Alma Braja: Poezia është ndihmesë, që më jepet për t‘u gjendur në të tashmen!
Ekskluzive për Albspirit/Poetesha Alma Braja në intervistë me shkrimtaren Sabina Darova
Sabina Darova
Një nga zërat poetikë që kanë tërhequr vemendjen dashamirëse të lexuesve si dhe të kritikës letrare, është poetja Alma Braja. Sot, ndër portalet si dhe revistat letrare, ajo vjen fuqishëm me vargun e saj të lirë e filozofik, si një nga përfaqësueset e poezisë bashkëkohore të Diasporës. Shtysa për t‘a intervistuar erdhi nga një lajm i gëzueshëm për të si autore, sepse në vjeshtë, pas shumë ciklesh poezie të botuara për të apasionuarit e poezisë, ajo vendos t‘i paraqitet publikut me vëllimin e saj të parë poetik, “Fjalë të imta”. Titullin e vëllimit poetik, poetja ja beson për herë të parë portalit “Albspirit”, i cili ka eskluzivitetin.
Duke i uruar suksese poetes së talentetuar Alma Braja, përpara se t‘ju vijë mbi duar libri i saj i parë, ju sjellim intervistën që vijon.
Kush është Alma Braja?
U linda dhe u rrita në Gjirokastër. Më 1993 erdha në Athinë dhe qysh atëherë, jetoj këtu. Më 1997 mbarova një shkollë për profesione turistike dhe vitet e fundit punoj në një agjenci turistike. Kjo jam unë, por nëse vërtetë mund të pyesja veten se kush është Alma Braja, një përgjigje të saktë nuk do të mund të jepja. Mendoj se çdo njeri, si çdo qenie e gjallë, i përket ndryshimit e kështu, e vetmja që mund të them, është se jam një njeri që ndryshon vazhdimisht dhe shpreson se kjo ndodh për të mirë.
Dardha bie nën dardhë… Një thënie e vjetër kjo. Duke qenë mbesa e poetit të njohur Tasim Gjokutaj, a ka luajtur rol poezia e tij në formimin tuaj si poete? Nëse po, si dhe ku janë ndarë rrugët?
Alma Braja: Jam rritur në një mjedis, ku nipërit e mbesat e Tasimit, kur mësonim të flisnim, shqiptonim edhe vjershat e tij. Ndihem me fat, sepse të rritesh duke dëgjuar me zërin e poetit atë muzikë që të lë ritmi i vargut brenda thellë, do të thotë se e ke përherë me vete. Prandaj, po, ka luajtur rol të rëndësishëm. Është ‘mbjellja’ do të thoja dhe përkujdesja e tij për rritjen e farës brenda meje. Prandaj edhe në fillimet e mia, vargjet ishin me rimë. Si e thashë edhe më parë, njeriu ndryshon, evoluon, prandaj mora rrugë tjetër, sepse edhe jeta ime mori tjetër rrugë. Ne që krijojmë ‘ngacmimet’; i kemi nga bota përreth. Edhe pse mendoj se jo pikërisht u ndanë rrugët. Jemi degë të së njëjtës pemë, thjesht shohim në drejtime të ndryshme.
Ç’vend ze vendlindja, Gjirokastra, në jetën artistike dhe a gjenden pika të përbashkëta me vendin ku jetoni tani në mërgim, Athinën?
Alma Braja: Gjirokastra! Gjirokastra për mua është mami, babi. Janë gjyshet dhe gjithë të dashurit e mi. Është bukuria, ngrohtësia. Malli i përhershëm edhe kur jam atje dhe nuk ndaloj së ecuri kalldrëmeve. Kur flas për Gjirokastrën, është pikërisht ajo ecja që thashë, që nuk ndalon. Prandaj edhe, meqë më të shumtat e orëve të ditës i kaloj në qendër të Athinës, atje ku është zyra ku punoj, shkoj dhe i shëtit një për një sokakët e Plakës. Kështu edhe i flas vetes për Gjirokastrën duke ecur. Kjo është e përbashkët që ka Athina me të. Sokakët në Plaka poshtë Akropolit.
Tek poezia “Një grua” ju e keni krahasuar poezinë me një grua që ka lënë pas mosdijeninë e bukurisë së saj. A është e vërtetë ky ‘naivitet’ dhe çfarë kanë të përbashkët dy bukuritë?
Alma Braja: Po i kthehem përsëri asaj që thashë në fillim për sa i përket ndryshimit të përhershëm. Duke qenë se poezia është krijim njerëzor, e krahasova me një grua. Arrin një çast në jetën e një poeti, që çdo gjë vjen natyrshëm. Dhe duhet të vijë natyrshëm. Si fryma. Fryma merret natyrshëm. Nëse merret vështirë, atëherë kuptojmë sa e rëndësishme është. Dhe sa e bukur është. Atëherë edhe poeti ndihet i bekuar nga natyrshmëria e krijimit. Dhe rezultati quhet poezi. Deri në atë çast, thjesht shkruan. Pastaj krijon. E përbashkëta është bukuria e dëshirës.
Të mendosh është e vështirë, ndaj është e lehtë të gjykosh, keni cituar diku Carl Jung. Sa e vështirë është të mendosh dhe për kë shkruan Braja, cilin publik kërkon që t’ia tërheqë vemëndjen?
Alma Braja: Pëlqej të lexoj Jung. Në përgjithësi, pëlqej të lexoj gjëra që më vënë në mendime. Dhe besoj se, përderisa gjykimi do shumë mendim, nga një pakicë njerëzish, quhet si diçka që nuk duhet bërë. Pra unë, që nuk besoj se i përkas kësaj pakësie, ende, do të thoja se shpesh i tërheq veshin vetes në heshtje, kur tenton të gjykojë. Është tjetër të vësh re, tjetër të gjykosh. Të vësh re është e lehtë. T’i mbetesh besnik vërejtjes, është e vështirë dhe atje fillon mendimi. Alma shkruan për ata që nuk kanë dëshirë të gjykojnë. Për ata që i ngjajnë në një farë mënyre, vetes së saj. Pra kërkon t’i tërheqë vëmendjen vetes me fjalë të imta. Ndoshta kështu, në fjalët e saj gjejnë veten edhe të tjerë.
Poezia juaj përmbledh ‘vlerën’ shoqërore të vlerave të kohës që jetojmë. Çfarë mendoni rreth situatës së poetit në shoqërinë tonë? Dhe si ndërthuret poezia me ekspresionet e tjera të artit?
Alma Braja: Poeti, si çdo krijues tjetër, është pjesë e pashkëputshme e shoqërisë. Le të përmend këtu, gjurmët që ka lënë populli në kujtesën tonë. Vargu i lidhur drejtpërdrejt me gëzimet, hidhërimet. Kemi ninulla, këngë dasmash, dashurie, vaje, që kaluan nga goja në gojë dhe erdhën tek ne. Kështu lindi poezia, si nevojë e shprehjes, prandaj edhe poeti nuk do të mund të krijonte, pa ngacmimet nga shoqëria ku jeton. Ashtu si e thashë, është nevojë shprehjeje, dhe si e tillë, është vetëm një pjesë nga familja e madhe që quhet art. Dhe ndërthurrja e saj me format e tjera, për mua, është eksperiment që ia ka arritur qëllimit.
Përse duhet lexuar poezia dhe cilët janë autorët që ju kanë mbërthyer si lexuese të saj?
Alma Braja: Përse lexon Alma poezi? Leximi i saj për mua është ndihma që më jepet të gjendem në të tashmen. Një lloj meditimi. Është një mënyrë që më bën të kujtohem se, përveç realitetit që jetoj, është edhe një tjetër realitet, intim, ku asnjëherë kuptimi i jetës nuk është i drejtpërdrejtë. Poetët e mi më të dashur janë ata që përdorin një gjuhë të thjeshtë, për të thënë diçka aspak thjesht. Do të veçoja Wislawa Szymorska, Octavio Paz, Pablo Neruda, Khalil Gibran, Mary Oliver, nga poetët grekë, Manolis Anagnostakis, Eleni Vakalo, Konstandinos Kavafis, Tasos Livadhitis dhe shqiptarë sigurisht, Ndre Mjeda, Migjeni, Lazgush Poradeci, Martin Camaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Frederik Rreshpja, e shumë e shumë të tjerë.
Në ç’gjendje ndodhet letërsia shqiptare sot? Sheh mungesa përsa i përket të shkuarës, apo e gjeni të përmirësuar?
Alma Braja: Letërsia shqiptare sot është në ndryshim të vazhdueshëm. Ka sigurisht influencë nga e shkuara, kjo nuk mund të mohohet, por edhe ecën përpara. Dua të jem optimiste. Në ecjen time të përditshme faqeve sociale që zgjedh dhe që lexoj, takoj krijime të bukura shumë. Do të mund të përmendja poetë të mëdhenj të një kohe të shkuar, por i thashë më lart. Nga të sotmit veçoj Xhevdet Bajraj, Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Sabajeta Peposhi, Ledia Dushi, Entela Tabaku, por edhe të tjerë…
Çfarë raporti ka shkrimi artistik me shoqërinë, me influencimet politike dhe kulturore? Dhe si jetojnë këto aspekte në shkrimet dhe përkthimet e tua?
Alma Braja: Shkrimi artistik nuk është asgjë tjetër, veç esencës që mbetet në qenien njerëzore nga shijimi i jetës me të gjitha shqisat. Do të hiqja mënjanë influencimet politike, pasi për mua është diçka që nuk më prek, as e prek, por përderisa edhe kjo është pjesë e pashkëputshme nga shoqëria, ndoshta pa menduar se dua ta prek, e shpreh me një mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Pra raporti ekziston dhe del në pah kështu, nga përjetimet dhe mbresat si në shkrim, ashtu edhe në përkthim.
Është më lehtë ta shkruash apo ta përkthesh poezinë?
Alma Braja: Janë thënë shumë dhe shumë thënie të tilla, përsa i përket përkthimit të poezisë, janë ripërtypur. Do të thoja se në çdo rast, çdokush që përkthen, ka këndin e tij të vështrimit. Nuk do ta quaja as të lehtë, as të vështirë përkthimin, përderisa është edhe ai një lloj frymëzimi, që ndodh sa herë dua të futem në botën e poetit që e ka krijuar. Të njëjtën do të thoja edhe për krijimin e poezisë. Poezia ndodh. Dhe kur ndodh diçka, nuk mund ta vësh në asnjë shkallë vështirësie. Sepse ndodh vetvetiu.
Cikël poetik nga Alma Braja
ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE?
I.
“Mos iu afro fjalës!
Fjala nuk është muzikë.
Nuk sjell gëzim.
As ngroh, as ftoh.
Mos iu afro!
Nuk e vesh tokën gjelbërim.
As kaltërsi qiellin”!
Kaq shumë “mos”
e unë, kaq afër i rrija befasimit.
E pas fjalëve fshihesha.
Kështu, e shihja më qartë dritën.
I ngjisja fjalë për fjalë, fjalët e botës.
Rrethuar nga kaq “mos”, që nuk ndalonin.
II.
Kishte mjellma rreth meje atë mëngjes.
Ishte fillim pranvere.
Në përhumbje të një “mos” gjithnaje ishin zhytur fjalët.
Gjithkund mos.
Askund liqene.
Ja çfarë kërkonin mjellmat.
Liqene!
Por e thashë.
Unë afër befasimit.
E fjalë për fjalë,
si pika pika që dinin ku shkonin,
të gjitha “mos” të kësaj bote,
u mblodhën para meje e u bënë liqen.
E sipër u ulën mjellmat.
Sepse çdo “mos”, ishte një fjalë.
Pra më thuaj,
çfarë do të thotë befasim, nëse jo shmangie vetmie?
NUK QAHET NDRYSHE
Njerëzit që ecin zbathur nëpër pyje,
nuk janë si njerëzit që ecin me këpucë nëpër pyje.
Njerëzit që ecin me këpucë nëpër pyje,
e kanë mësuar gjuhën e kufirit.
Nuk ndiejnë lagështirë,
as thatësi.
Egërsirat qajnë veç për egërsirat
e ikura prej pyjesh nga njerëzit që ecin me këpucë.
Njerëzit që ecin zbathur nëpër pyje,
shumë do të donin të qanin lirshëm,
për njerëzit që ecin me këpucë nëpër pyje.
Të ligjëronin,
pa e ditur gjuhën e kufirit.
BIJA IME (fëmijës brenda meje)
I.
Do të ketë pasqyrime kjo botë, bija ime.
Do të ketë të vërteta,
që heshtin kur dalin në dritë,
e ti nuk do të jesh brenda.
Ashtu si do të ketë edhe rrëfenja,
që fshehin dritë,
e ti do të jetosh atje.
Atje është kjo botë, bija ime.
Në rrëfenja mbushur pasqyrime.
E do të fillojnë kështu:
“Na ishte një herë drita,
bija ime…”.
II.
Shiko, bija ime.
Drita është këtu, në këtë jetë, e ne,
ne kemi dëshirën e madhe të gjendemi në jetë.
E jeta ka dëshirën e madhe të na nxjerrë në dritë.
E dëshira na mban.
E jeta na rrit.
Por është përtej ende ajo dritë.
E jemi harruar së rrituri, nëpër biblioteka të errëta, bija ime.
Ndaj jemi këtu.
Që të rritemi.
Shiko.
Çdo dëshirë e madhe
mbart edhe një kërkesë të madhe.
Se që të rritesh nëpër biblioteka të errëta,
duhet të kërkosh ku janë merimangat nëpër rafte.
Të hapësh dyer e dritare
e drita
drita të vërshojë në çdo cep.
E era të hapë librin e mrekullive me rrëfenja.
Aty gjendet kjo botë, bija ime.
Në rrëfenjat e hershme, hapur nga erë e një jete të re, plot dritë.
E të mos këndojmë:
‘Na ishte një herë drita’.
Të këndojmë:
‘Jeta na mbush dritë, veshur me erë të re’,
bija ime!
NUK KA IKJE
‘Kurrë nuk ka ikje’,
më thua pas shtrëngimit të përqafimit.
Atij të fundit.
E pastaj,
largohet hija jote
e bashkë me të
hija e çantës së shpinës mbi sup.
E njëjta hije
që pas të ndiqte
pak para shtrëngimit të përqafimit të parë.
Atij të gëzimit.
Nuk ka ikje.
(Janë thënë gjithë fjalët e tjera,
kur mohohet fjala ‘ikje’.)
TË DASHUR
Dhe erdhën fjalët për gruan në mendjen e burrit.
Disa herë u thanë.
Disa herë u shkruan.
Shumë herë ashtu si erdhën,
ikën.
Dhe gruaja mbeti përballë.
Dhe erdhën në mendjen e gruas,
fjalët për burrin.
U thanë disa herë.
Shumë herë u shkruan.
Ashtu si erdhën, ikën të tjera herë.
Dhe burri mbeti përballë.
Janë herë,
që fjalë në fjalë dashuria ulet.
E nuk ka më burrë.
E nuk ka më grua.
Ka vetëm të dashur.
Të dashur nga të dashur,
një “i” i ndan.
Një “e”.
Dhe vijnë pastaj fjalë.
Herë shkruhen,
herë thuhen.
Asnjëherë përballë.
JO VETËM
Shpeshherë,
netëve fshihem në pemët e dendura të një pylli.
Shpeshherë,
ndaj të gdhirë,
humbas rrugën e kthimit.
Dëshpërohem.
Qaj.
Kërkoj në errësirë të gjej dikë.
Një qenie ta ndjek e të më përcjellë për në dalje.
Ndonjëherë mbyll sytë dhe rri palëvizur.
Ndoshta ka zëra atje të më thonë si të kthehem.
Disa herë shikimi kap hije të imagjinatës e shpresa ngjallet.
Hijet bëhen e zhbëhen.
Shpresat pothuaj zhduken.
Pastaj papritur dikush shfaqet para meje dhe shpresat ringjallen.
Eshtë tepër errësirë ende.
Veç një zë dëgjohet:
“Mos e di rrugën e kthimit”?
Shpeshherë humbas.
Por ndonjëherë nuk humbas vetëm.