Kostaq Xoxa: Bedri Çoku dhe libri “Ёndërr e fundosur”
Libri “Ёndërr e fundosur” i shkrimtarit Bedri Çoku është një veper letrare, dyqind faqe, që zgjon vemendje dhe interes të dukshëm te lexuesi i kultivuar, sidomos te dashamirët e moshave të reja. Personazhet femra zënë bashin e vendit në këtë vepër me mëtime të mprehta psikoanalitike, ku ëndrrës së zhgënjyer i japin një përsjatje filozofike -sociale, në të cilën mendimi filozofik ngërthehet në përkitje me gjendjen e rëndë shoqërore të përftuar nga një mendësi e veçantë totalitare që ngjau, për fat të keq, nën sundimin e Stalinit të vogel shqiptar, në dëm të vendit dhe të kombit tonë. Jo më kot regjimi i Enver Hoxhës u rendit te regjimi shtetëror i mjerimit kooperativist, siç ishin kolkozet staliniane, sidomos në Ukrahinë, ku fshatrësia kolkoziane mbushte trotuaret me të vdekur nga uria. (Paraqitur me foto origjinale nga analisti i famshëm polak Rikard Kapuçinski). Në këtë mendësi dëshpëruese vërtiten personazhet-femratë autorit të “ Ёndrrës…” së shkrimtarit, B. Çoku… Secila, me një gjendje shpirtërore, me vete, secila, me individualitetin e vet. Një sipërmarrje e vështirë kjo nga pikpamja letrare. Por autori, për mendimin tim, e ka përballuar me sukses këtë detyrë që i ka krijuar vetes, si krijues. Ja cilat janë personazhet femra në këtë libër : Lirika, Enrieta, Brikena, Liljana ( Lili), Adela etj… Në dhjetë rreshta autori shpreh një merak: “Që njerëzit të mos pendohen për kohën e humbur …”. Dhe thotë diçka edhe për atë që e quan lajtmotivin e veprës së vet: “Në kushtet e një terrori varfërie kolektive jeta, virtuti dhe talenti, gjithsesi gjallonin për të mbijetuar”.
Kaq shkurt ajo, panoramë, të cilën e paraqitëm, pak a shumë, më lartë.
***
Siç vërehet, së paku, janë pesë emra femërore, të renditur njëri pas tjetrit… Doktor Arturi, personazh qendror i veprës, i përkushtuar thellësisht pas profesionit të tij, si mjek, është i kënaqur në klinikën e tij, pranë fjetores së vet, për një person pa mëtime të tepruara luksi, në banesë. Bukuria femërore dhe natyra e bukur e fshatit të Karavastasë, siç i thonë: “Pranë detit, afër mbretit”!… Por këtu nuk shkon ky proverb, ngaqë deti është mollë e ndaluar, si objekt kufitar… Ani! Dallgët e tij kanë tingëllim të ëmbël për veshët e mjekut, si banor i sapoardhur! Femra të bukura? Sa të duash! Jo vetëm mësueset e fshatit, por edhe vashat myzeqare… Bukuria femrore? Mund t’i duket e tepërt ndonjë lexuesi, kur kalon së lëçituri, thuajse, një të katërtën e librit me emrat e mësueseve dhe vajzave bregdetare të Karavastasë, në gojën dhe mendimet e doktorit të ri. Po Gëtja tetëdhjetëvjeçar a nuk u shastisë pas Betinës shtatëmbëdhjetë vjeçare?… Qysh në lashtësinë e Homerit bukuria e një femre ishte bërë subjekt i rrënimit të një Troje të tërë; Gi dë Mopasani shkrimet me të bujshme i ka në epiqendër me femrat; La Martini, me kulmin e poezisë sentimentale franceze, është vendosur në piedestalin e poetëve më të mirë të Francës… pa harruar Alfred de Musset, etj.
Kësisoj e përligjim doktor Arturin, protagonistin e “Ёndrrës së fundosur” të autori tonë, Bedri Çokut, aq më tepër kur ndjenjat e tij, të kultit të dashurisë, nuk kanë rënë kurrë në vulgaritet. Shtyllat e shëndosha të kësaj vepre, pra, janë femrat që u përmendën me emër e që tani do të shohim tiparet e tyre të ndjenjave femërore, që ndryshojnë cilësisht njëra nga tjetra. Lirika , stundente në gjeologji, degë të cilën nuk e pëlqen. Markë më vete, -“ sui generis”- (në latinisht), me liberalizmin e saj të “shfrenuar” për kohën. Në vallëzim me ish studentin e mjekësisë, Arturin, ky në një hap të gabuar, i këput, pa dashje, rripin e sandales. Dolën me marifet nga salla e vallëzimit. Këpucarin, mjeshtër, edhe pse e gjetën duke e mbyllur dyqanin, sikur e magnetizuan me çiltërsinë e tyre: Ajo ia kishte marrë hua sandalet një shoqeje!(Ishte e varfër)… Si do t’ia thoshte tani asaj? Këpucari nuk pranoi pagesë. Ajo e përqafoi duke e habitur doktorin e ardhshëm… Kalojmë tek Enrieta, e cila e verboi doktorin e dipllomuar me bukurinë e saj. Por edhe ajo u josh nga dëshira për t’u martuar me mjekun simpatik e të diplomuar shkëlqyeshëm, Ajo iu qep atij deri sa e kandisi të fejoheshin. Mjeku Artur vuri në dyshim vetveten: – Mos u nxitova? Paska qene një koketë spitullaqe ,që pispillosej për të rënë në sy ! Sapo takonte të fejuarin, pyeste:
“ A ishe sot me miqtë e tu?… Çfarë të thanë për Mua”? Doktorit po i forcohej bindja se Enrieta, në emër të një modernizimi fals, ishte bërë estrvagante dhe me ndryshime agresive të humorit. Mjaftonte një vërejtje dhe e tërbonte. E bënte të griste rrobat, ngaqë i fejuari nuk ia lëvdonte veshjet e tejdukshme “Hë, a je i kënaqur tani?”… Ishte mëkatare edhe familja e saj, në tekat e së bijës… Vajzë e vetme, në gjendje të mirë materiale, se prindërit ishin nëpunës të lartë të nomenklaturës. Harxhonte pa hesap. Diskutimet për natyrat e papajtueshme të ç iftit po shpeshtoheshin si tepërmi. (Këtu çmojmë dialogun energjik e të zhdërvjellët të autorit, dhunti e veçantë e tij që e bën të pëlqyeshëm rrëfimin, në rol të të cilit është vetë doktor Arturi). Duket që kjo fejesë nuk e kishte të gjatë. Një letër e doktorit i tregon Enrietës se për se nuk e n dryshonin dot njeri-tjetrin… Vijmë në ecuri të rrëfimit, te mësuese Brikena. E pashme, e zgjuar, që komunikonte lirshëm me këdo, përbënte një dyshe virtuale me Qemalin. Por ah!- kjo ndryshesë në kulturë ndërmjet Qemalit,“ tip i racës tipike ariane, me një zgjuarësi të natyrshme, të pazakontë, i thjeshtë, me një fizik herkulian, atë e shihnin me lakmi shumë nga vajzat përreth, por ai “dridhërohej vetëm për Brikenën”. Doktori e kishte bërë mikun më të mirë dhe Qemali i rrëfehej pa droje për ndjenjat e tij ndaj Brikenës. Ai vdiste të martohej me të – shprehet doktori në këtë vepër. Por thotë se edhe Qemali e pranonte që ,“edhe ajo ka të drejtë të pretendojë më shumë”. Ndërsa doktori nuk mendonte ashtu. Dashuria nuk është, sipas tij, një lëndë,( materia e filozofisë së njëanshme), që shndërrohet në para, por“një formë e përsosur shpirtërore”. Për të mos e zgjatur më shumë, duke bredhur nëpër faqet e fundit, ja që Qemali u bë një intelektual i shquar, në saj të studimit të pandërprerë, i denjë edhe për Brikenën, të cilën ai e adhuronte, por, që martohet me mësuesen tjetër, shoqen e ngushtë të Brikenës, me Lirinë, e cila iu përkushtua Qemalit për ta bërë një inelektual të vërtetë… Liljana ose Lili është femra më emblematike e librit, për mendimin tim. E them këtë në kuptimin që, mbase mund të vihet dorë që të strukturohet, sa është ende adoleshente, në një trajtë më të qartë në zbutjen e disa tipareve rënduese të saj, si personazhi më pozitiv i këtij libri. Ёshtë një vajzë 14 – vjeçare, e paraqitur me një simpati të veçantë nga autori, madje, në mënyrë të suksesshme. Si karakter letrar është i skalitur. Paçka se disa huqe të saj, me duket se duhen trajtuar disi më të lëmuara. Këto i them, në parashikimin e një ribotimi të librit. Interesant është se mardhëniet mjek – pacient, në këtë ngjarje perfundojnë në një fund ntë mbarë, një befasi e përligjur në vështrimin artistik. Ndaj ia vlen ta shohim më gjerësisht këtë personazh , nga më kryesorët e veprës. Kapitulli i fundit i librit është sa dramatik aq edhe i veçantë. Ritakimi i Doktorit me Lirikën, pas disa vjetësh, në prag të martesës së doktorit me Lilin, tashmë një këngëtare e famshme, që fiton çmim në Festivalin Kombëtar, në Radio -Televizion, shkakton tronditje të fortë në psiqikën e doktorit, nga e cela ai pëson, rastësisht, një fatkeqësi të rëndë… Libri është shkruar me një stiltë veçantë, me një fjalor të këndshëm dhe lexohet me shumë dëshirë e kënaqësi… I uroj shkrimtarit që, krahas këtyre librave, të botuar kohët e fundit, të shohim në dritë libra të tjera artistikë me kaq interes!