Albspirit

Media/News/Publishing

Kseanela Sotirofski flet për rikandidimin si Rektore e UAMD-së dhe një vlerësim nga prof. Andrea Gudha

Pse vendosët të kandidoni për t’u rizgjedhur si Rektor i UAMD-së?

Unë jam shumë e përkushtuar pas UAMD-së, stafit dhe studentëve, komunitetit që ai përfaqëson dhe rolit të tij në shoqëri. Sidoqoftë, ne duhet të ndërveprojmë më mirë si me njëri-tjetrin brenda institucionit ashtu edhe me shoqërinë, në mënyrë që të shfrytëzojmë fuqinë e plotë të universitetit. Ne do të jemi katalizatorë të ideve, mendimit kritik dhe hulumtimit, që do të fokusohen në zhvillimin e vendit dhe do të ndihmojnë në zgjidhjen e sfidave shoqërore. Unë jam veçanërisht e angazhuar, më së pari si akademike, për përmirësimin e menaxhimit të institucionit, mirë-menaxhimin e burimeve njerëzore dhe ndërdisiplinaritetin në arsimin e lartë.

Gjatë këtyre katër viteve që lamë pas, kam dëshmuar që jam drejtuese me këmbë në tokë, shqetësohem për gjithçka më rrethon dhe ndërmarr veprime konkrete. Besoj gjithashtu që si Përgjegjëse Departamenti, Dekane në Fakultetin e Edukimit dhe më pas si Rektor, kam treguar se kam një vizion të qartë për zhvillimin e Universitetit. Ndaj edhe shumë kolegë pedagogë, që i falenderoj nga zemra, më kanë kërkuar që të rikandidoj për Rektor.

Para kolegëve të nderuar, kam marrë zotimin ta çoj platformën time për Rektor deri në fund duke ndërtuar në Universitet një kulturë bashkëpunimi të ngushtë në të gjitha nivelet.

Sipas mendimit tuaj, çfarë është një udhëheqje e mirë?

Unë ofroj një udhëheqje të qartë, që siguron bashkëpunim dhe ndërveprim në UAMD, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha aftësitë që posedon stafi ynë akademik dhe administrativ. Do të dëgjoj koleget, mandej do të veproj. Do të kemi procese transparente dhe të besueshme. Rëndësi të madhe do t’i kushtohet cilësisë së mësimdhënies. Ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi, me zemër, për cilësinë e programeve tona të studimit.

Si do të duket UAMD-ja brenda 10 viteve?

Në dhjetë vjet UAMD-ja do të jetë një Universitet shumë i pranishëm në komunitet, do të ndërveprojë ngushtësisht me institucionet vendore dhe shoqërinë. UAMD duhet të jetë një motorr zhvillimi për Durrësin dhe kjo arrihet me bashkëpunim të mirë mes aktorëve të dijes, institucioneve, biznesit vendor dhe palëve të tjera të interesit. Durrësi është qytet i kulturës dhe shkencës. Ne do të organizojmë konferenca, aktivitete akademike dhe jo vetëm, në partneritet me Bashkinë dhe autoritetet e tjera lokale, komunitetin e biznesit për të dhënë shembullin e mirë se si njerëzit e dijes mund ta përcaktojnë rendin e ditës dhe të krijojnë sinergji të rëndësishme në të mirë të vendit.

Si e shihni angazhimin social të UAMD-së?

Roli i universitetit në shoqëri përmbushet duke përgatitur studentë me kompetencë të fortë akademike, që mendojnë në mënyrë kritike, kanë etikë të fortë, si dhe janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj të fundit.

Ne ndikojmë shoqërinë drejtpërdrejt përmes hulumtimeve tona. Tani flitet shumë për inovacionin në arsimin e lartë, dhe në këtë kontekst angazhimi ynë në projekte ndërkombëtare si DimTV dhe VTech do të ndihmojë. Por nuk duhet harruar rëndësia e shkencave humane dhe atyre shoqërore për kontributin që mund të japin në përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm apo zhvillimin e administratës publike si bazë për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit dhe vendit tonë.

Si një institucion që është duke hedhur baza solide në teknologji e inovacion, edukim, administrim publik, por edhe arsim profesional, ç’ka përfaqësojnë fuqinë dhe profilin tonë akademik, ne kemi nevojë për diversitet në arsimin e lartë dhe duhet të jemi të qartë për rolin që kemi.

Cilat janë pikëpamjet tuaja për nismat ndërdisiplinore të UAMD-së?

Në jemi lider në shkencat e edukimit, por edhe në studimet profesionale në vend. Ky është tregues i suksesit tonë të deritanishëm me nismat ndërdisiplinore. Referuar studimeve apo raporteve të ndryshme ndërkombëtare, mund të themi se hulumtimi brenda disiplinave është thelbësor, por edhe më shumë është bërë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi midis njësive akademike. Ne duhet të kërkojmë mjete dhe mënyra të reja që sigurojnë ndërdisiplinaritet, por edhe të ofrojmë stimuj dhe mbështesim iniciativa që vijnë nga poshtë lart.

Pse duhet të votojnë për ju pedagogët dhe studentët e UAMD-së?

Sepse unë dhe ekipi im jemi të angazhuar për të bërë UAMD-në universitet model në vend dhe në rajon. Ne duhet të jemi krenarë për UAMD-në si një universitet i rëndësishëm shqiptar, por duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë atë së bashku. Ajo që kemi realizuar në katër vite, me besim te njëri-tjetri dhe duke ndarë përgjegjësi, dëshmon qartë një udhëheqësi gjithëpërfshirëse, që dëgjon kërkesat e stafit dhe studentëve dhe që është e aftë të marrë më të mirën nga idetë e tyre.

 

————————————————-

Prof. Dr. Andrea GUDHA vlerëson rikandidimin e Kseanela Sorirofskit

 

E nderuar Prof. Kseanela,

Sapo e lexova me këshëri, me interes të veçantë dhe me krenari intervistën tuaj inteligjente tek Albspirit, si dëshmitar vital për kontributet tuaja të spikatura si Rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, duke e renditur atë ndër Universitet më me emër në rrafshin kombëtar dhe Rajonal.

PO! Rikandidim potencial në pozicionin e Rektores në UAMD! Vlerë e shtuar dhe për IAL në Shqipëri!

Më lejoni që, t’ju uroj  përzemërsisht: Suksese në rrugëtimin tuaj të suksesshëm akademik si Rektore në UAMD në vitet që vijnë!

Shëndet e gjithë të mirat!

Me konsideratë të veçantë,

Prof. Dr. Andrea GUDHA.

Tiranë, 17.07.2020

Please follow and like us: