Bardhyl Berberi: Ah, moj votë që na ke marrë gjithmonë në qafë!
Bardhyl Berberi
Reforma zgjedhore e uli siparin. Marrëveshja u arrit. VOTA e popullit do të rrëzojë sondazhet apo hamëndjet e gjithsecilit se kush është fituesi i vërtetë. Fjalë me bukë dhe premtime boshe apo gënjeshtra të tualetosura do ta marrin koston e tyre të vërtetë apo do të fillojnë përsëri vicklat ‘na vodhët votat’…
Politikanëve tanë dhe liderëve të partive të mëdha dhe atyre të vogla VOTAT po iu shfaqet edhe në ëndërr. Por çfarë fuqie titanike ke ti moj VOTË që i ke bërë të gjithë të fjalosen me vete… Vota ka hyrë në çdo qelizë të jetës sonë…
Sa e pabesë që je, ti moj votë e ‘mallkuar’ si përbindësh na ke hyrë brenda vetes dhe je e pranishme në çdo familje shqiptare. Këto ditë ti i ke gëlltitur të gjitha qytetet dhe fshatrat shqiptare, trotuaret, godinat dhe shtëpitë e të vafërve kur diskutohet për ty që të të ruajnë dhe mos të vjedhin… Në cilën terminilogji gjuhësore bën ti pjesë, në atë të besës shqiptare që ka lindur si institucion juridik e shpirtëror apo në atë të neveritshmes që shitesh e blihesh sikur të jesh një prostitutë.
Zgjedhjet e ardhshme janë tek dera. Shqiptarët do të vishen bukur si në ditë feste dhe gjithë soleminitet do të hedhin ti në kuti duke mërmëritur me vete “dëgjo ti moj vote, mos na tradhëto përsëri”!
Pa na thuaj ti moJ votë çfarË të kemi bërë ne, fakir fukarenjtë që ti na ke marrë në qafë edhe pse ne votojmë për veten tonë, edhe ti na çon ku të duash vetë, na shpie tek politikanët më të korruptuar dhe më të paaftë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre, tek ata që iu intereson vetëm paraja, orgjitë, femrat dhe shampanja nën dritën e qirinjëve aromatik…
TI moj votë shpesh herë je tradhtare nuk i shërben forcimit të vendit dhe ekonomisë dhe jo rrallë herë na ke çuar në greminë, shpresat na i ke venitur dhe ne marrim valixhet dhe ikim larg atdheut tonë të ‘mallkuar’ prej zhgënjimit tend lemë shtëpitë, prindërit na i varrosin komshijtë dhe gjithçka të bukur që kemi ngritur për dekada të tëra…
Ti na mashtron moj VOTË edhe pse të gjithë shpresat gjithmonë i kemi patur tek ty, ti na i ke venitur këto shpresa, na i ke hequr gjakun si me shiringë. Ne votojmë për të ardhmen tonë dhe ti moj VOTË na kthehesh kundër nesh, ju shkoni me krahun e politikanëve të papërshtshëm, të korruptuar deri në palcë; ne dalim dhe votojmë për veten tonë dhe ti votë na bëhesh e huaj, si nuk të vjen turp për pafytyrsinë dhe pabesinë tënde.
Çuditërisht në këto çaste mu kujtua Shekspiri me dramat e tij tragjike, ku vjedhjet, korrupsioni, vrasjet dhe zgjedhjet politike përgatiteshin nëpër zyrat e kancelarive të fsheta që zhvilloheshin tinëzisht pas mesnate dhe viktimat, pasi i burgosnin apo vrisnin, i varrosnin me ceremoni zyrtare.
Votë e dashur, e sheh që e ke humbur shenjtërinë dhe besnikërinë, je bërë prostituta më e madhe, sa poshtë e ke zbritur çmimin tënd, shitesh për një thes me miell apo për një plazmë televizori, për të larë borxhet e listës ushqimore të fakir fukarenjve, por e keqja më e madhe është se nuk ke më çmimin që e meriton, e ke humbur besimin dhe forcën që të karakterizon.
Ti moj votë e njerëzve të gjallë nuk mund të mbrosh veten as dhe nga të vdekurit, edhe ata luajnë me ty ditën e votimit, ngrihen nga varri pa i pyetur fare të gjallët, hyjnë në qendrat e votimit, votojnë dhe pastaj kthehen në varret e tyre si Kostandini që ngrihet nga varri për Doruntinën.
Tragjedia më e madhe e kohës sonë është se ti moj VOTË sjell në parlament këta takëm paralamentarësh dhe pushtetarësh rezilë, të paaftë, me diploma të falsifikuara dhe me të kaluar me rekorde kriminale… Ti i ke sjellë me votw, ashtu siç i sollën me votë trafikantë dhe vrasës. E pra, e dashur vote, nuk e dimë se ku ti shkon dhe na ekspozon pamje rrënqethëse.
Shqiptarë ruajeni votën, mos u gënjeni nga lajkat si në përrallën e ujkut me kecat, për ca para se një ditë ato para që ju kanë blerë do të mbarohen dhe do të sorollateni rrugëve pa punë dhe do të vdisni për bukë nga uria dhe e keqja do t’iu mbyti si një metastazë kanceroze!