Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Shtëpia muze e Mitrush Kutelit, 13 vjet në themele

Bardhyl Berberi

 

Po mbushen 13 vjet nga një premtim i pambajtur nga Bashkia e Pogradecit për patriarkun e prozës shqiptare Mitrush Kutelin (Dhimitër Pasko). Njëri nga dy majat e letrave shqipe së bashku me bashkëqytetarin e tij Lasgush Poradecin, e bëri  prozën shqiptare inkadeshente në kujtesën tonë.

Kuteli kundërshtoi nazistët për të mbrojtur lekun shqiptar, kundërshtoi më vonë edhe qeverinë komuniste. Për këtë arsye u hoq nga puna, më tej u dënua,u persekutua, nuk u lejua të ecte në rrugën e letërsisë, e detyruan të përkthente megjithatë përkthimet e tij rezultojnë si mjeshtërore. Më pas vjen burgu, Kutelin e mbulojnë me dhe në kënetën e Maliqit dhe e lenë aty për orë të tëra.

Vetëm në 100-vjetorin e ditëlindjes së Kutelit, gjatë vendosjes së gurit të parë të themelit ku do të ngrihet shtëpia muze, mbi themelet e shtëpisë së vjetër që e dogj më 8 shtator 1943 nga fashistët italianë, u tha nga të gjithë folësit se Kutelit i kemi borxhe…

Vetë kryetari i bashkisë së qytetit të asaj kohe Artan Shkëmbi do të deklaronte zyrtarisht para të pranishmëve: Këtu, në këto themele ku ka qenë shtëpia e vjetër e Kutelit do të ringrihet shtëpia muze e shkrimtarit, një iniciativë e Bashkisë në këtë 100-vjetor dhe e biznesit pogradecar, i cili do ta ringrejë shtëpinë ashtu siç ka qenë.

 

Djali i Kutelit, Pandeli Pasko tepër i emocionuar duke vendosur gurin e parë të themelit ka thënë: “U desh ky 100-vjetor i datëlindjes së babait që historisë së Pogradecit që ka pësuar kaq shumë erozione t`u kthehet vlerave të saj”.

Por populli thotë: “E bëra me të thënën e ndan një lumë i tërë”. Shtëpia ka ngelur ashtu siç ngeli atë ditë të 13 shtatorit 2007, kur u vendos guri i parë i themelit! Një ceremoni e madhe në praninë e të gjitha mediave kryesore të vendit dhe personalitete të artit e të ftuar. Madje morën dhe një prift të kishës që të pagëzonte këto themele.

Nipi i Kutelit, dramaturgu Mirosh Markaj, i ndarë pra disa vitesh nga jeta na ka thënë se dajua shpesh herë më thoshte se “leximet e tij të para lidhen me Naimin, Çajupin, Gramenon, Lumo Skëndon dhe më vonë edhe me Nolin”. Por theksonte Kuteli se i pari është Naimi që më fali dashurinë e gjuhës, të tokës, të mallit shqiptar, adhurimin për Skënderbeun, mallëngjimin për Abaz Alinë, prandaj gjithmonë i falem Naimit, do të shkruante ai në kujtimet e tij pas 50 vjetësh.

Pas shkollës fillore në Pogradec shkon në Selanik ku i ati i siguroi një bursë për shkollën tregtare dhe prej andej në Bukuresht në vitin 1931 u diplomua në shkencat ekonomike dhe në vitin 1934 merr doktoratën e shkencave ekonomike. Në vitin 1932 Kuteli, si Kryetar i Studentëve Shqiptarë në Rumani mbledh ndihma për të botuar poezitë e bashkëqytetarit të tij Lasgush Poradeci duke i nxjerr librin e tij të parë më 1932 “Vallja e Yjeve”. Midis prozës dhe bankierit të talentuar krejt papritur ai arrestohet më 16 maji 1947, që edhe sot nuk është mësuar shkaku i vërtetë i arrestimit nga diktatura komunniste.  Vetëm pas 7 muaj hetuesi u dënua për agjitacion e propogandë me 5 vjet heqje lirie, ndërkohë që i humbet gjatë kësaj kohe veprat që ai kishte në shtyp si përmbledhja me tregime “Dashuria e barbarit Artan”, “Sbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”, një roman për burgun e Prishtinës si dhe drama “Ura”. Bashkëshortia e ndoqi bug më burg dhe ai do t`i shkruante:

Kaq afër jemi, po kaq larg

Të lutem mos më prit

Ne ndajmë terr rreth e qark

Dhe yll për mua s`ndrit

Pas daljes nga burgu, na tregonte nipi i tij Mirosh Markaj, Kuteli ishte si një pe i hollë që mund ta këpuste kush të donte dhe kur të donte. Kështu që pas burgut streha e tij ngeli përkthimi. Një përkthyes i përsosur i Gogolit, Turgenjevit, Pushkinit, Gorkit, Tolstoit, Fadajevit, Shollohovit, poezi të Elyarit dhe Nerudës…Vitet që do të vijnë Kuteli i kthehet letërsisë deri më 4 maji 1967 kur zemra e tij e sfilitur dhe e lodhur së tepërmi pushoi…

Dhe padyshim plot kuptim është epitafi i tij i shkruar në vitin 1965 i cili shkruan:

-Oju ,që mbeti më pas në jetë

Të fle më lini –të fle i qetë

Harresën dua…

Këtu jam mirë…

O ju që mbeti pas në jetë,

Bini tingullit siç dini vetë…

Askush nuk iu mban dot dorën kurrë

Hidhni gurë, hidhni gurë…

I rritur mes këtyre bukurive të pafund të qytezës së tij që qëndron mbi ujë Kuteli i fali prozës shqipe perla nga këto bukuri të pafund duke përjetësuar dremitjet e liqenit, pyllin e gështenjave, Lumin e Madh, Xha Brahon e Shkumbanores, Netët e Kollozhekut, Baltën Shqiptare, poemin e Shën Naumit, etj.

E gjithë kjo bukuri e natyrës sot na kujtoi Kutelin, mjeshtrin e prozës shqiptare që ka 13 vjet që shtëpia muze e tij qëndron si atë ditë të vendosur nga guri i themelit nga djali i tij, Pandeli Pasko.

 

 

Please follow and like us: