Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Eden Babani

Buzëqeshja

– Vargëzime në dy kohë –

                

Pesimiste – 1972 1)

 

Një copëz buzëqeshje,

– nuk di si më kish mbetur në fytyrë –

e futa dje në xhep.

Ish e çuditshme, më ngjau madje ca e pështirë.

E pashë dhe syve s’u besova.

Bobo, si qenkërka, mendova…

Të thuash buzëqeshje s’ kisha pasur kurrë.

 

Një lozonjare që më pa,

u trand e supet ngriti e mërzitur.

Si do të bësh pa buzëqeshje, tha?

Të tjerët s’ bënë zë, se gjë s’ kuptuan,

ndaj supet nuk i ngritën,

nuk u trandën,

s’ u çuditën.

 

Supet as nëna nuk i ngriti,

– ma kish harruar buzëqeshjen, –

veç vetmevete bërbëliti

ashtu siç bën sa herë

kur më ka pranë e matet sytë të m’i shtjerë.

 

Në xhepin e xhaketës, e rrasa buzëqeshjen thellë, në një cep.

Le ta harroj atje, si një relikë pakuptim,

si lodër fëmijërore, ashtu, të lënë pas dore.

E pse ta mbaj si maskë në fytyrë

deri sa s’ ka as formë, as ngjyrë?

 

Optimiste – 1991

 

S’ di në më gjeti a e gjeta

diçka nga copëza e buzëqeshjes

që s’mbaja mend se ku e kisha ndryrë.

Ca e cunguar, ca e gjymtuar,

por më ktheu gjithë ato ëndrra e shpresa

që thashë se i kisha humbur…

Çudi, më pruri dhe freskinë,

më ngjalli për së brendshmi rininë.

 

Pa edhe shokët, edhe shoqet që më panë,

paske ndryshuar rishmëzi, më thanë.

Ç’ qenke rinuar, ç’ të paska rënë nur,

ç’ ditke të qeshësh,

ç’ ditke të lozësh si dikur…

 

E ndjera nënë,

për pakëz buzëqeshje, më iku zemërdjegur,

as që e di në dheu e ka tretur…

Sa u rrëgjua, sa u rrudh në pleqëri,

aq edhe lotët heshtas i gëlltiti…

Nuk donte jetën më tepër të ma nxinte

ndaj plakej, mpakej, heshtte, psherëtinte…

 

Sikur të ngjalleshe së vdekuri, moj nënë,

pa të më shihje ç’ nur që më ka rënë…

Të shihje si u bëra një me djem e çupa,

si m’ u kthye në fytyrë buzëqeshja,

sesi u shporrën tutje lotët, psherëtimat, heshtja…

 

________________________

1) Sipas përvojës kineze të Revolucionit Kulturor, aty nga fundi viteve ’60, në Shqipëri u “shkrepën”  fletërrufetë. “Pesimisten” e kam shkruar pasi organizata profesionale e gjimnazit “Tre Dëshmorët” në Kavajë, shqyrtoi një fletërrufe të vënë nga dy vajza të së Tretës A, ku jepja lëndën e letërsisë dhe isha mësues kujdestar. Ato i kërkonin organizatës bazë të partisë dhe asaj profesionale të më largonin nga arsimi, për shkak të gjyshit tim, pushkatuar për motive politike më 1948. 

Shembja e murit të Berlinit më 1989, – ngjarje që u hapi rrugë përmbysjeve të mëdha, – më gjeti në Tiranë, kurse viti 1991, si bashkëpunëtor i gazetës Republika (sapo e dalë) e, më pas, te gazete Liria, organi i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë.

 

 

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

Pranvera sa ka nisur 1)

 

Ti s’ ishe forcë errët,

por s’ ishe as e ndritur,

nuk mund të ishe tjetër

veç një filiz i brishtë

i taksur për t’u rritur

mes lulesh në lirishtë.

 

S’ qe vdekja që të deshi,

qe jeta që s’të qeshi,

që ta ktheu shpinën

dhe ndolli errësirën

të hapte dhe një varr

bri rrugës, në trotuar.

 

Rënkuan thellë ballkonet,

u shtangën dhe neonet,

dhe shpirti i Ndre Mjedës,

që endej aty pranë,

i thirri djemtë e lagjes

të ngrinin një muranë.

 

Ndonëse s’të njoha kurrë,

as emrin s’ ta kam ditur,

ajo muranë e bardhë,

qarkuar me mimoza

më thotë çdo mëngjes

pranvera sa ka nisur.

 

Motiv i vjetër, në taban të ri 

  1. Poeti 

 

Ç’ po kullon kjo plagë e vjetër,

posa hapet shtegu i detit.

Është plaga e kurbetit

për një zarf me dy gisht letër,

për një prind a për një djalë,

për një lajm e për një fjalë,

për një vatër flakëshuar,

për një shpirt të drithëruar,

për dy sy dritëvenitur,

për një shpresë shqyer, shqitur.

 

Det, o det,

çfarë do të bjerë vala sot në breg,

ç’ të zeza ndryn përbrenda,

thellësive,

ç’ të fshehta bart mbi vete,

kaltërsive,

ç’ lajm do të sjellin sot anijet që po kthehen,

çfarë i ke taksur nënëzezës që po pret e pret,

kërcures nënë që në këmbë u tret,

një lajm të mirë apo një grusht me dert?

 

2. Nëna

 

Ç’ ke o det që s’ thua një fjalë,

ç’ mërmërit me ato valë,

ç’ ka që nxin Karaburuni

dhe Sazani, dhe Shashica,

dhe ullishtat nën Kaninë

ç’ kanë vallë që po nxijnë?…

 

Ikën djemtë e na lanë,

dashuritë shkuan, vanë…

Mori deti palcë burri,

si duron e s’ çahet guri?

Si s’ po plas moj zemërshkreta

tek e sheh si zhbëhet jeta?

 

3. Djali

 

Nënë, mos më prit te bregu.

Je e lodhur, shko e çlodhu.

Të pret turni, të pret radha,

të pret motrëz’ borëbardha…

 

Deti s’ është aq i keq,

më përkundi që fëmijë

dhe atje, në gji të tij,

do të prehem në qetësi…

 

Edhe po të më përzërë,

të më nxjerrë vala bregut,

mos lakmo që të më shohësh.

Nënëzeza, s’ do më njohësh.

 

Eh, moj nënë, si jam bërë…

E di vetëm deti i gjerë.

Ngjyrën syve m’ ia ka marrë

vala e detit shkumëbardhë.

 

Nënë, mos ma fërko ballin,

mos kërko të shuash mallin,

se atje tek u përfala

me Shashicë e me Kaninë,

 

m’ u ndez balli si kaminë,

me një plumb që s’ erdh nga deti,

por nga bregu gjëmëzi,

ku lashë vatër e shtëpi…

 

Shko pra prit se vjen mandata,

ç’ nuk sjell dita, e sjell nata.

Pa nga shenjat e nga flokët,

Mos ki dert, më njohin shokët.

 

4. Pas eksodit detar

 

Rrebesh i zi, furtunë e keqe sot.

Kjo erë e marrë thua se të çmend.

Furishëm perçeshkumë e dallgës rrok

dhe majën më të lartë në çdo shkëmb.

 

Ka dalë zogu i detit lara-lara,

përleshet me rrebeshin, bën përpara.

Por suferina është çmendur sot,

pafriku zog po jep e merr më kot.

 

Më kot gjahtari hiqet sot trimosh.

Trimoshe ngrihet dallga mal përposh

që hahet sa me bregun, aq me qiellin.

 

Jo, dallgë e zezë, s’ mund të jesh ti zot

dhe kaltërsitë s’ mund t’i mbulosh dot.

Ka vite që e pret kjo ditë e errët diellin…

 

1) Rënia murit të Berlinit, iu dha goditjen përfundimtare regjimeve komuniste të Europës Lindore e Juglindore. Në korrik 1990, në Shqipëri u hapën dyert e ambasadave, kurse në mars 1991, ndodhi eksodi i madh detar drejt Italisë. Ndërkohë, regjimi komunist i Ramiz Alisë, nuk hoqi dorë nga vrasjet në kufi, madje edhe nëpër qytete.

Dy vargëzimet e mësipërme “Pranvera sa ka nisur” (kushtuar djaloshit njëzetvjeçar, Artan Lenja, vrarë nga një patrullë ushtarake më 24 shkurt 1991, në rrugën Ndre Mjeda, në Tiranë) dhe “Plagë e vjetër në taban të ri” i kam shkruar në të njëjtën kohë. Të parën, në shkurt 1991, në Tiranë. Të dytën në pranverën e atij viti, në Vlorë, pasi dallga nxori në breg një kufomë, e cila mbante në një shenja plumbash.

 

 

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

Askurrë

 

1

 

Kurrë, vëlla, dhimbja nuk qe si sot,

as kur na vranë prindër edhe shokë,

as kur i pamë miqtë në mjerim,

as kur në dyer zyrash si lypsarë

lypëm një punë, bursë a strehim.

 

Askurrë, vëlla, kështu si sot,

as kur na preu në besë e na goditi pa mëshirë

i mallkuari nen pesëdhjetepesë.

E ç’ ë, pastaj?

Disa vjet burg, si plot e plot të tjerë.

 

Askurrë, vëlla, kështu si sot,

as kur kolera luftë klase

goditi dhe mbi çiliminj,

as kur mbi varre vunë dorë e na i zhbënë

në kampe pune a në internim.

 

Askurrë, vëlla, kështu si sot,

as kur ndokush me qarkullim na kërcënonte.

(Ç’ nder që na bëre shoqe e kuadrit…

S’ deshe, por na shpërgjume,

urrejtjen na e bëre të gëlonte.)

 

Si sot,

askurrë, vëlla s’ u vra Shqipëria nga shqiptarë.

Të ishin vrarë pesë, dhjetë,

të isha vrarë edhe unë tok me ta,

por jo me qindra jetë në një ditë

e në një natë…

 

2

 

Po shfaqet dhe te ne

Nata e zezë e Shën Bartolomeut.

E ndiejnë brigjet e Adriatikut, të Jonit, të Egjeut…

plot e përplot kufoma, dhimbje gjak,

plot e përplot me bij syrgjynë, ikanakë.

 

S’ jam plakë e matufosur, të mallkoj.

Por edhe njëzetvjeçar nuk jam, që të duroj.

Të shoh të mjerën nënë ballëpërvëluar

nga ethja e nga zjarri,

plakur e thinjur për ca net,

siç thonë se u thinj brenda një nate

Mata Hari…

Ndaj dhe po çirrem, po bërtas, po ulërij:

Mjaft, më!

Mjaft me të mjerën Shqipëri!

 

Tiranë, mars 1997.

 

Please follow and like us: