Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: U kemi besuar atyre fëmijët, nipërit dhe mbesat tona!

Viron Kona: Humor fëmijësh

Viron Kona

 

                                  

 

Para disa javësh pashë rastësisht një emision televiziv në ‘Top channel’, i cili fliste për zhvillimin e mësimit online nga shtëpia. Nuk ndodhi vetëm tek ne, por thuajse në të gjithë botën u praktikua mësimi online për shkak të pandemisë së koronavirusit. Emisioni në fjalë paraqiste familjen Kullafi në Tiranë, e cila ka tre pjesëtarë të saj mësues dhe, ata, në kushtet e shtëpisë, zhvillonin mësimin online me nxënësit e tyre.

Me kufjet në vesh përpara ekraneve të kompjuterve  të tyre, mësues Caush Kullafi, bashkëshortja e tij Zylfije Kullafi dhe vajza e tyre Majlinda,  të tre përbënin një klasë të vërtetë mësimore. Komunikonin online me nxënësit e tyre, u shpjegonin temat mësimore, u jepnin detyra, u përgjigjeshin pyetjeve të ndryshme, testonin, vlerësonin… Ishin të tre aktivë, të përfshirë në orën e mësimit, sikur të ishin në klasë, madje, më shumë sesa në klasë, sepse ato që thoshnin e shprehnin, doemos duhej edhe t’i shkruanin, por edhe të komunikonin individualisht me shkrim me secilin nxënës, ndonjëherë edhe të zgjidhnin probleme teknike të çastit, që lindnin nga defektet e internetit apo vështirësitë e komunikimit me nxënës të cilët ndodheshin në rrethe të ndryshme.

Si ish mësues, drejtues shkolle dhe specialist i arsimit, tashmë në pension, më tërhoqi shumë ai emision dhe pamjet që më shfaqeshin përpara syve. U ndjeva i emocionuar teksa shihja atë familje të thjeshtë mësuesish, që po kryente me përgjegjshmëri të lartë dhe me përkushtim e devotshmëri detyrën e mësuesisë, por në kushte të krejt të reja, të jashtëzakonshme, duke zbatuar detyrat e dhëna nga organet eprore, por edhe duke vënë në lëvizje dijet dhe përvojën e tyre në arsim.

Ky emision origjinal i ‘Top channel’ dhe i gazetares Kristi Gonga, ishte me shumë efekt dhe mbresëlënës, ndërkohë që mësimdhënia online zhvillohej masivisht në të gjithë Shqipërinë.

E ftova Caush Kullafin për të pirë një kafe dhe për t’i shprehuar entuziazmin dhe respektin tim qytetar. Me shikimin e qetë dhe serioz, ai shpjegoi se, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tyre, edhe ajo mësuese, ashtu si dhe mijëra mësues të tjerë, edhe ata përpiqeshin ta kryenin me seriozitet dhe përpikmëri detyrën dhe misionin e tyre.

-Ne jemi tre mësues që e kemi në gjak arsimin, ai është pjesë e edukatës dhe formimit tonë dhe kësisoj donim me gjithë shpirt që  programi të zhvillohej sa më mirë dhe me nivel edhe në kushtet e pandemisë. Tek e  fundit kjo është puna dhe detyra jonë. Mësuesi i mirë s’ka sesi ta lërë pa e zhvilluar mësimin. Edhe nëse nuk do të ishte kjo mënyrë online, do të gjendej një mënyrë tjetër. Nxënësit presin nga ne, ata na shohin në dritë të syrit, kanë besim te mësuesit e tyre. Edhe të tjerët duhet të kenë më shumë besim te mësuesit, edhe prindërit e fëmijëve, por edhe shteti, e gjithë shoqëria. Është e rëndësishme t’i tërheqim nxënësit në mësim, t’i bëjmë ata gjithnjë të interesuar, të ndezim dhe të  nxitim tek ata pasione, imagjinata, dëshira për jetën, për botën, për dijen dhe zhvillimet. T’i nxitim ata të pyesin. Kështu tema i tërheq në të fshehtat e saj, fëmijët janë kurioz dhe ata duhen nxitur më shumë në atë që ata e kanë brenda vetes së tyre, kureshtjen e madhe, dëshirën për të ditur më shumë për natyrën, shoqërinë njerëzore, dukuritë dhe fenomenet e dukshme, ato të padukshme… Dijet e thella t’i mëson shkolla, libri, mësuesit…

E pyes Caushin sesi zhvillohet ky proces mësimor dhe ai më përgjigjet me kompetencë se ”format e dhënies së mësimit nëpërmjet platformës online janë: 1 – Whatsapp, 2 – Zoom, 3 – google clasroom, 4 – Edmodo. – Në vazhdim ai më shpjegon se “prindërit në këtë formë të dhënies së mësimit ishin prezentë me fëmijët e tyre, madje merrnin informacion dhe sqarime në çast për mësimin e fëmijës. Videot mësimore dërgoheshin nga mësuesi, dëgjoheshin nga nxënësit dhe më pas punonin në realizimin e detyrave. Aktivitetet realizoheshin në mënyrë individuale në kushte shtëpie dhe më pas i dërgoheshin mësuesit, ky i fundit i gruponte dhe aktiviteti merrte formën e duhur nëpërmjet montazhit. Detyrat korrigjoheshin nga mësuesi dhe stimuloheshin me simbole nga më të ndryshmet”.

“Në Ditën Botërore të Librit,-nënvizon Caushi,- u bënë shumë poezi, ese, thënie të patriotëve të shquar, teksa mësuesit merrnin shumë emocion. Kishte raste,-vazhdon ai,- që orët e mësimit ndiqeshin nga drejtuesit e shkollës apo zyrës vendore arsimore. Kurse mënyra e korrigjimit nëpërmjet shkrimit në kompjutër ishte stimul për nxënësit. Mësuesi linte hapësira kohore për dërgim detyrash nga nxënësit deri në orët e vona të natës”. Kur e pyes për aktivizimin e nxënësve, ai më përgjigjet se niveli i nxënësve të mirë, ishtë shumë i mirë…”.

Caushi hesht disa çaste dhe kushedi pse bën buzën në gaz. Më shpjegon se, ndërsa ata si familje komunikonin online, ndodhte që afrohej mbesa e vogël, Sibora dhe pyeste:

-Gjyshi, edhe unë jam e madhe tani dhe dua edhe unë të bëj detyra. Të lutem o gjysh, më pyet edhe mua? Do të më vësh edhe mua notë? Ja, te kjo fleta ime do më vësh një notë ose lule?

-Edhe ty do të vë notë, po kur të rritesh. Me siguri që nuk do kemi më coronacvirus dhe mësimet do t`i marrësh në klasat e shkollës, atje do të jesh mes shoqeve dhe shokëve. Nuk do të ishte më mirë ashtu?

-Po,o gjysh, ashtu është më mirë. Unë jam shumë e gëzuar që gjyshi dhe gjyshja ime janë mësues. Edhe unë si juve dua të bëhem. Hë, o gjysh, të bëhem edhe unë mësuese?

Dëgjoja Caushin dhe sillja në përfytyrim plot mësues të tjerë. Edhe ata si Caushi, Zylfija dhe Majlinda. Edhe ata të përfshirë në misionin dhe obligimin e madh që nxënësit të merrnin doemos dijet e programuara, të mos e humbisnin vitin, sepse një vit i humbur do të ishte humbje e madhe  dhe e pazëvendësueshme. Natyrshëm më vinin ndërmend thënie vlerësuese për mësuesit: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” – thoshte Konfuci. ”Mësuesi është përhapësi i dritës”, – thoshte Luigj Guakuqi. “Një mësues i mirë është si një qiri. Ai konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve.” – thoshte Qemal Ataturku. ”Ai njeri që i bën të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi”, – thoshte Emerson dhe, të gjithë, duke medituar për këto thënie që i ka vërtetuar jeta për rolin e shkollës dhe mësuesit, vijmë në përfundimin se “Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj”. Dhe, në rastin tonë, arsimtarët e mirë i kemi nëpër Shqipëri dhe nëpër botë, ata janë si yjet, na ndriçojnë rrugën e jetës, ndaj t`i duam dhe t`i vlerësojmë më shumë, më mirë këta njerëz fisnikë, që vet shoqëria i ka përgatitur. U kemi besuar atyre fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat tona, ndaj t`i respektojmë dhe t`i duam më shumë, sepse ashtu respektojmë edhe më shumë të ardhmen…Emri mësues ka qenë gjithnjë një emër i madh, një detyrë e shenjtë dhe fisnike, e merituar dhe e vlerësuar në shekuj, ata janë dhe duhet të jenë ndër njerëzit më të rëndësishëm…

Nga biseda me Caushin mësova se ai dhe bashkëshortja, Zylfija, janë mësues në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”, kurse e bija e tyre Majlinda, është mësuese e gjuhës angleze në shkollën 9 -vjeçare “Tahir Sinani” Tiranë dhe jep mësim në klasat e teta dhe të nënta. Mësova gjithashtu se vajza  e madhe e Caushit është juriste në Universitetin e  Mjekësisë, Tiranë, kurse vajza e tretë vazhdon studimet në Munich të Gjermanisë master, dega Menaxhim dhe Teknologji me fokus Marketing strategjy dhe informacion informatikë. Djali, Nadmiri, gjimnazist me prirje dhe talent edhe për aktor, sapo mbaroi maturën në gjimnazin “Partizani” të kryeqytetit dhe pret të filloj studimet e  larta… Duke u ndarë, Caushi përmendi përsëri me shumë dashuri mbesën e vogël, Siborën, me kaçurrela të verdha, që krenohet përditë me gjyshërit e saj mësues dhe ‘digjet’ nga  dëshira që një ditë edhe ajo të bëhet mësuese…

https://www.botasot.info/opinione/1318020/u-kemi-besuar-atyre-nbsp-femijet-tane-niperit-dhe-mbesat-tona/

                                                                                                                

 

 

Please follow and like us: