Albspirit

Media/News/Publishing

Nevruz Starova (Darova), themeluesi i parë i shoqatës “Boyskout” në Pogradec e Vlorë

Sabina Darova

Nevruz Starova ( Darova), themeluesi i parë i shoqatës “Boyskout” në Pogradec e Vlorë dhe jo vetëm; i hap rrugë historisë së teatrit në Pogradec, me dramën “Besa”

Skautizmi apo skoutizmi, siç u deklarua në 1924 nga Konferenca ndërkombëtare e skautizmit në Kopenhagen, është një lëvizje e karakterit kombëtar dhe ndërkombëtar i cili ka si qëllim formimin edukativ moral, shpirtëror dhe fizik të të rinjve. Dijmë që lindi në vitin 1907 nga një ide e Togerit gjeneral anglez, Robert Baden- Powell.
Fjala scout në anglisht do të thotë eksplorues dhe përdorej e përdoret akoma sot në ambjentin ushtarak, për të shënuar të gjitha format dhe aktivitetet që shërbejnë për të zbuluar armikun. U zgjodh nga Baden-Powell për të rinjtë si një formë kërkimi horizontesh të cilat munden të zbulohen prej tyre. Ky term, u zgjodh edhe si një gjetje rrugëzgjidhjeje në një situatë të vështirë shpirtërore apo fizike, që mund t‘i krijohet papritur një të riu. Sot, kjo formë jo formale edukimi, është një nga organizatat më të mëdha në botë, e cila mbledh rreth saj 40 milionë të
regjistruar. Kjo metodë edukimi bazohet në vullnetarizëm në ambjente të hapura dhe në grupe të vogla.

Po përse ky shpjegim mbi këtë organizatë?

Rastësia më solli ndërsa shfletoja fletoret dhe gazetat e pothuajse të një shekulli më parë, ku njihej edhe firma e tim gjyshi, Nevruz Starova ( me pseudonim emrin Ylberi ), të hasja emrin e kësaj shoqate si dhe aktivitetet e pasura që zhvillonte në qytetin e Pogradecit. Në tre gazetat e fillim shekullit XX, ‘Gazeta e Korçës’, ‘Shqipnija’ dhe ‘Afrimi’ ndesha në disa reportazhe ku flitej për aktivitetet kulturore që kryente Trupi i Boyskout.
Lexoj mes rrjeshtash, jo pa emocion, që themeluesi dhe drejtuesi i grupit të “Boyscout” për qytetin e Pogradecit, është vetë im gjysh, Nevruz(s) Starova, Drejtor i shkollës së Djemve të qytetit dhe i shkollës së natës për kundër analfabetizmit. Dhe jo vetëm. Është themelues i “Boyscoutëve” edhe për qytetin e Vlorës. Gazetat që shfletoj ndër duar i përkasin vitit 1926. Kureshtare për lajmin, filloj të kërkoj informacione në internet, për të kuptuar fillimet e jetës së këtij grupi në Shqipëri ( Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë etj). Provova veç zhgënjim. Të dhënat e para që
regjistrohen, ju përkasin viteve 90‘. Sigurisht, gjatë periudhës së komunizmit nuk ekzistonin. Kjo organizatë, u modifikua dhe mori emrin “Shalli i pionerit”. Në pamundësi për të patur një kuadër më të plotë rreth kësaj organizate në qytete të ndryshme të Shqipërisë, po ndalem në qytetin e Pogradecit.
Në 26 janar 1926, ‘Gazeta e Korçës’ flet për formimin e shoqatës “Boyscout pogradecar” duke e rrëfyer si një krijim i iniciativës personale të drejtorit të shkollës së djemve, Z. Nevrus Starova dhe me ndihmën morale e materiale të zevendes prefektit të qytetit, Z. Rustem Ymer.
Shoqata, tregon reportazhi, është e përbërë nga 65 djelmosha dhe aktivitetet përmbajnë në vetvete qëllime patriotike, kulturore dhe artistike. Tematikat janë festa e flamurit, liria për atdheun, dashuria për nënën, fjala e dhënë, Pranvera etj.

Tek gazeta “Shqipnija” e 3 marsit të 1927-tës, mësoj që shoqata është krijuar prej dy vjetësh. Ja se ç‘shkruhet:
“Pogradeci, të gjithë ata që e vizitojnë e quajnë ‘parajsë e Shqipëris’; nuk mburret vetëm me pamjet e bukura q‘e ka stolisur natyra, për ma tepër me djelminë e saj q‘i ka mbirë si trëndafil mbi krahnor. Djemt‘e këtueshëm, të mbledhur nënë organizatë e Trupit të Boyskout janë tue kallëzue energji të gjallë për t‘a zbukuruar Pogradecin edhe në pikëpamje artistike e kulturore. Në fund të ç‘do muaji po bajnë prezentacjone theatrale, ku shumica e popullit fillon t‘i stërvitet jetës së natës, qi nër vendet e qytetërueme, për natë bajnë mësime nate, ku djelmtë e rinj gjejnë rast të mobilizohen me cilësin kulturore e patriotike”.
Emocionet shtohen akoma më shume, kur ndër rrjeshta mësoj se vepra e parë teatrale që vihet në skenë nga trupi i Boyskautëve në qytetin e Pogradecit, shënon historinë e teatrit në këtë qytet. Është “Besa”. Bëhet fjalë për dhjetorin e vitit 1926. Ngjarjet historike të asaj periudhe më japin mundësi të imagjinoj rëndësinë e kësaj fjale dhe efektin mbi pjesëmarrjen e publikut. E ndjekin më pas pjesë të tjera si ‘Detyra e nënës’, ‘Shqipëria’, ‘Dita e flamurit’ e shumë të tjera.
Shfaqjet teatrale nuk ndalen vetëm për publikun pogradecar. Trupi teatral i boyskout bëhet i njohur edhe në vende të tjera, si psh ne Shën Naum, Korçë dhe Tiranë.
Në njërin nga udhëtimet e trupës teatrale të Boyskout në Manastirin e Shën Naumit, gazeta ‘Afrimi, viti 1926, tregon që entuziazmi i fqinjëve serbë ishte shumë i madh, sepse nuk besonin kurrë, që shqiptarët ishin të zotë për të organizuar një trup teatral cilësor. Suksesi është i garantuar nga përkushtimi dhe seriozite i ndërrmarë nga
organizatorët dhe vetë rinia e asaj periudhe. Kjo lëvizje kaq e bukur, mobilizoi në ato kohë shpirtin e djalërisë rinore
me elementë moralë për t‘ju shërbyer atyre dhe atdheut. Dhe jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës, duke e parë atë, si një pjesë e trungut të Kombit shqiptar.

Pas leximit të sa e sa reportazheve të përshkruara me ngjyra emocionuese dhe vlerësimi ndaj punës së lavdëruar të një brezi, që për fatin tonë të keq, regjimi diktatorial e dënoi të mbulohej me pluhur, nuk munda të mos e ndaja së bashku edhe me lexuesin. M‘u kujtua një shprehje e urtë e popullit: E vërteta vonon, por nuk harron! U desh të kalojë pothuajse një shekull, që jeta të më vendoste mbi shina në kërkim të arkivave të bibliotekave, për të zbuluar e për ta bërë të njohur veprën patriotike të tim gjyshi, Drejtorin dhe mësuesin e palodhur të Shkollës së Djemve në shumë qytete të Shqipërisë, por mbi të gjitha në vendin e tij të lindjes, në Pogradec.

Please follow and like us: