Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Skënder Asani: Kauzat humane të Nënë Terezës, udhërrëfyes për të sotmen e të ardhmen tonë

Sot në sheshin qendror të Shkupit para nesh po hapet një prej skenave më të bukura që ndërlidhet me një ngjarje të shënuar, që ka ndodhur këtu e dyzetë (40) vite më parë, atëherë kur bija e qytetit tonë, e Shkupit tonë të lashtë, Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza, vizitoi vendlindjen e saj dhe me atë rast u shpall QYTETARE NDERI E SHKUPIT.

Ne si Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në koordinim edhe me Universitetin Nënë Tereza, Shtëpinë e Muzeut NËNË TEREZA, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Shoqatën qytetare ‘Shkupjania Nënë Tereza’, ndjehemi të privilegjuar që po e nderojmë kujtimin për Nënë Terezën, pikërisht në një moment kur të gjithë së bashku, me ndihmën edhe të autoriteteve të Qytetit të Shkupit, po i rikthejmë gjurmët e traditës dhe identitetit , që lidhen me vendin ku kishte lindur Nënë Tereza dhe me gjuhën e saj. Tash e tutje gjuha e Nënë Terezës do të jetë e stampuar bashkë me gjuhët tjera në pllakën përkujtimore, një fakt ky që plotëson mozaikun e realitetit tonë shumetnik e shumëgjuhësor.

Ne si institucione dhe si shoqëri civile e kemi për obligim të ruajmë trashëgiminë kulturore e shpirtërore të figurës sublime të Nënë Terezës, e cila për ne shkupjanët mbetet simboli më autentik i një aseti kombëtar, që tash e tutje do të duhej të mbrohej edhe me Ligj. Vetëm në këtë mënyrë mund të patentohet trashëgimia e pasur kulturore e shpirtërore që na e la Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza, duke filluar që nga fëmijëria e saj, në kalldrëmin e Shkupit të lashtë e deri në frymën e fundit, në Kalkutën e largët, atje ku ajo mirësinë njerizoi e shndërroi në mision.

Nënë Tereza është simboli më përbashkues i vlerave e aspiratave tona, sepse vet fryma që ajo promovoi në botë ishte një shkollë e tërë ku bota kishte rastin të mësojë mbi tolerancën, mirëkuptimin, paqen, mëshirën, dhembshurinë, humanizmin etj.

Nuk është edhe aq lehtë të bëhesh nxënës i kësaj shkolle, prandaj ne si Institut kemi themeluar një Departament të posaçëm, i pari i këtij lloji në botë, i cili do të merret me studimin dhe kultivimin e shumanshëm të figurës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, duke ngritur në shkallë institucionale kulturën e mbamendjes kolektive.

Sot kur po flasim për figurën sublime të Nënë Terezës, nuk do të donim që emrin e saj ta përdorim për ndonjë betejë që do të ishte në kundërshtim me frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit që ajo praktikonte.

Ne si ITSHKSH dhe si shoqëri civile nuk kemi dashur që debatin tonë argumentues ta vendosim brenda ndonjë konteksti që do ta përjashtonte figurën e Nënës Terezë nga imazhi i urtësisë dhe dashurisë për gjithë njerëzimin. Përkundrazi jemi munduar, dhe kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen, që përmes debateve civilizuese të demonstrojmë në praktikë se i përkasim frymës dhe nurit që rrezaton emri dhe lavdia e Nënës Terezë. Pra, në asnjë mënyrë nuk do të donim që me veprimet tona të hedhim hije mbi këtë frymë, e me këtë të minojmë urat e bashkëpunimit në mes etnive e feve tona.

Çdo shtet dhe çdo shoqëri i ka brendet e veta, me të cilat mburret. Fati ynë është që simbolika e identifikimit tonë kalon përmes një figure që tash më është ngritur në monument planetar, ndërkohë që një shoqëri që identifikohet me madhështinë e Nënës Terezë, duhet të punojë që fryma e saj të jetë e pranishme në çdo pore të saj. Sepse nuk mjafton që ne të identifikohemi me të, por edhe të jemi shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit të çdoditshëm. Madje ne si shtet dhe si shoqëri jemi vonuar në kodifikimin legjislativ të shëmbëlltyrës së Nënës Terezë, duke e konservuar trashëgiminë e saj edhe në rrugë ligjore.

Nderimi më i mirë që mund t’i bëhet figurës madhore të Nënë Tertezës në 40 vjetorin e shpalljes QYTETARE NDERI e QYTETIT TË SHKUPIT, është përvetësimi nga ana e jonë e kauzave humane të Nënë Terezës, duke i vendosur ato në kontekst të komunikimit dhe mirëkuptimit tonë qytetar.

Shkup, 27 qershor 2020.

(Fjalimi i plotë i Dr. Skënder Asanit, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve)

Please follow and like us: