Albana Shala: Dëshirë
I ke parë ato linjat me zogj shtegtarë,
ngarkuar me lajme nga vende të largëta
përkulur nga pesha e martesave pa krushq,
nga brengat e gjysheve, kutitë me ilaçe,
grushtat me dhe, shtuar mbi dhe t’huaj,
fjongot e valixheve me fruta të ndaluara,
dosjet me firma të pathara noterësh, dëftesa, diploma,
albume bardh e zi
tendosur, në sprovë,
shkëmbehen aty kujtimet e dashura me ca byte begati.
A mund të ngremë ca linja që nuk bien,
antigravitacionale,
ngarkuar veç me zogj euforikë,
shtegtarë nga syri yt te buza ime,
çukitës thërrimesh, gëzim kënaqësie,
matës oksigjeni, në minierën e dashurisë.
Please follow and like us: