Izet Duraku: MUZG BUKURIE
Muzg bukurie,
Prarim i vonë vjeshte,
Të mbramet vezullime heshtash,
M’i flakëron zemrës.
Vatrës së syve
Përzishëm ngrihet perdja :
Hi ngrehinash gërmadhë,
Miliona golgota pranë qiellit
Rrëzohen ferrit të nëndheshëm.
Po afron fundi i botës, thue,
Kur unë lus fillimin,
Mëngjesin e vashës së virgjën
Ku la mendjen Hyu.
Në zinxhirin e hollë si vesë
Midis gjinjve
Mend këputem,
Bie.
Unë apo
Shejza e birit të kryqzuem?!
Ban pak mënjanë
Djalë perëndie,
Ta provoj kunorën me gjemba,
Dimna e golgota bashkë
Ta shfryjnë apokalipsin!
Please follow and like us: