Bardhyl Berberi: Metamorfoza e vlerave
Bardhyl Berberi
Sot jemi duke jetuar në një kohë hamletiane, që mendon të rrosh apo të mos rrosh, në një kohë pakohë, të jesh apo të mos jesh, në një kohë kur i humburi kërkon të gjeturin, ndërkohë që i gjeturi nuk gjen do të humburin… Jemi në demokraci dhe ne kërkojmë lirinë. Por sot liria është thyer në mijëra copëza të antinjeriut modern. Sot liritë e mëdha përjetohen vetëm atëherë kur akti i të menduarit liri përkthehet në banalitet. Njeriu modern është kthyer në një metamorfozë antivlerash të cilat shiten si vlera. Kur njerëz me mendje të vogël me një tesër partie hipin nëpër karrike të mëdhaja; edhe pse mund të jesh shofer apo shitës papritur bëhesh drejtor, mjafton që të kesh një diplomë kioske apo të blerë…
Ne sot flasim për trutë bosh dhe rëndesën e tangërllëkut që flet gjuhën e njeriut modern. Sot ne kemi gjithëfarë lloj mishmashi, me ngjyra dhe pa ngjyra, barkbosh dhe brekëgrisur që i vërtiten lirisë së tjetrit me dorën e pushtetit. Sot vlerat nuk janë më të përcaktuara sepse sot ne nuk flasim për lëvizje populiste apo sovrane, ne jemi në epokën e shoqërisë politike.
Nëse në shekullin e kaluar roli i njeriut ishte të qenurit individ human, sot humanizmi është thjesht një maskë dixhitale. Shoqëria moderne është kërrusur kaq shumë nga individualizmi ekstrem, saqë duket sikur është ringjallur me despotizmin që po prodhohet sot. Sot kemi njerëz, ku përjetimin lirisë e kanë thjesht akt imagjinate duke prodhuar individë të heshtur, të kequshqyer, të dhunuar nga vetë qenia e tyre.
Nëse në shekullin e kaluar, arti ishte ushqim për shpirtin, sot të quajnë të çmendur nëse lexon Balzakun, Dostojevskin, Remarkun. E kjo nuk është çudi në një epokë dixhitale, ku debati i lindur në facebook prodhon histori, famë, vlerë, lëvizje e madje madje mitingje.
Nëse në shekullin e kaluar Makiaveli lexohej ashtu siç ishte, sot shërben si një doktrinë për të kapur pushtetin e kthyer në dinasti. Sot, ligji nuk është një rregullator i shoqërisë, por e drejta pozitive që shfajëson gjithmonë më të fortin. Epoka e statusit të skllavit është rikthyer sërish në një formë të moderuar të një demokracie facebooku që matet përmes komenteve e pëlqimeve.
Nëse në të kaluarën të bërit luftë shihej si një deficion të kërkimit të paqes, sot paqja është mania për të qenë Tjetri, Askushi, Dikushi pa emër. Të paturit dinjitet do të thotë të jesh i mjerë ndërsa të jesh servil do të thotë të bësh tendera, të kapësh koncesione vetëm t’i bësh fresk shefit që të ka vënë. Një gërryerje e njeriut e ka kthyer në një antinjeri, ku gjithçka bëhet vetëm për euforitë e rradhës, në një demokraci të shtrembëruar.
Nëse në të kaluarën, shkollimi ka qenë mision dhe arsimi shkalla më e lartë sot jo vetëm që kemi një shoqëri ç’edukuese, por më shpejt të vjen diploma në shtëpi sesa ndodh i gjithë procesi i arsimimit. Analfabetizmi po përhapet si një epidemi. Vetëm në ish qytezën e minatorve në Gurin e Kuq në Pogradec ka qindra fëmijë dhe të rritur analfabetë!
Nëse në shekullin e kaluar, shpikjet e reja lulëzonin në emër të humanes, sot jo vetëm nuk kemi çfarë të shpikim, por jemi bërë përsëritës të vetvetes duke prodhuar zëra që nuk degjohen, shumë vesh të shurdhër dhe një filozofi boshe.
Nëse në shekullin e kaluar, shihej për nga e ardhmja, sot e ardhmja është pa perspektivë, pa formë, anjerëzore, antihumane, pa shtyllë kurrizore dhe vetëm politike, çudibërëse, shpotitëse dhe mbytëse me korrupsion dhe me dallavere
Sot tymnaja e pushtetit prodhon iluzione shkatërrimtare të një Njeriu që kurrë nuk ka prodhuar ëndrra fëminore, por vetëm një mplakje të shpirtit, ka humbur ndjenjat dhe guximin për të jetuar. Deri kur keshtu… Duket qartazi se Shqipërisë i ka humbur ‘Pini’.