Cikël poetik nga Yzedin Hima
FËMIJËRIA
një palë sandale me dy rrypa kryq
kryqëzuar fëmijëria jonë
babai s’pati kurrë librezë kursimi
ndaj krenohej me një fletë nderi
të shkruar me gabim drejtshkrimor
gjurmët e zbathura të fëmijërisë
si smeralde në fytyrën e rrugëve
ngrinë në udhëkryqin qiellor
si plagë i dhembin qiellit. Netëve
shpesh bienë e digjen si meteorë.
GURËT
të ashpër, të fortë e të pabindur
në vendin e tyre të natyrshem
gurët
kur njeriu ua njohu zjarrin
të cilin e fshihnin thellë tek vetja
u zbutën, u gdhëndën gurët
dhe si ushtarë pa identitet
u rreshtuan tek muret.
MURET
ranë muret
nën gurë
ata që s’i deshën muret kurrë
nga gjoksi i shqyer i qiellit
dolën skifterët.
TË ETUR SHKOJMË NË HIÇ
lumi ha brigjet me mërmërima
kambana ha heshtjen me dridhma
deti i etur pi çdo çast lumenjtë
dhe terri i uritur përpin retë
në natën e gjatë ne pimë vetminë
brenda nesh njëqind ujq ulërijnë
të dehur ripërtypim kujtesën
teksa qirinjtë hanë terrin dhe veten
koha ha kohën si përbindësh mitik
rrjedha e saj mokrat mbi ne i vërtit
aty bluhet jeta jonë çdo orë e çdo ditë
dhe poshtë del tis i bardhë… një hiç.
PAK KOHË MBAJ NË DUAR
pak kohë nga koha që iku e mbaj në duar
kohë e ngurtë si një disk ku flenë tingujt e fjalët
pak kohë në duar si një send i artë
aty ndjej hapat e tu të ndrojtur dhe puthjet
si frushëllima krahësh te shpendëve të heshtur
ti je aty, në kohën që u ndal
je materja nga e cila koha u bë
je metali i çmuar i medalionit të kohës
pak kohë e ndala ndër duar siç mund të ndalet
një grusht uji nga lumi që vrapon drejt detit
apo siç ndal e djeg pellgu meteorët
kur netëve pasqyron kupën e qiellit
pi i etur në grushtat e mi të djeshmen
në fyt më ngec vetja.