Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Unë kam parë kur bien yjet, në fshatrat e Lunxhërisë!

ATDHEU-nga poeti Ismail Xhaferi

Ismail Xhaferi

 

Sapo nisi e zbardh mëngjesi,

ulur mbi shkëmbinjtë e Gjatit,

unë kam parë kur bien yjet,

përmbi krojet e Dhoksatit.

 

Unë kam parë yjet që treten,

atje mbi ujvarë të Hosit,

dritë e tyre si mëndafsh,

ndriçon supet e Kakozit.

 

Unë kam parë yjet kur ulen

yjet që të çmendin fare,

në Këllëz nëpër burime,

në Erind nëpër Çelare.

 

Kam parë yjet te këputen,

që andej prej kaltërsive,

bien mbi gushë të Nokovës,

përmbi degët e qershive.

 

Kam parë yjet kur rrëzohen,

nëpër lartësitë e shpatit,

bien mbi qemere porte,

në të hyrë të Qestoratit.

 

Unë kam parë si bien yjet,

dy nga dy e tre nga tre,

tek një breg me luleshqera,

pranë fshatit Valare.

 

Kam parë kur këputen yjet,

(mrekulli të kësaj bote),

bien dhe bëjnë magji,

përmbi kostumet lunxhiote.

Please follow and like us: