Nexhat Halimi: Rrënjë, kripë e gjak
Rrënjë, kripë e gjak
I
Rrënjë, guaca të thyera e gjurmë në rërë
valët përplasen prapë ikin në brendësi
e hetoj befas gurin e gjeranës në largësi
e ftohtë më prek gjarpri lidhur në llërë.
Prekja e gjarprit Vitore qetë vjen mitit
ç`më shtang shenja në llërë më dhemb
e hëna papritur shfaqet zbehtë në rremb
e më zgjohet shtrëngim i ashpër fytit.
Udhës të ujkut ndër ullinjtë vjen `i plak
dyert mbyllen dritaret kund s’ndrit sy
gjithçka luftë thërret, asgjë tjetër për ty.
Ik flakë hapësirës nga Ulqini e n’Bunë
veç flakë e përhershme bie veç furtunë
ëndrra e degëzime vetëtime pikin gjak.
II
Endrra e degëzime vetëtime pikin gjak
kot të pres te gur i zi i lënduar në dy sytë
pik’ uji i kroit e ndizet e lart të akullt yjtë
urës më përhitesh nga vdes pak nga pak.
Me etje në zgavër të gerrlës të pikas ujit
e vë bërrylin në gju e faqen në shuplakë
qiellin pritja e gjatë e pafund e përgjak
për frëngji përvidhet kaq frymë e Mujit.
Njëri zog tjetrin e puth në degë të rrapit
e gërvalla e pikturon grykën e Llapit
e ylberi mbi kodër papritur harkon gjatë.
Bie `i pikë dritë pret qiellin me gërshërë
ëndrra për Mujin shfaqet e rizgjon natë
në njërën dorë më lidhet gjarpri në llërë.
III
Në njërën dorë më lidhet gjarpri në llërë
më dhemb ashpër përgjatë trupit plaga
e `i ushunjëz e dehur rrëshqet mbi jarga
e karkaleci vjen e ik përrallës së pabërë.
Ka vdekur gjithçka veç etjes e kujtimit
as më tërheqin vinjetat e krijuara qiellit
as më tërheqin ritmet magjike të fyellit
ti s’je as hija s’të bie ujit të burimit.
Përmbi degë të pemës ka rënë kaq borë
peizazhe magjike ndrisin dritës së hënës
te rosujërat i dëgjoj pëshpëritjet e nënës.
E ti hesht zemër thyer për mua, Fedorë
bie ndërmjet fjalës e ëndrrës ende flakë
jeta mes dy gurësh e zhveshur cullak.
IV
Jeta mes dy gurësh e zhveshur cullak
koti asgjësë lëvizin ftohtësi të thella
kujtimet ndërmjet bien për kangjella
e hijes ka barrë veten pa vete `i plak.
Në shpinë bart një thes dëng me vjet
me varrë sa s’nxë më sa s’mban më
udha e gjatë natë veç bërryla e asgjë
e brezash eshtrash atDheu ende ngjet
apo veç kthejnë te varri ëndrrat etjet
apo ende ecin udhën mes veti rrotat
ti një e një mbush thesin me mbetjet
e sillen kot rreth e rreth mullari zotat
vrarë nga gjaku për vetëtimë vetmie
është mbase veç vrasja e jugut në hije.
V
Eshtë mbase veç vrasja e jugut në hije
e sokoli kaq i përgjakur për Grudë e Hot
do të arrijë vonë t`i dalë Ulqinit zot
ra kështjella frymë ilirie në gjak zie.
I gurtë në shtoj i lidhur me zinxhirë
herë bie në të djathtë e herë në të majtë
e gjakshkrimi yt buzë uji s’i nis kuajt
varrat në cep të zemrës luajnë me lirë.
Gjysmë fytyrës në rërë shfaqet `i flutur
me kordele rozë vjen `i çupë e bukur
`i çun në gur e zgjon këngën furtunës.
Valës e rikrijon kohën dhe ylli i zjarrtë
e anija i afrohet shkodrës tisit të artë
kalaja bie pasqyruar valëzimit të Bunës.
VI
Kalaja bie pasqyruar valëzimit të Bunës
e me `i cicë jashtë murit gjysmë e fjetur
shtrihet etur Rozafa në zjarr të shkrepur
fëmija pret gji burri i fsheh lotët gunës.
Ja fjala ngel fjalë dhe të vdesësh, Fedorë
veç të bie mbi kala qielli i syrit e gjaku
të çilet udha e atdheut me aromë lilaku
zjarrit të mimozës së çelur të bie borë.
Marr tronditur penën e të shkruaj poezi
ndez qiririn e shpirtit në terrin e ngrirë
e jashtë rërës së ndritur nga hëna bie shi.
Gjarpër më ik mendjes rrufe e mpirë
as të flijohesh ti as të vish dot furtunës
roja e plazhit e pret ikjen e të shtunës
VII
Roja e plazhit e pret ikjen e të shtunës
i ndreq mustakët mjekrën në pasqyrë
e zgjedh ndërkohë dhe `i aromë të mirë
gjithë kohën i bie fytyrës flakë e unës.
Me afsh e pret kaq kohë takimin me ty
ti natyrisht tashmë më ke harruar fare
kot pse gur të pres pa frymë në dritare
digjem shpirt vrarë i etur pa mbyll` sy.
Marr i tronditur penën të shkruaj letër
më ke harruar zot për `i dashuri tjetër
apo më zgjon drurit nga bredh `i ketër.
A vdes dashuria, ndërsa zjarri s`ka fjetur
e fik qiririn e lutem të digjem vetmie
ik dhe ti e s`kthehesh në perlë qetësie.
VIII
Ik dhe ti e s`kthehesh në perlë qetësie
ç`të bëj unë tashmë në ritëm të vdekur
avullit të qelqit ngjitet `i flutur fjetur
detit në flakë shfaqen ngjyra thellësie.
Vala nxjerr në rërë koral me vetëtimë
unë ndërsa në dumnicë mbledh narcisë
ti vjen për vetmi të njëjtë te i njëjti lis
qielli pik gjak pasqyrës me bubullimë.
Ah Fedorë, ç’t’i bëj zjarrit të fikur në hi
zgjohet ende hijes sa herë të bjerë shi
e ti s’je një me mua në asnjë mënyrë.
E vetmja gjë ngel të nisem me gomar
shportat mbush ulli e gjakut bie `i lirë
perit të imagjinuar ndrit ylli mbi Tivar.
IX
Perit të imagjinuar ndrit ylli mbi Tivar
bredh rrugët sheshet limanin e vjetër
në kala veç ora e rrëketë e gjakut fjetur
s’është as në shpirtin e poetit të vrarë.
S’e gjej e vdes ta prek të më ndez flakë
tremijë vjet e ende ai ulli kaq i gjallë
kaq i vrarë e për brezat e ikur pik mall
hija e korrës së tij gjak në shuplakë.
E kënduan poetë e vasha ndezur në gji`
e pikturuan piktorë të njohur në botë
e pikas i dehur dhe pa shpik asnjë gotë.
Përreth kangjellat e ruajnë me xhelozi
ja mbi det dhe qiellit shtatë herë çarë
ëndrra kohës gjethon ullirin mijëvjeçar.
X
Endrra kohës gjethon ullirin mijëvjeçar
hije ecin qiellit të lidhur rrufesë në urë
një me diell një me gjarpër tjetri me gur
a do të arrijnë te zoti kaq gjak e zjarr.
Riti kaq i vjetër tashmë aty është vrarë
veç kalorës të çmendur vijnë të verbër
me gjakun e njëjtë të lashtë pikur egër
ulërinë etje mjegullës vetëdigjen në ar.
E vjedhin shpirtin e zemrën në mungesë
tashmë më kanë rrethuar me gur në gji`
herë ik herë tjetër ndez zjarr gjak në hi.
Zot çfarë do të bëj pa gjarpër e kujtesë
gjithçka jap veç diellit veç gurit e jallisë
e vetëtima e dehur ik qiellit të Rumisë.
XI
E vetëtima e dehur ik qiellit të Rumisë
zbres pi ujë etur në sy të ngrirë dreni
gjak pik në 365 kishat në imazhe liqeni
e shpirti trokon për damar të malësisë.
Ata të anës malit ecin svaçit e nusja yll
zgjohen kishat bien me jehonë këmborë
rrjedha gjaku digjen për zemër e dorë
lules së hijes në shi rrëshqet `i kërmill
të njëjtin rreth e ecën në kolonë labeat
me v krajën i kërkojmë gjurmët gjatë
shasi në kohë sa ditë ka viti ndezi qiri.
Shaj e gurin e strallit e zë në shuplakë
sërish i shtrirë në pluhur dëgjoj liturgji
gjakut ngjet udha me bërrylat në flakë.
XII
Gjakut ngjet udha me bërrylat në flakë
yll i ndezur shfaqet e ngrinë mbi natë
i njëjti mbi mal të katërkollës ndrit gjatë
kisha hijes së zotit lidh frymë në lilakë.
E papërlyera e Krajës e kokrra të ullirit
figura në këmbë e në dorë koka e prerë
përjashta ja skena afresku jeta e `i erë
reliev në këmbë i shën Gjon Vladimirit.
Në dorën e majtë gjithnjë ka kokën e vet
apo ndodh relikti prej argjendi në mur
shenjtit trupi i paraqitur ngrirë kaq vjet.
Me veten ngjitem prapë te kroi në gur
i etur e gjithnjë vija e ujit ik lart yllësisë
Arbëria e lidh plagën e thellë lashtësisë.
XIII
Arbëria e lidh plagën e thellë lashtësisë
pa gjakun tënd e të atdheut do të vdes
tashmë në lot buzë deti të zgjoj në kujtesë
vij qiellit të ngrirë në fluturim Arbërisë.
Çdo mëngjes me zjarr në zemër vij te ti
aty je më pret në varre me të tre fëmijët
dy vëllezër e motra të fjetur nën yj`t
të çmallemi me njeri-tjetrin në qetësi.
Ky sonet i gjarpëron atdheut për kurriz
kaq kafshime ndodhën në netët në stihi
e urat trungjet udhët vdekur në kornizë.
Prapë te varri yt nënë kotem në vetmi
zgjohem me lot e trupi këputur pik gjak
kokrra e ullirit zgjon etje në shuplakë
XIV
Kokrra e ullirit zgjon etje në shuplakë
valë deti më ndrisin fund dimri në lot
s`të solla as trëndafila veç dhembje zot
në zemër shpërthen pa ty tërë flakë.
Në lot shkrehem mbi varrin nën borë
pik i pikë lot e lë kaq gjumë dhembjes
ky akt është veç vetëtimë e shembjes
kot pse qiellit në erë të zgjoj me dorë.
Lule s’të solla nënë as ujë dot për ilaç
ti dhe ashtu tërë jetën je djegur në etje
e përballë ik lumi e jallisë ka `i kaçë.
Narcisë me aromë krejt vitin në fjetje
kanë në mes zgjimin e gjarprin e lërë
rrënjë guaca të thyera e gjurmë në rërë.
Magjistrali
Rrënjë guaca të thyera e gjurmë në rërë
ëndrra e degëzime vetëtime pikin gjak
në njërën dorë më lidhet gjarpri në llërë
jeta mes dy gurësh e zhveshur cullak
është mbase veç vrasja e jugut në hije
kalaja bie pasqyruar valëzimit të bunës
roja e plazhit e pret ikjen e të shtunës
ik dhe ti e s`kthehesh në perlë qetësie
perit të imagjinuar ndrit ylli mbi tivar
ëndrra kohës gjethon ullirin mijëvjeçar
e vetëtima e dehur ik qiellit të rumisë
gjakut ngjet udha me bërrylat në flakë
arbëria e lidh plagën e thellë lashtësisë
kokrra e ullirit zgjon etje në shuplakë.