Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Baballarë apo bastardë të kombit?!

Ethet e zgjedhjeve parlamentare kanë mbërthyer sërish politikën në vend. Tani jemi pak muaj larg krijimit të parlamentit të ri. Në Shqipëri deputetët janë thirrur si baballarë të kombit. Ky përcaktim mbart te vetja respektin dhe shpresën e qytetarëve për të zgjedhurit, të cilët, sikurse babai i një familjeje kudeset për punët e familjes, do të kujdesen për mbrothësinë e kombit.
Kanë kaluar tri dekada pluralizëm dhe parlamenti shqiptar ende nuk i ka formuar konturet e tij, si oda e grave dhe burrave që përfaqësojnë vlerat më të mira kombëtare dhe ato njerëzore në përgjithësi. Natyrisht, pa lënë mënjanë edhe vlerat politike në kuptimin më të mirë kësaj fjale.
Më duhet të theksoj se jo gjithmonë është lënë në duar të qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlamentin e Shqipërisë. Nëse do të ishte në duart e tyre zgjedhja, kurrsesi nuk do të uleshin në karriget e parlamentit qenie pa asnjë vlerë ose edhe persona me rrezikshmëri të madhe shoqërore, si trafikantë droge, trafikantë femrash deri edhe vrasës. Në vend të baballarëve të kombit në karriget më të nderuara të vendit u ulën bastardët e kombit. Në çdo vend me tradita demokratike, një parlament me qënie të tilla brenda tij, qytetarët e atyre vendeve kurrsesi nuk do të lejonin që monstra të tilla të vendosnin për të sotmen dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të vet. Nuk jam për metoda revolucionare, por një parlamenti ku janë ulur në numër të konsiderueshëm bastardët e kombit, qytetarët e tradhëtuar kanë të drejtën t’i vënë zjarrin.
Po pse gjatë tre dekadave pluralizëm nuk u arrit një standard i qëndrueshëm në formimin e një parlamenti dinjitoz? Ku qëndron problemi? Mund të shpreh mendimin tim modest, natyrisht pa qënë tërësisht i sigurtë në përcaktimin e plotë të shkaqeve. Mendoj se një nga shkaqet kryesore ka qënë se liderët politikë në Shqipëri më tepër i ka joshur mbajtja e pushtetit se sa krijimi dhe konsolidimi i shtetit ligjor, aq të domosdoshëm për qytetarët shqiptarë, pas përjetimit të një diktature të egër diabolike.
Gjithashtu, shpesh politika nuk ka shfrytëzuar te qytetarët shqiptarë ato vlera kombëtare dhe qytetare, aq të nevojshme për ndërtimin e demokracisë në vend, por janë mbështetur fort pikërisht në veset jo të pakta të qytetarëve të këtij vendi. Nën moton “Për punë të poshtra lipsen njerëz të poshtër”, politika te ne ka deformuar proceset demokratike, sidomos zgjedhjet. Diktatura në Shqipëri ka qënë dhunë e pandërprerë ndaj qytetarëve. Politika e sotme e së majtës, në mungesë të instrumentave të dhunës së diktaturës, në postdiktaturë e zëvendësoi dhunën e sigurimsave, sekretarëve të partisë, spiunëve me dhunën brutale të gangsterëve të lagjeve, qyteteve dhe krahinave. Kam parë me dhimbje se si përfaqësuesi i një partie të madhe, me të gjitha pushtetet e mundshme mbi supe, i rrinte lepe peqe gangsterit, që për shkollë kishte nja dhjetë vjet burg për grabitje, si master kishte nja tre vrasje mafioze të paprovuara kurrë nga drejtësia, për doktoraturë kishte nja 15 tendera milionëshe në euro të fituara nga qeveria. Menjëherë në kokë të ushton kambana e alarmit: duhet ikur urgjent nga ky vend i mallkuar i qeverisur në diktaturë nga kriminelët dhe në postdiktaturë nga horrat.
Një parlament me gra dhe burra me dinjitet nuk do ta lejonin një gjendje të tillë. Do t’ia fusnin këmbët në një këpucë kryeministrit dhe ministrave. Po ata pak parlamentarë, me një formim të mirë profesional, që ende gjenden në atë parlament qesharak, janë kthyer në kukulla të lidhura dhe komanduara me fijet e interesave të vogla personale. Partia Demokratike dha një kontribut të madh për dekriminalizimin e parlamentit dhe institucioneve të tjera. Ajo, si parti e djathtë duhet t’u prijë nismave për një parlament të fisëm, duke e nisur nga shembulli vetjak.
Në qytetin e Beratit ka nisur përzgjedhja e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Deri tani në seksionet e degës së partisë së kësaj partie janë propozuar mbi njëqind kandidatura për deputetë në parlamentin shqiptar nën siglën e PD-së. Kjo shifër të bën për të qeshur, por edhe të trishton. Nuk po hartohen lista për të marrë ndihmë ekonomike, por për kandidatura për në parlament. Ne jemi një shoqëri, që funksionon pa filtra, ndaj në vend të mjekut takojmë kasapin me diplomë mjeku, në vend të mësuesit takojmë bariun me diplomë të blerë etj., etj. Edhe PD lipsej të vendoste kritere të rrepta për propozimet për kandidatët për deputetë. Besoj se njohja me këto kritere do ta shmangte anën qesharake të kësaj përzgjedhjeje. Natyrisht, PD e ka ekspertizën e duhur për të hartuar këto kritere dhe për t’i shpallur ato.
Bie fjala, në Berat e djathta është përfaqësuar me dijetarin e shquar dhe patriotin Ferit Vokopola, me patriotin dhe personalitetin e mirëshkolluar Iliaz Vrioni, të dy nënshkrues të deklaratës së Pavarësisë. Nëse do të kërkohen të ngjajshmit e tyre, ose të përafërtit e tyre, ose ata më pranë tyre, mjaft “kandidatë” do të largoheshin të trembur. Nuk është e mundur të gjejmë figura të tilla, por të biem në banalitet duke propozuar emra që nuk i njeh as pallati ku banojnë, e bën procesin qesharak.
Po nga vjen kjo turrje drejt listave për kandidatë për deputetë?! Me sa duket parlamenti i sotëm me “deputetët” që zunë vendin e të ikurve ka nxitur të gjitha instiktet e këtij turravrapi. Të ulurit në karriget e lëna bosh vërtetuan thënien se dija ka fund, ndërsa injoranca është e pafundme. Kur mendoj se edhe vota ime ka qënë një ndër ato që i ka shpurë ato qenie të mjera në parlament, ndihem keq. Besoj se kështu duhet të ndihen edhe mjaft të tjerë, ndaj mendoj se përzgjedhja e kandidatëve për parlamentin shqiptar është tejet e rëndësishme. Koha e bastardëve të kombit mendoj se ka kaluar. Po edhe koha e yesmenëve dhe e atyre deputetëve që vetëm kanë teshtitur herë pas herë, pa folur dhe pa propozuar asgjë në të mirë të qytetarëve që i kanë zgjedhur, ka shkuar. Do të jetë gabim fatal dhe i pakorrigjueshëm nëse do të futen në lista deri edhe sharlatanë, sikurse ka ndodhur më parë, që e kanë zhvlerësuar votën e demokratëve të Beratit në mënyrë të hidhur. Refuzimi i tyre i heshtur me votë do të rrezikojë rrotacionin aq të domosdoshëm për të ardhmen e vendit. Le të zgjedhim qytetarët më të mirë të Beratit, le të zgjedhim qytetarët më të mirë të vendit, në të mirë të Beratit, në të mirë të vendit.

Please follow and like us: