Albspirit

Media/News/Publishing

Martin Vulaj: Nëse Europa merr drejtimin e dialogut, çështja e Kosovës do të zvarritet gjatë

Komuniteti amerikano-shqiptar i druhet shumë rimarrjes së drejtimit të dialogut Kosovë-Serbi nga Bashkimi Europian pas dështimit të Shtëpisë së Bardhë për të realizuar takimin e 27 qershorit, nga i cili kishte aq shumë pritshmëri. Ish-drejtuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në SHBA, Martin Vulaj, në një intervistë për Ora News shpreson shumë që ky skenar të pamundësohet pasi nëse ndodh çështja e Kosovës do të zvarritet për një kohë të gjatë. Ai sjell shembullin e Turqisë, e cila për vite me radhë vijon negociatat për anëtarësimin.

Vulaj: Uroj që jo. Brukseli, Europa në përgjithësi e ka pasur në dorë çështjen e Kosovës për një kohë shumë të gjatë. Dështimi i saj e ka detyruar Amerikën që në mënyrë të njëanshme në bashkëpunim me partnerët e saj të insistojë për pavarësinë e Kosovës. Edhe në fazën e dytë prej 2011 dhe deri tani nuk ka pasur asnjë progres të prekshëm. Amerika është e vetmja shpresë për t’i dhënë fund këtij kapitulli, me mbaru shtetësinë e Kosovës dhe për ta anëtarësuar në NATO dhe OKB. Nëse na ik ky shans dhe kthehet çështja te Europa do të zgjasë për një periudhë të gjatë. Berisha ka pasur një shprehje Albanofobia, edhe unë besoj se kjo ekziston në Europë. E kemi parë çfarë ka bërë me Turqinë që e ka zvarritur për një kohë të gjatë. Edhe në fund me këtë veprim të fundit ligjor kam frikë se do të bëget një barazpeshim mes fajtorëve dhe viktimave, me i dhënë shkas Serbisë me ec përpara dhe me e lënë Kosovën pas. Nëse lihet në dorë të europianëve kjo do të ndodhë. Progres në atë vend ka pasur vetëm kur Amerika ka marrë rolin e udhëheqësit.

Për të shmangur çdo të papritur, Vulaj thotë se Kosova duhet të organizohet menjëherë për të kapur këtë shans të fundit. Nisur edhe nga takimi online me Grenell, Vulaj parashikon njoftimin e një datë të re takimi javën e ardhshme, i cili do të mund të realizohet jo më larg se 6 javë.

Vulaj: Hoti ishte në pozitë shumë të vështirë, ishte një goditje dramatike. Baza e saj është ligjore por qartësisht është një veprim politik dhe një goditje që shkon shumë përtej Thaçit, një goditje që iu drejtua dhe Amerikës dhe pasojat e saj po i vuan Kosova fatkeqësisht. Me Hotin nuk kam folur por e ka ndjerë nevojën me u kthy në vend. Ishte një pasiguri që po e përjetojmë ende, deri diku mirëkuptohet. Por është shumë e rëndësishme tani që pala kosovare të konsolidohet dhe të reagojë shumë shpejt që të shpëtojë këtë proces.Grenell shpreson që javën e ardhshme të arrihet kjo, të ricaktohet takimi i anuluar për 1 muaj, 6 javë më së largu.

Duke zbuluar detaje nga takimi me Grenell, ai tha se Ambasadori kishte pritur deri në fund që pala kosovare do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë pavarësisht aktakuzave nga Haga.

Vulaj: Grenell ishte i zhgënjyer me anulimin e takimit, priti që ndoshta pala kosovare mund të vinte pavarësisht asaj që ndodhi. E ka kuptuar që ishte një goditje dramatike për vendin, e ka parë jo rastësi që ka ndodhur tre ditë para takimit që ishte thirrur. Kishte edhe një frikë që Amerika mund të tërheqë vëmendjen nga Kosova, pasi është një përpjekje për të zgjidhur situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehte drojën se Presidenti mund të frustrohet dhe mund ti japë detyra diku tjetër. Pasi folëm dje ai kishte takuar Trump dhe ai ja kishte dhënë dritën jeshile që të provojë dhe njëherë që të kthejë bisedat në binarët e duhur. Por i ka thënë që nëse palët nuk janë gati për të ecur përpara drejt një zgjidhje me përfundim njohjen reciproke atëherë ndoshta do ti japë detyra të tjera në administratë. Dua të thekson se ka pasur shumë spekulime rreth planeve të ndryshme  politike. Më ka pohuar më shumë se njëherë se kurrë nuk ka ekzistuar asnjë plan për një zgjidhje të shpejtë, kurrë nuk është konsideruar ndarja e Kosovës. Ka thënë që plani i tyre është një plan me dy faza. Faza e parë është përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kanë firmosur marrëveshjen për hekurudhën dhe linjën ajrore, tani do të firmoset një marrëveshje për autostradën që lidh Kosovën me Europën përmes Serbisë, me kriju një klimë të përmirësimit ekonomik dhe punësim. Krijohet një klimë ku mund të bëhet një marrëveshje politike me ndihmën e Europës dhe me një injeksion financiar.

Vulaj tha ndër të tjera se do të dëshironte shumë të shihte një tryezë mbarëkombëtare për sfidat e shqiptarëve në rajon.

Vulaj: Do të doja një tryezë mbarëkombëtare nën patronazhin e Shqipërisë, kreu i shtetit shqiptar të ftojë të ftojë gjithë elementin shqiptar në rajon, me kriju një strategji mbarëshqiptare për rrugëdaljen jo vetëm të kësaj situate por të ballafaqohet me sfidat që kanë shqiptarët në rajon drejt një të ardhme ku mund të bëjnë progres dhe të integrohemi në Europë si europianë që jemi.

Intervista në studion e TV Ora News  me gazetarin Sebastian Zonja, përgatiti për online Besjana Kuçana

Please follow and like us: