Mustafa SPAHIU: ME VARGJE HAJKU GDHEND UJIN
Krismë e brishtë
Bumbeshat po shpërthejnë
Gjalloi pranvera…
Djalosh dua të jem
Brengat t’i flak në lumë
Papushim të bredh…
Jam mes rrafshinës
Këngë e erës mrekulli
Bie fyell i bariut…
Ndal, shijo rininë
Pas mikes së vjetër
Qerpikët qullur…
S’pendohem kurrë
Hedh shtat dhe harlisem
Pas vashëzave…
Pushtoi kaçubën
Trishtilat me cicërimë
Me ngjatjetojnë…
Pa fjalë e lotë
Bukurezat vetullash
Ngrysur , s’di perse?!…
Në prehrin tim
Nga koriet zemërarta
Vjollcat vinin varg…
Peshqit nëpër qiell
Këmisha resh në lumë
Zgjerohen brigjet…
Zemra e gurit
Pëlcet nga gjumi i tokës
Mbuluar me arna…
Puthja e heshtjes
Kapem pas lisit
Si zog vjen vasha…
Era me gishta
Flokët e shiut mendafsh
I palon bjeshkës…
Buzët e vjeshtës
Pas perdes mbyllur
Shih kalaveshët…
Motrat e nderit
Me fytyrë prej dylli
Shkrihen në lutje…
Mblidhi qerpikët
Sylynjarëve t’bjerrur
Zemrës së dehur…
Dielli është djegur
Zemra ime me duar
Mbëltonte rreze…
Shpirtit tim rriten
Kroje të zemrës
Zjarr e dëborë…
Pendlat e natës
Mbi shpirtin tim varur
Lisave të thiktë…
Endrrës së ylberit
Gufojnë ngjyrat
I puth nën ujë…
Endrra e pyllit
Dega këndon lajthisht
Nën buzët e mia…
Harrova puthjet
Para se të dashuroj
Veç kujtimi mbeti…
Vjeshta pambarim
Me aromë bredhëse
Rrënjët përkonin…
Molla që rritet
Poshtë ujit të kthjellët
Fshehur kujdesshëm…
Dritë limoni
Derdhet në zemrën time
Fjala që agon…
Prapë e ndjej në gojë
Shijen e zjarrit
Ngrihej në vërshim…
Shetis rrugëve
Pafjalë dhe ushqim
Agu më shkallon…
Verës që shkoi
Buzët m’i freskoi
Qerpiku yt i dendur…
Nuhas muzgun e hershëm
Duke të kërkuar ty
Dhe zemrën tënde…
Yllin me gjemba
Qershitë ngjyrë gruri
Për duart e tua dhuratë…
Bredh bjeshkës pafund
Stoli madhështore
Dielli në zabel…
Çdo valë e tejdukshme
E lumit që vjen
Ndalet trupit tënd…
Fluturoj papushuar
Në dhomën tënde
Me durim të madh…
Qershori dridhej
Si flutur e larme
Jargavitej në jug…
Mos më rri larg
Buzët tua bujare
Ende zbardhojnë në mua…
E djeshmja u dogj
Mes gishtave të dritës
Sy ëndrre…
Dielli u shkreh
Mes dritës pingule
Të trendafilit…
Kohës që shkon
Liqeni i syve tu
Veç rritet…
Dy dashnorë atje
Nata u fal petale
Prej hëne…
Ditët nxitojnë
Si lumë nëntokësor
Ua ndjej oshëtimën…
Dëshirat rikthehen
Cakun s’e arrij dot
Kalojnë gratë…
Vezullim vargjesh
Shndrit hajku im
Me vesë loti…
Hyjni ndër zemra
Buka, kripa dhe shpresa
Ari i ëndërruar…
Zemra s’është plakur
Dëgjon taka vashash
Që njomojnë tutje…
Rrjedh ujëvara
Lumi vezullon
Ylberi në gërshetim…
Po ndihem i ri
Në mbremjen pranverore
Trishtili ëndërron…
Në gazmendin e nuses
Gota vere thyen
Nostalgjia…
Dielli s’ka lindur
Ashiku të kërkon
Me llambë zemre…
Miku im në Valbonë
M’i tregon valët
Po lahen sirenat…
Kur të puth buzët
Brengat shkrihen
Si vesa lumit…
Anija n’lundrim
Hajku si tel lire
Bie valëve…
Gati pa u diktuar
Këndoj tok me bulkthin
Muzgu pahiste…
Shtigjeve pa skaj
Pranvera derdh dritë
Rrezet dyjare…
Stina verore
Gjethe pa numër
Dimri harrestar…
Sado të ndritur
Sytë shohin tej bjeshke
Mjaltë dhe nektar…
Kalaveshë pjergullash
Bari po thahet
Vera e Linit…
Rrezet e hënës
Ia kthen vjeshta
Në shporta ftonjsh…
Zbrit engjëlli im
Krojet grafullojnë
Etjen e kthimit…
Hëna pas dantellash
Përthyen dritën
E kujtimit…
Kaq shumë prita
Gati pesëdhjetë vjet
Muzë Ferdese…
Hirushe mbi qershi
Shpirti të do shumë
Me çfarë të shkund…
Moj vetullmprehtë
Hënën nga liqeni
Vare mbi gushë…
Lumin hodhe tej
Mbi litar puthjesh
E varur…
Kredhur mbi liqen
Si peshk i artë
Më ngjason…
Mbrëmë të prita shumë
Nën kurorë mani
Buzët me kokrra…
Eja shtegut të ballit
Me pupla zogu
Me frymë future…
Aq fort më deshe
Ike urës harkore
Po qante lumi…
Kapluar zemrash
Përmes Elbasanit
Me Astrit Bishqemin…
Natë plot shkelqim
Por heshtja sundon kudo
Sikur në hënë…
Dielli n’perëndim
Më vesh kostumin purpur
Mua, varfanjakut…
Një lehë vend
Një gllenjkë verë
Dhe lind hajku…
Turren tutje mbi liqen
Një tufë rosash
Humbasin në kallamishte…
Prej frikës së dimrit
Gjethet ikin shpejt
Me ndihmën e erës…
Më puthje buzët
Eja, krahët presin
Përqafimin e fundit…
Fatshpresa ime
Gruaxhan perjetë
Qershori im i dielltë…
Bubu, guguçja
Përse ka ikur
Nga klasa e gëzimit?!…
Ninullat mbi djep
Një pyll i dendur thirrjesh
Balsam i shenjtë…
Në qiell buron
Flakë e zemrës
Djeg gjelbërimin…
Mundime të djegura
Por s’shkuan kot
Në zemrën tënde mbetur…
Saksia po shpërthen
Prej lulesh të reja
Frymëmarrje hajku…
Ah, tash lamtumirë
Loti mjegulloi sytë
Por ndrit hëna…
Ferdezja tash engjëll
Gjithnjë e më larg
S’do shihemi tjetër…
Ndoshta rrugët tona
S’takohen si dikur
Rrethrrotullim…
Një copë bukë
Përbri mullarit
Kur të kthej nga fusha…
Fshihet syve dashuria
Sikurse furtuna që vjen
Pas malit…
Kaprolle e shkretë
Fshehur zgërbonjës
Shihet në qiellin pasqyrë…
Lulebajamet
E shohin mesmalin
Drojshëm nga stuhia…
Kokrrat e manit atje
Si dyjare rrijnë pezull
Gjethet i fshehin…
Zambaku i bardhë
Largadash brigjet
Larë në argjend…
Skutë e fshehur
Erashka prej yjesh
Faqet mi flladit…
Pishat me brymë sipër
Qirinj të ftohtë
Me dritë hëne…
Bredhi në shtator
Derdh fara të pjekura
Era si kamzhik…
Ndizet pishaku
Dhe merr flakë lëvorja
U bë trëndafil…
Muzgu i purpurt
Akrepi shkon pas
Spagës së dritës…
Gjethembajtësit
Aq pranë njeri-tjetrit
S’garojnë fare…
Nata bie ngadalë
Dy hije t’brishta shkasin
Skaj plepave…
Lëvozhgë e pishës
Bozhur mbi dorën time
Thyen vapën…
Një fije bari
Spirale e rrezitur
Karkalec i ri…
Lulja e rrëzuar
Thnegla po ngjallet
Shiko fluturën!…
Kalaveshi vetmon
Qindra kokrra shkunden
Të pjekura…
Të kuqt’ e diellit
Shkapërderdhur
Cepit të livadhit…
Aromë e bukës së pjekur
Dhe zjarret e verës
Fushës së grurit…
Kupolën e artë tund
Bredhi ndën rreze
Si bukë gruri…
Tani në zefir
Mbledh pluhur bredhi
Në pritje të shiut…
Mjegulla qumësht
I bojatisi plepat
Ngjyrë kallaji…
Shtegut të ftohtë
Ngrejnë kokën
Të brishta dredhëzat…
E ngrirë vesa
Në bar të brishtë inxhi
Drithton argjendi…
Nata gjëmon prej shiu
Gështenjat e pjekura
Vaji i ngushëllimit…
Retë lundrojnë
Si hije lulesh
Vjeshtë nazike…
Mollë të pjekura
Drita të pafikura
Fëminie…
Dallgë verdhacake
Shkundin petlat
Dhe derdhin verën…
Verë e thatë
Përteposhten lajthitë
Uji rri amull…
Prej vlagës së tokës
Dielli drejton bimët
Me fytyrë nga qielli…
Lilak i vjetër
Friket prej agushisë
Më nuk lulëzon…
Manaferrëzat
Poshtë kaçubëzës
Kokrra shege…
Pas perdes së diellit
Derdhet shiu çurk
Si lotët e tu…
Shqemet erashkë
Dhe ngjyrat ndërrohen
Në kopshtin me hajku…
Stërnishta digjet
Gresa në fund të syve
Gatuan fashuall…
Sikur fëmijë
Me natën luaj
Xixëllonjash…
Mendafsh i borës
Mbulesë i vë malit
Nga flladi i hënës…
Re’ e mëngjesit
Kalorës i panjohur
Shalon erën…
Bari ngrehur veshët
Përroit që thahet
Peshqit në breg…
Si kurthngrehëse
Hëna e verdhë mbi det
Josh peshqit e vegjël…
Mesdita e marsit
Prej degëve në degë
Shkojnë varg cicërima…
Gjinkallat në kor
Në ullirin e vjetër
I belbëzojnë moshën…
Pa ardhur dimri
Zjarri në vatër
Dhe vargjet me tanka…
Shirat e ftohtë
E qullen tokën
Si kokën e një vajze…
Ylli polar
Një flok bore mbart
Në kupën e qiellit…
Sa zëra të fshehtë
Në prozhmin gjelbëror
Hajku në shetitje…
Më zgjuan agut
Era e mjaltë e marsit
Dhe zëri i Shkëlzenit…
Pikoi mbi burim
Fundi i artë i diellit
Sa sy i bukur…
Shigjetat e diellit
Në fund gusht rrjepin
Thuprat e gardhit…
Mbi supet tua
Një curril uji bie
Si vijë e hollë peneli…
Kali në gallop
Gjest i ri brushe
Në pluhurin e bardhë…
Ulna e turbullt
Blerimin e brigjeve
Sapo e mblodhi…
Yjet e rënë nga qielli
Ndjekin pulëbardhat
Në lojën e lumit…
Ndërsa lumi po rritej
Lejleku terhoqi këmbët
Si fije kallamishte…
Gaforrja e vogël
Mi përgjak gishtat
Mbi valën e egër…
Përshkron Bosnjën
Lumi Una
Si gjerdan shprese…
Vë cififundin
Buzët gurmulliri
Dhëmbët me miell…
Druri në sy të zogut
Culahitet prej ere
Gati të bjerë…
Shiu i verës
Shuan mjegullnajën
Këndon turreci…
Retë murroshe
Dallëndyshet po ikin
Mbi shpinën e tyre…
Era e mllefur
Krrokat e akullt
Si patë e egër…
Kruante gjethet pamëshirë
Dhe era e fshiu në çast
Krimbin e etur…
Gjyli me pluhur
Rrugën sapo kaluan
Kuajt vraçë…
Pa zbardhëlluar
Qukapiku e gjeti
Zgavrën e tharë…
Një gur i keq
Me lulesë me lara
Por flutura u ndal…
Bregun e detit sapo
Furtuna e braktisi
Gjethojnë guaskat…
Tufshak i reve
Pulëbardhat tutje klithin
Me frikën e muzgut…
Në liqen gjendet
Cerga e lulealbës
Zhaba po endërron…
Gala në mbrëmje
Fluturoi mbi kënetë
Shavari tundet…
Mbrëmje e çelur prilli
Notojnë bishtfulteret
Përroit të verdhë…
Shkurta çirret
Në flakën fytmadhe
Të natës së murme…
Patat krrokasin
Nëpër bulçimë të verës
Shigjetëzoi shiu…
Laraska në gardh
Po vjen stina e ngrysur
Resh bore me ngjyrë…
Shtylla mbi livadh
Digjet në diell
Lauresha majë saj…
Qeni nuhat skrrajën
Vazhdon me shpejtësi
Shtjellës së erës…
Kur çmendet era
Delja e strukur
E përzgjedh barin…
Ditë korriku
Shtjella e pluhurit
Ngjitur bishtit të kalit…
Blatimet i fal
Grurin e hedh të verdhë
Tufën e kullos…
Baftli është njeriu
Krejt çfarë jeton dhe rritet
Shpirti i tij…
Gjëmon era e fortë
Strehës së kasolles sime
Unë gati për udhë…
Të gjithë shkojnë udhës
Unë ngas ëndrrat
Kah perëndimi…
Sofra plot fruta të stinës
Zogj të kaltër dhe bletë
Të mirëseardhur…
Si portokall
Prej detit të largët
Nxjerr kokën hëna…
Fijet e barit fryhen
Me dritë diellore
Të pangopur…