dhe të urrejtjes kundër Kosovës dhe kundër kombit shqiptar. Në këtë deklarim të përbashkët ruso-serb, Shqipëria që ka marrëdhënie diplomatike me shtetet e dy ministrave, sulmohet me emër se profeson “Shqipërinë e madhe”. Qoftë kjo akuzë shtetërore diplomatike, qoftë klima e ndezur diplomatike e pragut të takimit në Shtëpinë e Bardhë, kërkojnë një reagim të fortë nga qeveria e Shqipërisë në mbrojtje të Kosovës, të dinjitetit, të të drejtave historike dhe integritetit tëdy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar. Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe të Serbisë qëllimisht i fryjnë në artikullin e tyre antiamerikanizmit patologjik, duke sulmuar ndërhyrjen e NATO-s ndaj regjimit të Millosheviçit, duke tundur problemin artificial të uraniumit të varfëruar e deri te “shqetësimet” që gjoja po iu shkakton baza e Bondstillit në Kosovë. Qeveria serbe, që do shkojë në 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ngren flamurin e reckosur të antiamerikanizmit.

Presidenti i Serbisë Vuçiç shkon në takimin e Shtëpisë së Bardhë me unformën ruse. Çështja shtrohet nëse diplomacia atlantike dhe perëndimore e shohin këtë uniformë ruse të presidentit serb dhe nëse i kanë parashikuar mjetet e nevojshme për t’ia hequr presidentit serb këtë uniformë ruse, kur të ulet në tavolinën e bisedimeve. SHBA dhe diplomacia amerikane kanë një përvojë unike dhe efikase në trajtimin e raporteve me autokratë ballkanikë si Vuçiç dhe shpresat janë që Uashingtoni të përdorë diplomacinë e detyrimit mbi Serbinë, ashtu siç e përdori me sukses ndaj saj në vitin 1995 dhe 1999. Koha është që SHBA të mos e lenë biznes të papërfunduar dhe të mos ia lenë këtë biznes as Rusisë e as BE./gazeta dita/

Please follow and like us: