Nuk janë vetëm deputete dhe gjyqtarë të sotëm që falsifikojnë, ja si bëri Esat Toptani në 1914
EXCELSIOR (1914)/KUR ESAT PASHA TENTOI TË FALSIFIKONTE DOKUMENTIN E DORËHEQJES SË TIJ
Burimi: gallica.bnf.fr/Bibliothèque nationale de France.
Nga Aurenc Bebja*, Francë.
“Excelsior” ka botuar, të hënën e 16 shkurtit 1914, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me një veprim të çuditshëm të Esat Pashë Toptanit ndaj delegatëve të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Në Shqipëri
Esat Pasha kishte falsifikuar një dokument
Ai kishte shtrembëruar përkthimin e tekstit frëngjisht me të cilin dha dorëheqjen.
Romë, 15 Shkurt (Nga korrespondenti ynë i veçantë). – Esat Pasha qëllimisht tregohet besnik ndaj Princ Vidit që kur ka ardhur në Romë. A është kjo besnikëri… besnike ? Sovrani i ardhshëm i Shqipërisë do të bënte mirë që t’i besojë me një kujdes më të madh. Sepse arti i lojës së dyfishtë duket i lindur te gjenerali që e ktheu Shkodrën te Malazezët në kushtet që ne i dimë. Dëshmon kjo anekdotë pikante, ekskluzive, vërtetësia e së cilës sfidon çdo përgënjeshtrim.
Kur Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi në Durrës kohët e fundit për t’i kërkuar Esat Pashës që të jepte dorëheqjen si President i Senatit shqiptar, delegatëve iu desht të shtonin përpjekjet për të arritur qëllimin e tyre. Më në fund ata ia arritën : Esat Pasha premtoi të nënshkruajë dorëheqjen e tij.
E shkruajtën menjëherë dokumentin, teksti frëngjisht i të cilit përafërsisht ishte si më poshtë :
“Unë, ESAT PASHA, deklaroj të jap dorëheqjen time dhe të marr përsipër të largohem sa më shpejt nga Durrësi.”
Para nënshkrimit të këtij dokumenti, Esati kërkoi që t’i lejohej të shkruante një kopje të dytë, të përkthyer në turqisht, për përdorimin e tij personal; ai dhe delegatët gjithashtu duhej të nënshkruanin këtë kopje të dytë.
Meqë nuk flet frëngjisht, kërkesa e tij u duk e natyrshme. Një sekretar i Esat Pashës bëri përkthimin. Të dy dokumentet, frëngjisht dhe turqisht, u vendosën në një tryezë për nënshkrim kolektiv. Delegatët ishin gati të nënshkruanin përkthimin në turqisht, kur njëri prej tyre, ndërroi mendje dhe e përktheu atë tek një njeri që kishte besim.
O befasi! Fjalia thelbësore u shtrembërua si më poshtë:
“Unë, ESAT PASHA, deklaroj se marr përsipër të jap dorëheqjen kur të largohem nga Shqipëria”.
Ndryshimi ra në sy, dhe me siguri, pashai i shkëlqyer i rezervonte vetes t’u vërtetonte një ditë anëtarëve të komisionit, dokumentin e nënshkruar nga dora e tyre, se ai kurrë nuk kishte dhënë dorëheqjen, meqë ishte gjithmonë në Shqipëri!
Më siguruan se kur u zbulua ky mashtrim, delegati anglez ishte aq i indinjuar sa që, me një gjest nervozizmi, grisi kapelën e tij.
Ndërsa Esati, thjesht buzëqeshi. Dhe, si një fatalist i mirë oriental, ai nuk kundërshtoi nënshkrimin e një dokumenti të ri të korrigjuar siç duhej. Sepse, me siguri mendoi ai, se, këtë herë të paktën, komisioni nuk do të binte në grackën e tij. — LÉON CONSEIL.