Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Londo: Kompozitorit Kastriot Gjini

Bardhyl Londo

 

 

Ti na ike, kjo s’është gjithçka,

të gjithë do të ikim një ditë!

Puna është që zë e fytyrë

të lëmë, të gdhendur në vargje, meloditë…

 

Puna është që në këngë, si në sy,

(thonë i kishe aq të bukur!)

lëngun e jetës të pish,

si në një burim mes lajthive futur.

 

Ja, rrotullojmë lehtë një buton,

vrapi marramendës i shiritit zë fill,

Dhe jeta jote para nesh ndizet

si parcela e parë e qershive në Prill.

 

Zemrat tona atëhere bëhen zogj,

ulen një nga një mbi petale…

Oh, mos mbarofsh kurrë moj këngë!

Ngadalë shirit, ngadalë!

 

Dhe kënga papritur mbaron,

Një degë të bardhë këputim me dorë

(një degë, një vit nga pema jote)

gjethe ditët, petale orët…

 

Dhe ty, s’të dhemb, aspak s’të dhemb

Gati je t’i japësh degët njëherësh,

Sepse gjithçka, nga rrënjët tek petalet

Ti i çele për njerëzit!…

 

Libri “Hapa në rrugë”, 1981.

 

Please follow and like us: