Vjen në shqip një tjetër kryevepër e letërsisë botërore
Vjen në shqip një tjetër kryevepër e letërsisë botërore për fëmijë nga shkrimtarja finlandeze TOVE JANSSON
Të gjithë banorët e luginës së Muminëve janë të emocionuar ngaqë kanë marrë vesh se pranë tyre do të kalojë një kometë. Por ata alarmohen shumë kur mësojnë se ka mundësi që kometa të bjerë e të shkatërrojë gjithçka në luginën e tyre. Atëherë Mumintrolli së bashku me mikun e tij Snifin, vendosin të ngjiten te Observatori, që ndodhet tek Malet e Vetmuara, për të biseduar e marrë vesh më shumë nga profesorët që gjenden atje. Gjatë rrugës ata kalojnë aventura të shumta, të mrekullueshme, me shpella të fshehta, shtëpi të ngritura majë pemëve, e kështu me radhë. Por në fund gjithçka zgjidhet më së miri dhe dielli vazhdon të ndriçojë luginën e tyre njëlloj si më parë.
Tove Jansson, shkrimtare finlandeze, që shkruan në suedisht, duke qenë pjesë e pakicës suedeze që jeton në Finlandë. Në Finlandë ajo konsiderohet ‘monument kombëtar’. Fituese e çmimeve më të mëdha kushtuar letërsisë për fëmijë, Tove Jansson njihet në mbarë botën për librat e saj, sidomos për serinë e Muminëve, e cila konsiderohet sot pjesë e fondit të artë të letërsisë më të mirë botërore për fëmijë.
Botimet IDK ka në plan botimin e gjithë serisë së Muminëve.
“Tove Jansson është padyshim një nga shkrimtaret më të mëdhaja të letërsisë për fëmijë të të gjitha kohërave. Ajo ka aftësinë e rrallë të shkruajë libra që iu pëlqejnë fëmijëve, por që ke qejf t’i lexosh me ëndje të madhe dhe kur i ke kaluar të gjashtëdhjetat, si unë”.
– Sir Terry Pratchett
“Një kryevepër… një thesar që duhet rizbuluar”.
– Neil Gaiman
“Seria e Muminëve është vepra më origjinale për fëmijë e krijuar që nga koha e Lizës në Botën e Çudirave”.
– Saturday Review
———————————–
KREU 1
Bën fjalë për Mumintrollin dhe Snifin që ndjekin një shteg misterioz në det, gjuetinë e perlave, zbulimin e një guve dhe sesi Muskrati ia doli ta shmang të ftohurit.
Familja Mumin kishte disa javë që jetonte në luginë ku shkuan e gjetën një shtëpi pas përmbytjes së tmerrshme (çka është një histori më vete). Ishte një luginë e mrekullueshme, plot me kafshë të vogla të lumtura dhe pemë të lulëzuara, si dhe një lumë të ngushtë me ujë të kthjellët që zbriste nga malet, i vinte qark shtëpisë së Muminëve dhe humbiste nga sytë në një luginë tjetër, ku, pa dyshim, kafshëza të tjera bënin çudi dhe pyesnin vetmevete prej nga vinte ai lumë.
Një mëngjes – pikërisht atë mëngjes që babai i Mumintrollit përfundoi ndërtimin e një ure përmbi lumë – një kafshëzë e vogël, Snifi, bëri një zbulim. (Në luginë kishte ende shumë gjëra për t’u zbuluar). Teksa po endej nëpër pyll i zunë sytë një shteg që nuk e kishte vërejtur më parë. Shtegu shkonte dhe dredhonte mistershëm përmes hijesh të gjelbra. Snifi mbeti pa fjalë dhe ia nguli sytë një copë herë të mirë.
“Shumë e çuditshme kjo puna e shtigjeve dhe e lumenjve”, tha me vete.“I sheh të të kalojnë aty pranë dhe, befas, ndihesh i pezmatuar dhe ke dëshirë të ndodhesh diku tjetër – kudo që t’i bjerë rruga e të të nxjerrë shtegu ose lumi.Më duhet t’i them Mumintrollit për këtë gjë, ndoshta mund ta eksplorojmë së bashku, në mos është me rrezik të shkoj vetëm”. Paskëtaj mori e gdhendi një shenjë të fshehtë te trungu i pemës me penën-thikë, kështu që mund ta gjente vendin sërish dhe, krenar, tha me vete: “Mumintrolli do të befasohet”. Fill paskëtaj e mbajti vrapin drejt e në shtëpi që të mos vonohej për drekë.
Kur Snifi mbërriti në shtëpi, Mumintrolli po rregullonte një lisharëse. Sakaq atij iu ngrit mendja për punën e shtegut të mistershëm dhe menjëherë pas dreke u vunë në udhë të shkonin e t’i hidhnin një sy.
Në gjysmë të rrugës, përpjetë një kodrine, hasën një korije pemësh të kaltra me dardhë të mëdha në ngjyrë të verdhë. Afërmendsh që s’mund t’i anashkalonin, duke qenë se Snifit iu mbush mendja se e kishte marrë uria.
“Bëjmë mirë të marrim vetëm frutat që ka rrëzuar era”, tha Mumintrolli, “duke qenë se mamaja bën një reçel të shkëlqyer me to”. Por iu desh ta shkundnin pemën një copë herë të mirë në mënyrë që frutat e rrëzuara të shtoheshin edhe ca.
Snifit iu bë zemra mal me gjith’atë ngarkesë. “Barrën duhet ta mbash ti”, tha ai, duke iu drejtuar Mumintrollit. “Ti nuk ke punë tjetër për të bërë! Unë për vete jam shumë i zënë, duke e vrarë mendjen meqenëse komandanti i çetës jam unë”.
Kur mbërritën në majë të kodrës u kthyen dhe i hodhën një sy luginës.Shtëpia e Muminëve ngjante me një pikëzë të kaltër, ndërsa lumi me një shirit tëngushtënëngjyrëtëblertë.Lisharësen nuk ua zunë sytë gjëkundi. “Kurrë ndonjëherë nuk jemi larguar kaq shumë nga shtëpia”, tha Mumintrolli dhe, sakaq, iubëmishi kokrra-kokrra prej emocioneve nga ky mendim.
Snifi nisi të nuhasë sa andej-këndej. Pa nga dielli, ndjeu drejtimin e erës, nuhati në ajër dhe, në fakt, u soll si një komandant çete i vërtetë.
“Duhet të jetë diku këtu rrotull”, tha tepër i zënë.“Bëra një shenjë të fshehtë me thikë te druri i kumbullës, atje ku fillon”.
“Mund të jetë këtu?” pyeti Mumintrolli, duke treguar një trung peme të harlisur me gjethe diku në të majtë.
“Jo! Ja ku është!” thirri Snifi, që kish gjetur një tjetër trung peme të harlisur me gjethe në të djathtë.
Në të njëjtën kohë të dy shquan një trung peme të tretë të harlisur mu përkundruall tyre, por ishte ca si lartë, të paktën tri këmbë lart nga toka.
“Ky është, jam i sigurt”, tha Snifi, duke u zgjatur. “Duhet të jem më i gjatë nga ç’ma merrte mendja!”
“Hëm, më rëntë një pikë!” thirri Mumintrolli, duke hedhur një sy e parë rreth e qark.“Këtu paska gjithandej trungje të harlisur!Një pjesë syresh janë njëqind këmbë të lartë. Për mendimin tim Snif, ke gjetur një shteg të magjepsur dhe tani fantazmat po bëjnë çmos të na ndalin dhe të mos e gjejmë. Si ta ha mendja ty?”
Snifi nuk foli, por u bë dyllë i verdhë për punën e hundës. E atë çast një e qeshur e frikshme e prishi heshtjen dhe një kumbull e madhe në ngjyrë të kaltër për pak sa nuk i ra Mumintrollit drejt e në sy. Snifi klithi i tmerruar dhe ia mbathi me të katra për t’u fshehur, ndërkohë që Mumintrolli thjesht u nxeh dhe vendosi të hidhte një sy e të shihte se kush ishte armiku; kur, papritur e pakujtuar, e pa se kush qenkësh. Për herë të parë në jetën e vet u gjend sy më sy me një majmun mëndafshi.
Majmuni ishte kruspullosur te vendi ku ndaheshin degët e një peme: i vogël, i zi, një topth i kadifenjtë. Surratin e kishte të rrumbullt dhe në ngjyrë shumë më të hapur se pjesa tjetër e trupit (pak a shumë si ngjyra e hundës së Snifit, kur ai e lante pakujdes), ndërsa e qeshura ishte dhjetë herë më e madhe nga ç’qe vetë.
“Mjaft me atë kakarisje të shpifur!” iu hakërrye Mumintrolli kur pa që majmuni ishte më shtatshkurtër se vetja. “Kjo është lugina jonë.Shko dhe zgërdhihu tjetërkund”.
“Qyqari i shkretë!” mërmëriti Snifi, duke u hequr sikur nuk qe frikësuar. Por majmuni i mëndafshtë u var tëposhtë, duke u mbajtur vetëm nga bishti dhe ia plasi së qeshurës me zë të lartë si asnjëherë tjetër. Paskëtaj vërviti në drejtim të tyre edhe disa kumbulla dhe u zhduk në pyll me një të qeshur ogurzezë.
“Eja – le ta ndjekim”. Dhe iu dhanë këmbëve e nxituan, duke çarë mespërmes shkurreve e manave të egër, teksa mbi kokë iu vërshoi një shi frutash pylli dhe boçesh pishe. Kafshëzat e vogla nëpër këmbë shkuan e u futën vrimave, duke nxituar sa mundnin.
Majmuni i mëndafshtë kërcente sa nga njëra pemë te tjetra para syve të tyre; kishte javë që nuk po zbavitej kaq shumë.
“Nuk të duket diçka qesharake (pëf) të vraposh kështu pas një majmuni të vogël marrok”, tha Snifi më në fund, duke gulçuar. “Nuk më duket (pëf) se ia vlen”.
Mumintrolli u pajtua me të dhe shkuan e u ulën nën një pemë, duke u shtirë sikur po e vrisnin mendjen për diçka të rëndësishme. Majmuni i mëndafshtë shkoi e u rehatua te degët e një peme dhe u rrek gjithashtu të dukej po aq i rëndësishëm; po argëtohej njëlloj si më parë.
“Bëj sikur nuk e sheh”, pëshpëriti Mumintrolli. E tha me zë të lartë: “Vend i bukur, apo jo Snif?”
“Po. Edhe mua ashtu më duket”, ia ktheu Snifi.
“Shtegu”, përsëriti Mumintrolli i kredhur në mendime.Papritur e pakujtuar i ra në të se për ç’arsye ndodheshin aty.“Ja pra, ky duhet të jetë Shtegu Misterioz”, tha e mbeti gojëhapur.
S’do mend, dukej që ç’ke me të i mistershëm. Mbi kryet e tyre degët e drurëve të kumbullës, lisave dhe plepave tëargjendtëformonin njëtunel tëerrët, i cili tëshpinte në një vend të panjohur.
“Tani duhet ta marrim seriozisht këtë punë”, tha Snifi, duke u kujtuar se ishte Pionieri i Shtegut.“Po shoh për rrugë dytësore.Ti trokit tri herë në qoftë se sheh ndonjë gjë të rrezikshme”.
“Ku të trokas?” e pyeti Mumintrolli.
“Ku të duash”, tha Snifi.“Vetëm mos fol. Çfarëbëre me ushqimet? Ma merr mendja që i humbe. Oh, Zot! Duhet të merrem me çdo gjë!”
Mumintrolli rrudhi ballin i brengosur, por nuk u përgjigj.