Grid Rroji: Atentati ndaj Thaçit dhe e ardhmja jonë!
Fati i vendeve të vogla varet nga përplasjet e fuqive të mëdha dhe nga aftësia e elitave të tyre për të manovruar suksesshëm në këtë terren të minuar. Ndaj dhe kur shteti sundohet nga interesa sektare e jo kombëtare, siç është rasti ynë sot, rrezikohemi shumë.
Kosova sipas një mesazhi dërguar nga Amb.Grenell të përçuar mediatikisht nga ish Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) Martin Vulaj në një intervistë televizive sot, mund edhe t’a gjejë veten vetëm para Serbisë dhe aleatëve të vet të BE-së.
E gjejmë veten në mes të një përplasje politike të brendshme në SHBA dhe një përpjekjeje strategjike evropiane për të minuar prioritetet e administratës Tramp. Humbja e aleatit të vetëm që kemi SHBA na bën edhe më të dobët në tryezën e të fuqishmëve.
Hashim Thaçit iu bë atentat politik, i mirëmenduar, profesional dhe me qëllim dështimin e bisedimeve në Uashington dhe eliminimin e tij politik. Me gjasë do t’i duhet të udhëtojë në Hagë jo si President.
Mirëpo këtu nuk diskutohet thjesht fati i individit Thaçi, madje as thjesht Lufta e dlirë çlirimtare e UÇK-së. Atë nuk e ndyn dot kush, ishte prodhimi i djemve dhe vajzave më të mira të kombit. Mirëpo çështja qëndron gjetiu.
Marrëveshja me Serbinë do të ndikonte në një riorganizim të Ballkanit e më tutje do ishte precedent për riorganizime të mëtutjeshme gjithkund ka konflikte etnike. Atyre që kanë investuar për një rend botëror neo liberal, edhe brenda establishmentit të SHBAve, ju duket e papranueshme.
BE-ja e gjindur në mes të një bipolarizmi të ri pa një arsye për të ekzistuar përtej inercisë burokratike, kërkon po ashtu të minojë agjendën e administratës Tramp me shpresën se SHBA-të do i rikthehen agje dës së mëparshme nëse ndërron drejtimi.
Më tej, Marrëveshja do ndikonte edhe në fatin e Parisë së Tiranës e cila i druhet Kosovës si ‘djalli temjanit’. Kosova përfaqëson kombin, dëshirën për një shtetkomb të shqiptarëve. Ky është rreziku primar për Parinë e Tiranës. Ndaj edhe fjalimi gati mallëngjyes i Edi Ramës, Duqes së banana republikës së Parisë, kishte të bënte me frikën nga dënimi ndërkombëtar që ka Paria se sa me atdhedashurinë. Sot Edi Rama shprehu frikën e vet, të Metës dhe Berishës se mund t’iu ikë pasuria e mund të dënohen nga një gjykatë e huaj.
Për ta mbyllur, ka ardhur një kohë shumë e keqe për ne shqiptarët. Atentati politik ndaj Hashim Thaçit do ketë pasoja të afatit të shkurtër sepse të paktën disa nga ish udhëheqësit e UÇK-së nuk e kanë problem jetën në mal.
Marrëdhëniet e komplikuara ndërkombëtare me luftën e re të ftohtë midis dy superfuqive, uria e Rusisë dhe Kinës për t’u rrënjosur në Ballkan dhe urrejtja e Evropianëve ndaj shqiptarëve dhe asaj çka përfaqëson kombi shqiptar do të intensifikohen. Sot është dita që të gjithë ju ta kuptoni se ku po shkojmë e se sa keq mundet me shkue puna. Zgjidhja e vetme për ne shqiptarët është shtetkombi, doni apo s’doni ta pranoni.
25 qershor 2020.