Albspirit

Media/News/Publishing

Ari Ukimeri: Trashëgimia kulturore me objektet fetare në Prizren (1)

 

 

ARGJIRA (ARI) UKIMERI  – MA.SC.PEDAGOGE

PRIZREN, KORRIK 2020

Siç mësojmë edhe nga Shkrimet e Shenjta, Zoti i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij. Sipas tij njeriu është element zotërues në tokë, ku përmes frymës së shenjtë arrin të dallojë të mirën dhe të keqen. Qysh nga fillimi e deri në kohët moderne, njerëzit kanë arritur të ndërtojnë tempuj fetarë (kisha, xhamia), për hir të dashurisë dhe ndershmërisë që kishin ndaj Zotit dhe vazhduan të jetojnë të lumtur mes vete. Pothuajse, ky bashkëpunim ka qenë fryt i harmonisë fetare edhe në qytetin tonë – Prizrenin. Si njëri ndër vendet më me ndikim në historinë tonë kombëtare, Prizreni, përveç vlerave morale, kulturore, dhe intelektuale ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në aspektin fetar. Raportet e mira ndërfetare kanë ndikuar edhe më shumë në aspektin social në këtë trevë. Bashkëpunmi i ndërsjelltë mes bashkësive fetare, martesat mes këtyre bashkësive, tregojnë qartë raportet dhe karakterin harmonik në Prizren. Dhe kjo ndodh në kohën tonë kur gjinia njerëzore njësohet çdo ditë e më shumë dhe rritet ndërvarësia mes popujve të ndryshëm. Në fakt popujt e ndryshëm përbëjnë një bashkësi të vetme. Ata kanë një zanafillë të vetme, meqë Zoti ka bërë që krejt gjinia njerëzore të banojë në të gjithë tokën, me një qëllim: Të ketë paqe, harmoni dhe mbi të gjitha dashuri mes vete, gjithmonë duke u bazuar në Shkrimet e Shenjta, që janë fjala e Zotit në Tokë.

Më poshtë, do të shohim disa nga objektet fetare.

 

 

KALAJA E FSHATIT DHE KISHA PALEOKRISTIANE – SHËN PJETRI (FSHATI KORISHË)

  

Gërmadhat e Kishës Shën Pjetri – Korishë.

 

Në kodrën e Kalasë së Korishës, sipas mikrotoponimeve quhet Gralishta, gjindet Kisha Paleokristiane e shekullit të VI. Kisha e Shën Pjetrit gjindet brena arealit të brendshëm të kalasë së këtij fshati. Kjo kishë është e orientuar nga lindja dhe ka një absidë. Në këtë pjesë, u evidentuangjurmë të sinkronit të konstruktuar në formë të shkallëzuar dhe në trajtë trapezi. Poashtu, në kuadër të hapësirës së altarit u evidentuan edhe pjesë të kangjelës. Vlen të përmendet që sa i përket materialit të lëvizshëm arkeologjik, në shesh kanë dalë mjaftë fragmente enësh me rëndësi të veçantë, dolën  enësh qeramike, të me karakter  prehistorik. Të gjitha këto zhvillime arkeologjike, lidhen me lokalitetin përballë të periudhës së bronzit të mesëm, si dhe fragmente të enëve të ndryshme si amfora, pitosa, vorba, kana etj të datimit të fundit të antikitetit të vonë, shek. VI. Një rol të rëndësishëm e luan edhe Gërmadhat e Kalasë së fshatit Korishë. Hulumtimet e bëra tregojnë që në anën jugore të fshatit Korishë, me  një lartësi mbidetare 728 m gjenden Gërmadhat e Kalasë së Korishës. Gërmimet e bëra në atë pjesë na tregojnë që këto Gërmadha datojnë nga shekulli V-VL. Respektivisht besohet që në atë periudhë është ndërtuar edhe Kisha e  Shën Pjetër (Kishë Paleokristiane).

 

KISHA KATOLIKE “ZOJA NDIHMËTARE” – PRIZREN

Prizreni si qytet i vlerave multikulturore ishte edhe qendër kishtare. Sipas dokumenteve dhe njohurive, është qytet mjaftë i lashtë dhe qendër e parë katolike në vend. Historia e Prizrenit të sotëm, njihej qysh në vitin 485. Ipeshkvi i parë i krishtërimit në vendin tonë, atë kohë ishte Paul – Pali. Pavarësisht trysnive, përndjekjeve dhe bindjeve, që nga koha romake (deri në Ediktin e Milano-s 313), por edhe gjatë pushtimit otoman, Krishtërimi qëndroi i palëkundur në krijimin e identitetit tonë shumëshekullor kombëtar. Martirizimet që u bënë në atë kohë, ishin faktorët dhe arsyet e lulzëzimit dhe organizimit të drejtë dhe të begatë i Krishtërimt, që ndikuanedhe në krishtërimin e botës sllave në përgjithësi. Me kalimin e kohës dhe me ardhjen e krishtërimin në vendin tonë, u krijuan dhe Ipeshkëvitë e para që nga viti 1020, e deri në ditët tona. Kisha Katolike ‘Zoja Ndihmëtare’ gjendet në zonën historike të Prizrenit, konkretisht në lagjen Qafë Pazari. Historia bindshëm tregon se ky objekt u ndërtua në vitet 1865 – 1870.

Kisha Katolike ‘Zoja Ndihmëtare’ është ndër kishat më të vjetra në Kosovë. Poashtu, i ka përballuar përndjekjeve dhe stuhive të shumta të motit dhe kohës së sundimit të Perandorisë Osmane. Në përiudhën kur ishte ndërtuar Kisha Katolike, ipeshkëv ishte Imzot Dario Bucciarreli (1827-1878). Në periudhën e Dario Buciarelli ishte prift françeskan i lindur në Itali më 04.04.1827. Në fillim ishte ipeshkv në Pultit që shërbeu në vitet 1860-1864. Më pas u emërua Arqipeshkv në Shkup, por me seli në Prizren në vitin 1864. Vlen të përmendet që Dario Bucciarelli, përveç që ishte Arqipeshkv në Shkup-Prizren, ishte dhe pjesëmarrës në Koncillin e Vatikanit (1869 -1870) dhe pjesëmarrës në Kuvendin e dytë të Arbërit (1871). Përveç që  ishte Aripeshkv dhe baritor, ai merrej me shkrime dhe studime të ndryshme. Gjithashtu ka botuar dhe dy libra: Gramatika e Gjuhës Shqipe (Grammatica della lingua Albanese – 1858) dhe Udha e Kryqit – 1862. Ai kishte punuar edhe në përgatitjen e Lidhjes së Prizrenit, si dhe në shumë veprimtari tjera me karakter kulturor, shpirtëror, fetar dhe kombëtar.

Me ardhjen e Imzot Bucciarreli në Prizren si Arqipeshkv filloi aksioni për grumbullimin e ndihmave, projekteve dhe mjeteve për ndërtimin e Kishës në Prizren. Në atë kohë kisha në Prizren ishte mjaftë e vogël, e dobët dhe nuk plotësonte kushtet, kërkesat dhe nevojat kishtare dhe të besimtarëve në atë kohë. Pas përfundimit shumëshekullor të Perandorisë Osmane dhe me ardhjen e Perandorisë Austro-Hungareze në vendin tonë, iu besua leja për ndihmën, ndikimin dhe ndërtimin e Kishës. Në vitin 1838, sipas një raporti të J. Myller, mësohet se Kisha ‘Zoja Ndihmëtare’ ishte shumë e vogël dhe si e tillë ishte rrënuar. Në hapësirën e rrënuar isht vendosur sheshi për ekzekutimin e të të dënuarve me vdekje. Poashtu, në këtë raport tregohet se me gjasë Kisha Katolike Zoja Ndihmëtare është ndërtuar mbi gërmadhat e kishës ortodokse. Por kjo rezulton si e pa vërtetë dhe pa fakte shkencore.

Fakte historike dhe ngjarje të tjera tregojnë realitetin e vërtetë të ndërtimit të kishës. Në vitin 1848, Perandoria Austro-Hungareze kërkoi që të hapen shkollat shqipe, duke cituar që “Në shkolla, fëmijët duhet të mësojnë gjuhën amtare”. Pranë Katedrales ‘Zoja Ndihmëtare’, është hapur Shkolla e Parë Shqipe në vitin 1889, ndërsa disa vite më vonë është hapur edhe shkolla për vajza.

Me hapjen e këtyre shkollave citohet kështu:  Në hapjen dhe zhvillimin e shkollave shqipe, bashkë me atdhetarët në Prizren, punuan edhe klerikët përparimtarë shqiptarë me ipeshkvinë e Prizrenit”. Në Prizren, përveç Katedrales dhe selisë Ipeshkëvore, ishin edhe këto objekte me karakter fetar dhe arsimor: Rezidenca për seminare, Shtëpia e Famullisë, Kuvendi i Murgeshave, Shkollat, Shoqata dhe Organizata të ndryshme që mirreshin me aktivitete kulturore dhe fetare dhe Organizata Bamirësie. Në bazë të njohurive dhe dokumenteve historike në Katedralen ‘Zoja Ndihmëtare’ në Prizren ruhen reliktet (eshtrat) e Shën Viktorit (emër në gj. Latine) apo Shën Nika (emër në gj. Greke). Emri i këtij shenjti në të dy gjuhët e ka kuptimin e emrit shqiptar Fitim (Fitimtar). Sipas dokumentit të dëshmisë së Imzot Bucciarielit eshtrat e Shën Viktorinit ishin nxjerrë nga varrezat në Ciriakë dhe ato ia kishte dhuruar atij, Sh. K. Propaganda Fide në vitin 1873 dhe janë të vendosura për nderim në Kishën Katedrale në Prizren nën eletrin e madh më 20 qershor 1875. Kutia është mbyllur dhe është përforcuar me vulën e argjipeshkvit, Imzot Dari Bucciarielit, me dyll. Konfirmimi i këtij dokumenti është bërë më vonë gjatë administrimit të Ipeshkvisë nga Imzot Smiljan Qekada, më 27 korrik 1963 dhe së fundi gjatë administrimit të Ipeshkvisë nga Imzot Nikë Prelës, më 10 dhjetor 1992”.  Poashtu, në bazë të gjurmimeve që janë bërë në Katedralen e Prizrenit, portretet e Gjergj Kastriotit dhe të Janos Hunyadit, janë punuar nga piktori austriak Sincowiss në vitin 1878 (Viti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit).

 

 

KISHA SHËN GJERGJI – SINODALE

Kisha e Shën Gjergji është  ndërtuar në vitin 1887, ndërsa këmbanarja e saj u ndërtua në vitin 1903. Objekti në fjalë gjindet  në pjesën e vjetër të qyteti, gjegjësisht në lagjen Qafë Pazar në Prizren. Përbërja arktitektonike e kishës është tri anijatëshe, e ndërtuar me gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse pjesa e këmbënares është ndërtuar me tulla të lidhur me llaç gëlqeror. Në pjesën e jashtme, objekti nuk është suvatuar, ku shihen qartë strukturat e mureve. Kisha mbulohet me kulm dy ujor, të mbuluar me pllaka plumbi. Objekti posedon dy hyrje: hyrja kryesore nga ana perëndimore dhe një hyrje nga ana jugore. Nga ana lindore ndodhet absida gjysmë harkore kurse nga ana  perëndimore dhe jugore pranë hyrjeve ndodhet streha e cila mbështetet mbi shtylla guri me prerje rrethore. Në pjesën lindore gjindet altari në formë gjysmë harkore. Para altarit gjindet Naosi, i cili ndahet ndahet narteksi nga shkallët. Pjesa perëndimore e enterierit, gjegjësisht mbi portën hyrëse ndodhet galeria. Ndërsa në pjesën jugore dhe perëndimore nga altari gjinden Proskomodia dhe Diakomikoni.

Përballë kishës së Shën Gjergjit gjindet një kishë tjetër me emër Shën Gjergji Runoviç. Kjo kishë (Shën Gjergji Runoviç), ishte shfrytëzuar si objekt konsullate nga Rusia në shekullin XIX. Poashtu shërbente edhe për pritjen e mysafirëve (dmth si shtëpi apo konak). Pastrimi i kishës, riparimi dhe pastrimi  i gurëve të dëmtuar në mure, rindërtimi i qemerëve dhe kupolës nga guri, montimi i druri, instalimet e elektrike, rindërtimi i enterierit, rindërtimi i Konakut qendror dhe shtëpisë së mysafirëve në oborr të Kishës dhe montimi i këmbanave të  kishës, janë investimet dhe restaurimet që janë bërë pas përfundimt të luftës në Kosovë.

 

 

 

KISHA E SHËN PREMTËS – KISHA LEVISHKA (R. ISLAM – XHAMIA E XHUMASË)

Zona historike e Prizrenit është një kopsht i gjelbëruar, në mesin e së cilit gjindet objekte të kultit dhe ato fetare që ngjasojnë me lulet që qelin në stinën e pranverës. Në mesin e objekteve fetare në këtë zonë historike është dhe KISHA E SHËN PREMTËS. Ky objekt fetar, ka prejardhje bizantine. Janë dhënë mendime nga disa shkencëtarë se Kisha e Shën Premtës është kishë paleokristiane shek. V-VI.. mbi të gjitha mendohet se objekti në fjalë u ndërtua mbi një objekt paleokristian. Sipas shkencëtarëve, supozohet se themelet e kishës, vihen mbi themelet e tempullit Pagan – Ilir (para erës sonë). Ky tempull ishte përkushtuar për hyjneshën ilire të plleshmërisë dhe lindjes Prema apo Premta. Në mesjetën e vonshme, gjegjësisht me ardhjen e e sllavëve, kjo kishë u ndërtua në vitin 1306-1307, me mirtimin e mbretit Milutin. Punët e përgjithshme dhe meremetuese u udhëhoqën nga mjeshtrit e njohur të asaj kohe, Nikolla dhe Astrapa. Stili i ndërtimit të kishës në fjalë, u pasurua me shprehje specifike me një arkitekture artistike, dhe një kombinim mes tilit Bizantin dhe atij të kishës së Rashkës. Pas rindërtimit të kishës nga mbreti Millutin, serbët përdorën emrin e mëparshëm të kishës, por gjithashtu bënë përshtatjen e saj nga Shën Premta në Sveta Petka. Ndërsa emri Levishka, mori emrin në bazë të rrjedhës së Lumbardhit (pasi rrjedha e Lumbardhit bëhej në anën e majtë objektit). Me pushtimin e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane në vitin 1455-1459 dhe rënia e Prizrenit nën këtë perandori, nga objekti kishtarë u shndërrua në xhami.

CUMA CAMI (XHAMIA E XHUMASË). Ky emërtim njihet edhe sot e kësaj dite në popull. Faltorja e re u ndërtua mbi planimetrinë e kryqit. Me luftën e parë ballkanike 1912, ky objekt fetar u kthye përsëri në kishë. Gjatë shndërrimeve të shumta nga kisha në xhami dhe anasjelltas, objekti përjetoi disa ndryshme si:  u suvatuan muret e brendshme, u mbyllen disa dritare, u ndërtua Minarja mbi Kambanare etj. Ndërsa muret e brendshme të kishës janë të pasura me afreske. Shtresa e parë e afreskave i takon periudhës mesjetare bizantine ku mbizotërojnë shqiponjat dykrenare. Në shtresat e mëvonshme dominojnë kompozicionet me motive biblike dhe të personaliteteve nga dinastia e Nemanjidëve etj. Në fillimet e saj, kisha ishte trianiatëshe, gjatë rindërtimit të vitit 1306/7 iu shtuan edhe dy kupola me ç’rast formohen pesë aniatat. Atëherë u bënë edhe gërmime arkeologjike në objekt dhe oborr. Kohë pas kohe janë bërë zjarre djegje të objektit brenda dhe jashtë tij. Mirëpo, menjëherë janë bërë ndërhyrje dhe restaurime të objektit dhe afreskave murale. Është i vetmi objekt fetarë në Prizren, që u bë pjesë e UNESCO-s në vitin 2006.

 

TEQJA E TARIKATIT HALVETI

Teqja e Tarikatit Halveti gjindet në zonën historike të Prizrenit, gjegjësisht në lagjen e Saraçhanes. Ndërtesa në fjalë i është e tipit sakrale Islame dhe i përket tarikatit Halveti. Fjala Halveti, rrjedh nga gjuha arabe Halwet – që do të thotë vetmi. Emrin e mori nga themeluesi i saj PIRI I MADH OMARU – L HALVETIU. Themeluesi i kësaj teqe në Prizren vdiq në vitin 1397/8 në Tabriz. Themelimi i Teqes Halvetive në Prizren lidhet ngushtë me Sheh Osman Babën. Nga të dhënat bibliografike tregohet se ai (saj PIRI I MADH OMARU – L HALVETIU) ishte nga Vlesha, fshat i rrethit të Peshkopisë në Shqipëri. Shkollimet e para i mori në Medresenë  e Serez (Greqi), ku edhe është përcaktuar për rendin e halvetive. Pasi mbaroi shkollimin ai punësohet për të shërbyer në Xhaminë e Kukli-Beut në Prizren. Gjatë punës së tij 2/3 vjeçare bie në sy devotshmëria e tij si besimtar, mendjehollësia e tij, aftësia çudibërëse etj. Ka shumë gojëdhëna që na lidhin me punën çudibërëse të tij. Një e tillë tregohet më poshtë:

Një pasardhëseje të Kukli-Beut i kishte humbur djali, për këtë ajo shqetësohet tej mase. Ajo për ta gjetur të birin bën çmos, por se gjen dot. Në një rast, nëna e dëshpëruar e qan hallin me Osman Babën. Ky i jep kurajë, duke i premtuar se do t`ia gjej djalin, kudo që të jetë ai, dhe me të vërtetë ashtu ndodhi; djali kthehet në shtëpi, shëndosh e mirë. Ajo në shenjë falënderimi i fali Osman Babës një shtëpi dykatëshe, të cilën ai e shndërron në teqe, e njohur si “Asitane saraqhane tekesi’’. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitet 1418-1428. Edhe pse disa të dhëna historike na tregojnë se themelimi i kësaj tee ka ndodhur në vitet 1604 – 1713 Teqja ka bazë drejtkëndëshe, e mbuluar me kulm katër ujor me tjegulla tradicionale. Në pjesën lindore gjendet hajati i dekoruar me shtylla të gdhendura nga druri. Semahanja paraqet një ndërtesë karakteristike,. Brenda teqes janë disa dhoma të veçanta. Semahnja – Dhoma e lutjes, Tyrbja – ku janë varrosur udhëheqësit e Teqes (Shehlerët). Ndërsa oborri është i shtruar me kalldrëm , në mes të tij  është një krua mermeri dhe Brenda tij rrjedhë ujë. Enterieri i Teqes është i dekoruar me pllaka qeramike me motive florale dhe arabeska. Përveç enterierit të këtij objekti, në Samahane gjenden elementet origjinale të saj, veglat e punës dhe veglat muzikore.

 

 

TYRBJA E SHEHZADEUT NË PRIZREN

 

E ndërtuar në vitin 1582, njihet si Tyrbja më e madhe në Ballkan. E themeluar nga Sylejman Axhiz Baba, kjo tyrbe ka një histori 400 vjeçare që është përcjell brez pas brezi deri në ditët e sotme. I takon tarikatit Saadi. Në këtë tyrbe, lutjet janë çdo here të pranishme nga njerëz të ndryshëm, duke thyer kështu autoritetin e heshtjes dhe së keqes. Shumë vizitorë vijnë këtu, luten, lënë monedha, për të cilat besojnë në ralizimine lutjeve dhe dëshirave të tyre. Karakteristikë e kësaj Tyrbe është, edhe lisi mijëravjeçarë që ndodhet përballë saj. Ky lis njihet me emrin Lisi i Axhis Babës, dhe si e tillë edhe Tyrbja e mori po  këtë emër. Sot Tyrbja në fjalë, vizitohet nga mijëra njerëz për arsye të ndryshme, dhe është nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

GURI I AXHIS BABËS

 

 

 

 

 

XHAMIA E SINAN PASHËS

E ndërtuar në vitin 1615 nga Sofi Sinan Pasha, kjo xhami ndodhet në zonën historike të Prizrenit, gjegjësisht në qendër të qytetit. Sofi Sinan Pasha shquhej si njeri i dijes, i shquar dhe person shumë i rëndësishëm në Perandorinë Osmane. Xhamia e Sinan Pashës ndodhet në zonën historike të qytetit të Prizrenit. Pozita e mirë gjeografike dhe dominuese e xhamisë, forma e ndërtimit të saj, proporcioni ndaj kupolës, materialet dhe teknikat e ndërtimit, një enterier i mrekullueshm dhe dekorimet e pasura, Xhamia e Sinan Pashës pasqyron një ndër objektet më karakteristike në Prizren. Ky monument është  vendosur mbi një bazament të ngritur ku qasja nga rruga bëhet në anën veriore nëpërmjet shkallëve të gdhendura nga guri. Ka planimetri katrore me një nishë në pjesën jug-lindore që e bën xhaminë më specifike në krahasim me xhamitë tjera në Kosovë. Vlen të përmendet që xhamia është ndërtuar nga gurët lumorë të latuar, të lidhur me llaç gëlqeror, ndërsa nga ana e jashtme është veshur me gurë të gdhendur (të cilët supozohet që janë marrë nga gërmadhat e Manastirit të Kryeengjëjve). Minarja e xhamisë është ndërtuar prej gurëve shtufe (siga), me bazë katrore dhe trung rrethor. Në pjesën e sipërme ndodhet një Sherefe. Para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, i punuar prej guri. Ky hajat ka tri kupola të mbuluara me plumb të cilat mbështeten në shtylla guri me bazë rrethore. Poashtu, xhamia mbulohet me një kupolë të gjerë më diametër 42.5 m. Enterieri paraqet një është hapësirë unike, e ndriçuar përmes dritareve të radhitura në nivele, me kupolë të pikturuar me motive florale në tri faza. Fazat e para të pikturave murale u takojnë shekujve XVI-XVII të punuar me teknikën “al seko, ndërsa faza e tretë i takon periudhës së shekullit XIX të punuar në stilin Barok, ku mbizotërojnë motivet me ngjyrë blu. Enterieri në përbërje ka mahvilin, mimberin dhe mihrabin po ashtu të dekoruar me piktura me motive florale dhe dekorime plastike të punuara në gurë. Në pjesën veriore të xhamisë, pranë shkallëve gjendet një fontanë guri e dekoruar e cila shërben për abdes (ritual fetar) dhe shfrytëzim publik. Në pjesën jugore të xhamisë gjendet oborri i madh i rrethuar me mure nga guri. Sipas karakteristikave që ka xhamia, i takon tipit të xhamive me nishë (Mihrab) dhe me Hajat (Portik) të ndërtuar prej guri, në të cilin gjendet edhe një mihrab. Deri në vitin 1912, Xhamia i shërbeu nevojave fetare. Gjatë kohës së luftërave Ballanike dhe Luftës së Parë Botërore xhamia u shfrytëzua nga ushtria serbe dhe bullgare si depo për municion. Xhamia e Sinan Pashës, pësoi një dëmtim të rëndë, me ç’rast u dëmtua rëndë Hajati i xhamisë në vitin 1919. Mbështetur në gjurmët dhe dokumentet e vjetra, Xhamia si tërësi është restauruar disa herë, si pasojë e dëmtimeve që ka pasur ndër shekuj. Në vitin 1967, është formuar Enti për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Përmendoreve. Nga ky vit, filloi përkrahja dhe përkujdesja e monumenteve të Kulturës dhe Fetare. Ndërsa në vitet 1968-69, pas një rinovimi të thellë që iu bë objektit, Xhamia e Sinan Pashës shëndërrohet në një Muze të Dorëshkrimeve Orientale. Gjatë viteve 1973-1978, bëhet konservimi i dhe restaurimi i pikturave murale. Ndërsa që nga viti 2003, Xhami Sinan Pasha, hapet tërësisht për besimtarët dhe shërbime të tjera fetare. Në vitet e fundit parashihet që të që të krijohen hapësira përcjllëse për dhe rekreative në kuadër të kompleksit të këtij objekti.

 

NAMAZGJAHU

Namazgjahu gjendet në anën veri-perëndimore të qytetit pranë rrugës magjistrale Prizren-Gjakovë. Fjala Namazgjah rrjedh nga gjuha persiane që do të thotë vend për falje (apo lutje). Në vitin 1455, Prizreni ra nën sundimin e Perandorisë Osmane. Isa Beu, ishte komandant i Fatih Sulltan Mehmetit. Poashtu, Isa Beu është  njohur për ndërtimin e Namazgjahut, që shërbeu për kryerjen e ritualeve fetare të ushtarëve të Perandorisë Osmane në Prizren. Vlen të përmendet që mjeshtri kryesor dhe mbikqyrës i këtij tempulli ishte Ahmed Çaushi. Pas vendosjes së plotë të administrimit Osman në Prizren Namazgjahu, ky tempull, përveç faljes nga ushtarët turq të asaj kohe, filloi të shërbente edhe për falje nga bujqërit që punonin tokat e tyre. Ndryshe në popull, Namazgjahu njihet edhe si Kërëk Camii, apo Xhami e thyer. Me përkrahje edhe të Komunës së Prizrenit, hartohet dhe zbatohet projekti i restaurimit të Namazgjahut dhe parkut rreth saj. Namazgjahu është ndërtuar me planimetri drejtkëndëshe nga gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror. Nëpërmjet tri shkallëve ngjitet në platenë ku gjendet një mur me lartësi rreth 1 metër, ku është paraqitur nisha që e shënjon mihrabin. Në këndin e djathtë të murit gjendet minarja me bazë katrore dhe trung gjashtë këndor, të punuar nga gur të gdhendur.

 

 

Please follow and like us: