Njësitë e Rezistencës të MEK, Shtylla Kurrizore e Alternativës së Vlefshme ndaj Regjimit Iranian
Për një kohë tepër të gjatë, ligjvënësit perëndimorë kanë patur tendencën të supozojnë që regjimi aktual i Iranit është i fiksuar në vend, me shumë pak perspektivë për t’u përmbysur nga populli i vet. Por kjo ide është mbështetur nga vetë propaganda e regjimit iranian. Me anë të mediave të tij shtetërore dhe gazetarëve miqësorë me prezencë ndërkombëtare, Teherani e ka përhapur rregullisht mesazhin se nuk ka alternativë të vlefshme ndaj diktaturës teokratike, dhe se grupet opozitare ekzistuese ose janë pa mbështetje brenda vendit, ose shkojnë kundër interesave perëndimore.
Kjo propagandë nisi të rrëzohej nga fundi i 2017-ës. Në atë kohë regjimi e gjeti veten në mesin e një kryengritjeje mbarëkombëtare, ku iranianë nga sfonde të larmishme etnike e socio-ekonomike iu bashkuan thirrjeve të hapura për ndryshim regjimi. Ajo kryengritje zgjati për një pjesë të madhe të Janarit 2018 dhe i dha shkëndijën asaj që Presidentja e zgjedhur e NCRI-së Maryam Rajavi e ka quajtur “një vit plot kryengritje.” Kjo lëvizje mbarëkombëtare u shty në prapaskenë pas vdekjes së disa dhjetëra protestuesve paqësorë, por mbeti e varrosur vetëm deri në shpërthimin e protestave mbarëkombëtare të nëntorit 2019.
Kjo kryengritje e rigjallëruar rezultoi edhe më e përhapur sesa pararendësja e saj. Ndërkohë që në rastin e parë, protestat u zhvilluan në rreth 150 vende, ky numër arriti në rreth 200 qytete në 2019-ën. Fakti që slloganet e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK) si “vdekje diktatorit” u përqafuan edhe më gjerë nga publiku shkaktoi panik në radhët e regjimit klerikal. Autoritetet represive si Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike u përgjigjën shpejt me plumba, dhe pas vetëm pak ditësh, 1,500 protestues kishin vdekur.
Mijëra të tjerë u arrestuan, duke shënuar kështu fillimin e një vale të re shtypjeje ndaj disidentëve në Iran. Këto kryengritje ushqyen ankthin e mullahëve lidhur me një Rezistencë të organizuar, dhe me njësitë e rezistencës të MEK, rritja e vazhdueshme të cilave e ka sfiduar qartë propagandën më thelbësore e më jetëgjatë të regjimit. Në fillim të 2018-ës, ndërkohë që kryengritja e parë vazhdonte ende, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei paralajmëroi publikisht për rolin e luajtur nga MEK. Dhe që atëherë kanë dalë shumë paralajmërime të tjera të tilla.
Ndërkohë, vetë MEK ka ruajtur një rrjet të gjerë brenda Iranit, i cili fitoi rëndësi ndërkombëtare në vitin 2003 kur qe i pari që ekspozoi aspekte kyçe të programit klandestin bërthamor të Iranit. MEK ka vazhduar gjithashtu të shpërndajë informacione rreth krimeve dhe politikave shkatërrimtare të regjimit tek popullsia iraniane e cila është shpesh e etur për akses në media të pavarura e të huaja për shkak të censurës famëkeqe të regjimit.