Cikël poetik nga Avdush Canaj
Si Feniksi
Ma thyen kitarën
Këndova edhe pa të
Gojës m`i vunë dry
E këputa me dhëmbë
Më vranë
në pus të natës
U ngrita si feniksi
Dhe pastaj
Zjarri i lirisë sime
s`i la të ikin.
Nga duart e mia
Nga duart e mia
fluturojnë pëllumbat.
Degëve të këngës
pikturon pranvera.
Pa kthim
Sekretet e luleve
u jap pa kthim,
sonatën e parë dhe të dytë
të zogjve të kaltër,
një ditar fluturash,
në dorëshkrim,
pesë vjersha
nga molla e kuqe,
përkëdheljet e puhisë
i keni të gjitha.
Në tunel
Nga ju dua
vetëm një përqafim
te dritarja e mallit.
Autobusi hyn n`tunel,
në pikëditë bëhet natë!
Shoqja ime fustanylber
ma shtrëngon dorën nëpër terr:
Je për mua çokollatë!
Ia shtrëngoj edhe unë
atë dorë të butë, revani:
Ti je me të vërtetë
edhe në fuqinë e tretë
karamele me lajthi!
Tuneli mbetët prapa
kush e di sa hapa
me natën si hije.
S`di si mbushet autobusi
me zogj dashurie!
3 mars 2017.