Albspirit

Media/News/Publishing

Karl Gustav Jung: KARANTINA

Marrë nga “Libri i kuq”

 

Karl Gustav Jung, psikiatër i famshëm zviceran, 1875-1961.

 

– Zoti Kapiten, muçoja nuk është mirë, është i shqetësuar dhe është vënë në siklet për karantinën që na kanë vënë në port, a mund t’i flisni atij nja dy fjalë?

– Çfarë ju shqetëson djalosh? – pyeti Kapiteni muçon – A nuk keni ushqim me bollëk, a nuk ngopeni me gjumë dhe nuk flini sa keni qejf?

– Nuk është puna këtu, zoti Kapiten – u përgjigj muçua me ndrojtje – unë nuk mund të duroj dot faktin që nuk zbres në tokë, që nuk mund t’i takoj e përqafoj të dashurit e mi.

– E zemë se do të lejonin të zbresësh dhe ti të jesh i infektuar, si do ta përballoje gabimin e rëndë në se infeksionin do t’ia ngjisje ndonjerit nga të dashurit e tu dhe ai nuk do të mund t’ia dalë dot mbanë kësaj sëmundjeje?

– Nuk do t’ia falja kurrë vetes këtë gabim edhe pse e mendoj sikur e kanë shpikur këtë mortajë.

– Ndoshta, po sikur të jetë e vërtetë?

– E kuptoj se çfarë doni të thoni, zoti Kapiten, po ndjehem sikur më kanë hequr lirinë, diçka më kanë marrë e kufizuar.

– E ju kufizoni veten edhe me gjëra të tjera, djalosh?

– Po talleni me mua?

– Në se ju privojnë nga diçka dhe nuk i përgjigjeni kësaj në mënyrën e duhur, atëherë po, jeni i humbur.

– Domethënë sipas jush, zoti kapiten, në se më kufizojnë me diçka, për të dalë fitimtar, unë vetë duhet të kufizoj veten time edhe me diçka tjetër?

– Sigurisht, unë e bëra këtë në karantinën e shtatë vjetëve më parë.

– E çfarë i kufizuat vetes?

– Më duhet të prisja në anije, i karantinuar për më shumë së 20 ditë kur kisha muaj që mezi prisja të zbrisja në port e të gëzoja pak pranverë në tokën tonë të dashur. Në atë kohë ra një epidemi. Na urdhëruan të prisnim në portin April. Ditët e para qenë të vështira. Ndjehesha sikundër ti tani. Pastaj fillova t’i përgjigjem kësaj situate duke mos përdorur llogjikën. E dija se pas një periudhe 21 ditore, një sjellje e veçantë kthehet në zakon. Në vend të ankohesha dhe të krijoja situata të tmerrshme, fillova të sillem në mënyrë krejt të ndryshme nga të tjerët. Para së gjithash fillova të mendoj pë ata njerëz që janë të privuar nga shumë gjëra e këto u ndodhin çdo ditë të mjeruar të jetës së tyre. Pastaj fillova të hyj në optikën e duhur e më pas vendosa ta fitoj këtë betejë. E fillova me ushqimin; e detyrova veten të haja gjysmën e racioneve që konsumoja zakonisht. Më pas fillova të zgjedh ato ushqime që organizmi i tret lehtësisht me qëllim që të mos e mbingarkoja trupin tim. Përfundimisht e bëra zakon të haja ato ushqime që i bëjnë mirë shëndetit. Hapi tjetër i përpjekjeve të mia ishte të pastroja mendimet e këqia nga truri dhe në vend të tyre të kisha mendime të larta e fisnike. E detyrova veten të lexoja të paktën nga një faqe libri në ditë me argumente që nuk i njihja më parë. E detyrova veten të bëja çdo mëngjes ushtrime fizike në kuvertën e anijes. Një plak indian më kishte thënë vite më parë se trupi i njeriut bëhet më i fuqishëm në se bëjmë ushtrime duke mbajtur frymën për një kohë më të gjatë.  Kështu çdo mëngjes bëja ushtrime me frymëmarrje të thellë. Jam i bindur se mushkëritë e mia nuk kanë qenë kurrë kaq të fuqishme. Në darkë ishte ora e lutjeve, ora për të falënderuar atë që rregullon e komandon gjithçka. E lutesha të mos më jepte atë rast fatkeq për t’u privuar gjatë gjithë jetës nga gjëra serioze. Si gjithmonë ai indiani më kishte këshilluar vite më parë ta bëja zakon e të përfytyroja dritën të futej brenda meje e të bëheshaa më i fortë. Më kishte thënë se kjo mund të funksiononte edhe për të dashurit e mi që ishin larg. Kështu edhe kjo praktikë u bë një nga zakonet e mia gjatë atyre ditëve të karantinës në anije. Në vend të mendoja për gjithë ato gjëra që nuk mund të bëja, nisa të mendoj se çfarë do të bëja kur e gjithë ajo të mbaronte dhe unë të zbrisja nga anija në tokë. I shihja ato skena çdo ditë, jetoja me gjithë qënien time dhe shijoja mbërritjen e atij çasti. Gjithçka që arrihet menjëherë, pa mund, nuk është kurrë interesante. Pritja shërben për ta sublimuar dëshirën, për ta bërë edhe më të fuqishme. E kisha privuar veten nga ushqime të forta, nga gjithë ato shishe rumi, nga sharjet e mallkimet që në kushte normale do t’i kisha rreshtuar përpara ekuipazhit. E kisha privuar veten nga të luajturit me letra, nga të fjeturit e tepërt, nga të ndenjurit kot, nga të menduarit për atë çfarë po më mohonin.

– E si përfundoi e gjithë kjo punë, zoti Kapiten?

– Fiton gjithë ato zakone të reja, djalosh. Ne zbritëm në tokë shumë më vonë nga çfarë ishte parashikuar.

– Pra, ta vodhën edhe pranverën?

– Po, atë vit ma vodhën pranverën dhe shumë gjëra të tjera. Po në se nuk lulëzoi pranvera për mua, isha unë ai që lulëzoi, e kisha pranverën brenda vetes sime dhe nuk do të ma vidhte askush, kurrë më.

 

Shpjegim: muço – ndihmës marinar

 

 

Please follow and like us: