Ela Zdrava: KUR TI MUNGON…
Ngrohtësinë ta dërgoj me diellin,
rreth teje rreze shpëndarë,
ftohtësia e natës, që pret mëngjesin,
prush të ndizet në buzën e tharë.
Me shiun të dërgoj mallin,
dënesën e mbytur në çdo pikë,
stërkalave ethshëm t’u ndjesh zjarrin,
t’ma shuajnë mallin qoftë dhe një çikë.
Ngjyrat e shpirtit t’i dërgoj me ylberin,
buzëqeshja të mbledhë flutura rreth teje,
nuancat të shndërrisin lëndinave të shpirtit,
t’më ndjesh së gjalli si fllad pranvere.
Ajrit tim kur ti grimcohesh,
zemra ta afroje ëmbël largësinë,
bashkë me erën vrapon ku je, aty,
të të mbështjell në timin përqafim.
Me yjet të dërgoj krahë ëndrre,
qerpikët spërkatur nga e tyre dritë,
qelqeve të syve do t’shohësh copëza zemre,
t’i mbledh sërish s’më duhen as Perënditë.
Horizonteve të tua u dërgoj lirinë
me dallëndyshet maleve lartësuar,
veç liria mund t’ma sjell dashurinë,
krahët ngrihen kur janë dashuruar.
Me zemrën plot të dërgoj pritjen,
se malli edhe kur t’këput nuk ka gjumë,
ti nuk ma kthen zemrën sërish me ikjen,
bashkë me zemrën time kthehesh tek unë.
Qielli spërkatet me mallin tonë, yjet ndizen,
nën prushin e tyre shpirtrat ngjizen…