Çapajev Gjokutaj: Shën Sofia kapërcen ylberin e intolerancës
Çapajev Gjokutaj
Të premten tjetër kisha e Shën Sofisë në Stamboll do bëhet xhami. Vendimin e ka marrë Erdogani pasi një gjykatë e gjeti jo të mbështetur në ligj një dekret të qeverisë Ataturk, marrë 86 vjet më parë.
Mënyra si e përdorim këtë monument, deklaroi Erdogan, është punë e Turqisë, se Shën Sofia është nën sovranitetin tonë.
Kjo puna e sovranitetit, sado në rregull të ngjajë formalisht, çalon nga të dyja këmbët.
Nobelisti Orhan Pamuk i tha BBC-së se ai dhe miliona shekullarë turq i bashkohen britmës së protestës, por qëndrimi i tyre s’përfillet.
Ka edhe një anë tjetër që e bën vendimin e Erdoganit, jo të çalojë po të kërkojë patericë. Shën Sofia është trashëgimi e kulturës botërore në kuptimin më strikt të kësaj fjala.
E ndërtuar në shek. VI nga Justiniani shënon një nga monumentet më me vlera të artit bizantin. Pas tetë shekujsh funksionimi si kishë do të konvertohej në xhami me rënien e Kostandinopojës, për të marrë statusin e muzeut pas pesë shekujsh, më 1934, gjatë reformave të Ataturkut, babait të Turqisë moderne.
Parë kështu, në rrjedhën e shekujve Shën Sofia ka qenë truall simbiotik fesh e qytetërimesh dhe ka marrë peshën e simbolit të bashkëjetesës religjoze e kulturore. Statusi i muzeut e mishëronte më mirë këtë simbolikë dhe e kthente monumentin në urë mes feve e qytetërimeve.
Kthimi nga muze në xhami është akt force dhe revanshi që, jo vetëm fyen një pjesë të konsiderueshme të turqve të sotëm, por edhe i fryn zjarrit të mërirave e fanatizmave në gjithë botën.
Merr trajta ironike fakti se rikonvertimi i Shën Sofisë ne xhami nuk bëhet për nevoja të besimtarëve myslimanë turq, por për t’u shërbyer politikave të ditës.
Vëzhgues të ndryshëm e shohin këtë konvertim si përpjekje te Erdoganit dhe të partisë së tij për të kompaktësuar elektoratin, që rrezikon të ftohet dhe shpërbëhet, në kushtet kur ekonomia turke po bie dhe papunësia po rritet. Fitorja e opozitës për bashkinë e Stambollit dëshmon se një pjesë përherë e më e konsiderueshme e qytetarëve nuk aprovojnë politikat erdoganiste.
Akte të tilla si shndërrimi i një monumenti të shquar nga muze në xhami krijojnë edhe tensione e përfolje ndërkombëtare, nxisin pasione fetare dhe synojnë të ngopin me lugë zbrazur miliona besimtarë turq, kryesisht nga zonat rurale, duke u pëshpëritur se janë të fisëm e mbeten sojlinj edhe në kohë krizash, kur kuzhina e tavolina këmbëngulin se ke rënë nga vakti.
Me nëntekstet simbolike që përmban, konvertimi i Shën Sofisë vjen në rezonancë edhe me tensionet politike mes Ankarasë dhe Athinës, tensione të acaruara rishëm nga diskutimet për kufijtë detarë dhe valët e refugjatëve që në kërkim të Europës kalojnë kufirin mes dy vendeve. Në kohë vështirësish imazhi i armikut të jashtëm bëhet më i kërkuar e më veprues.
Ministria turke e Kulturës dhe e Turizmit sqaronte se mozaikët e krishterë të Shën Sofisë nuk do të preken, as do zhvendosen, vetem se do të mbulohen me një lloj perdeje në kohën e faljes.
Kjo puna e perdes të kujton skenën dhe aktrimin dhe të shtyn të rikujtosh mësimin e historisë se politikanët dashurohen me lojë simbolesh kur janë në vështirësi. Gjatë periudhash të tilla përdorin me tepri historinë, përkatësitë fetare, racore, etnike, politike etj., për t’i fryrë zjarrit të pasioneve dhe për të përgjumur gjykimin racional.